Ministrja Spiropali mirëpret Komisionin e Punëve të Jashtme të PE: 2026 është vit kyç për jetësimin e planit të bashkëdakordësuar me BE
Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, u takua me delegacionin e Komisionit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Europian (AFET), të kryesuar nga David McAllister. Takimi, i zhvilluar në Ministrinë për Europën dhe Punët e Jashtme, u fokusua në ecurinë e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE dhe rolin e veçantë e mbështetës të Parlamentit Europian.
Postimi i plotë
Kënaqësi të prisja sot në Ministrinë për Europën dhe Punët e Jashtme delegacionin e Komisionit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Europian (AFET), të kryesuar nga Kryetari, David McAllister. Patëm një bisedë të njëmendtë mbi:
Ecurinë e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE dhe rolin e veçantë e mbështetës të Parlamentit Europian;
Nevojën për të vijuar me vendosmëri reformat, për të maksimalizuar rezultatet, me vitin 2026 kyç për jetësimin e planeve të bashkëdakordësuara.
Rëndësinë e linjëzimit të plotë të politikës sonë të jashtme me atë të përbashkët të BE-së, si investim madhor në forcimin e bashkëpunimit;
Mënyrat për zgjerimin e mëtejshëm dhe diversifikimin e bashkëpunimit me të gjitha institucionet europiane, përfshirë Parlamentin Europian, në çdo fushë e aspekt sot si vend kandidat dhe së shpejti si vend anëtar në të mirën dhe të ardhmen e përbashkët, për t’u bërë ballë sfidave dhe paparashikueshmërisë globale në rritje.
I falënderova për mbështetjen e procesit të zgjerimit dhe anëtarësimit të Shqipërisë në BE, si një investim i vyer për paqen, sigurinë dhe begatinë e kontinentit tonë.
KOHA JONË SONDAZH

