Ministrja Spiropali nderohet me Urdhrin e Princeshës Olga nga Zelensky: Përgjegjësi dhe nder! Presidenti: Sinjal mbështetjeje
Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Elisa Spiropali është nderuar me Urdhrin e Princeshës Olga të Klasit I nga presidenti Volodymyr Zelenskyy gjatë vizitës së saj në Kiev. Ajo shkruan në rrjetet sociale se e pret me përulësi këtë dekoratë të lartë të shtetit në mes të një lufte për mbijetesë e liri.
“Sot, në Kiev, Presidenti Volodymyr Zelenskyy më nderoi me Urdhrin e Princeshës Olga, Klasi I, një nga dekoratat më të larta të shtetit ukrainas. E pranoj këtë nderim me përulësi dhe me ndjenjën e thellë se ai nuk i përket vetëm një personi, por qëndrimit të Shqipërisë dhe të çdo europiani që zgjedh të qëndrojë në anën e lirisë. Ukraina sot nuk po mbron vetëm tokën e saj. Ajo po mbron ndërgjegjen e Europës. Në qytetet e saj të bombarduara, në rezistencën e popullit të saj, po shkruhet nëse kontinenti ynë do të jetojë në paqe dhe të drejtë, apo nën frikë dhe forcë.
Ky urdhër mban emrin e Princeshës Olga, një grua që udhëhoqi me dinjitet në kohë të errëta. Ta marr sot këtë dekoratë në mes të një lufte për mbijetesë dhe liri, është një përgjegjësi morale, po aq sa një nder. Shqipëria qëndron me Ukrainën. Jo nga protokolli, por nga bindja. Sepse historia na ka mësuar se liria nuk ruhet duke heshtur, por duke qëndruar drejt, edhe kur kjo ka kosto. Ukraina sot po e mban këtë vijë për të gjithë ne”, shkroi krah videos.
Gjithashtu, edhe presidenti Zelensky ndau një postim në X lidhur me vizitën në Ukrainë dhe dekoratën për Spiropalin. “Sot, Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë Elisa Spiropali po viziton Ukrainën. Kjo vizitë vjen në një moment shumë sfidues për Ukrainën dhe për popullin tonë. Ajo është një sinjal i fortë mbështetjeje. Ne gjithashtu e vlerësojmë faktin që sot ministrja jo vetëm që ndodhet këtu, por po ashtu po viziton personalisht dhe po mbështet luftëtarët tanë që po i nënshtrohen rehabilitimit. Para së gjithash, gjatë takimit diskutuam bashkëpunimin ushtarak, prodhimin e mbrojtjes, integrimin e Ukrainës dhe Shqipërisë në Bashkimin Europian, që është një qëllim i përbashkët i vendeve tona, si dhe zhvillimin e nismës PURL, konkretisht pjesëmarrjen e mundshme të Shqipërisë në këtë nismë gjatë këtij viti. Veçmas, e informova ministren për përpjekjet tona diplomatike me partnerët në ndjekje të paqes. Diskutuam gjithashtu forcimin e sanksioneve kundër Federatës Ruse. Sanksionet janë një mjet tejet i rëndësishëm për të minuar aftësinë e Rusisë për të vazhduar luftën. I dhashë Elisa Spiropalit Urdhrin e Princeshës Olga, Klasi I. Faleminderit për mbështetjen ndaj Ukrainës. Ne jemi shumë mirënjohës Shqipërisë për mbështetjen e saj që nga fillimi i kësaj lufte”, shkroi Zelensky.
Gjatë fjalimit të saj të përbashkët me homologun Sybiha, Spiropali njoftoi pikat për të cilat u ra dakord që të kishte bashkëpunim, përtej vështirësive.
▪ Mundësitë për tregti dhe investime, edhe në rrethana të jashtëzakonshme.
▪ Kontakte më të thella ndërmjet komuniteteve të biznesit.
▪ Bashkëpunim në sektorë ku Shqipëria dhe Ukraina mund të krijojnë vlerë të shtuar, si energjia, infrastruktura, turizmi, bujqësia dhe teknologjia.
KOHA JONË SONDAZH

