Ministrja Spiropali në Mynih: Shqipëria, aleate e besueshme në NATO dhe zë stabiliteti në Ballkanin Perëndimor
Ministrja e Europës dhe e Punëve të Jashtme, Elisa Spiropali, ka marrë pjesë në Konferencën e Sigurisë në Mynih, ku liderë politikë dhe ushtarakë nga e gjithë bota diskutojnë mbi sfidat globale të sigurisë. Për të Shqipëria është e pranishme si një aleate e besueshme në NATO dhe si një zë stabiliteti në Ballkanin Perëndimor. Ministrja tregon se diskutimet e këtij viti janë dominuar nga nevoja për forcimin e aleancës transatlantike, lufta në Ukrainë, tensionet në Lindjen e Mesme dhe pasiguritë që po ndikojnë marrëdhëniet ndërkombëtare.
Postimi i plotë
Në Mynih në Konferencën e Sigurisë, ku mblidhen liderët kryesorë politikë e ushtarakë për të diskutuar sfidat e sotme globale. Shqipëria është këtu si një aleate e besueshme në NATO dhe si një zë stabiliteti në Ballkanin Perëndimor.
Bisedat këtë vit dominohen nga nevoja për forcimin e aleancës transatlantike, lufta në Ukrainë, tensionet në Lindjen e Mesme dhe pasiguritë që po ndryshojnë marrëdhëniet ndërkombëtare.
Në këtë klimë, Shqipëria qëndron e qartë në orientimin e saj euroatlantik dhe në përkushtimin ndaj aleancave që garantojnë sigurinë tonë.
Takimet me partnerët konfirmojnë se në një botë më të paqëndrueshme, vlera si liria, solidariteti dhe bashkëpunimi janë më të rëndësishme se kurrë. Shqipëria do të vazhdojë të kontribuojë për sigurinë e rajonit dhe për forcimin e partneritetit transatlantik, ndërsa ecën përpara në rrugën e saj drejt Bashkimit Europian.
KOHA JONË SONDAZH

