Ministrja Spiropali vizitë zyrtare në Athinë, pritet nga Presidenti grek

Me ftesë të Ministrit të Punëve të Jashtme të Greqisë, George Gerapetritis, ministrja e Europës dhe e Punëve të Jashtme, Elisa Spiropali do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Athinë më 16 dhe 17 dhjetor. Vizita nis në Presidencën greke, ku Spiropali do të pritet nga Presidenti i Republikës, Konstantinos Tasoulas. Ajo do të zhvillojë një takim dypalësh me homologun e saj Gerapetritis, i fokusuar në forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe mbështetjen e vazhdueshme të Greqisë për procesin e integrimit europian të Shqipërisë.

Gjatë bisedimeve, ministrja do të theksojë rëndësinë e trajtimit të Ballkanit Perëndimor si një hapësirë strategjike europiane, si dhe do të diskutojë çështjet e mbetura pezull mes dy vendeve, në frymën e dialogut dhe mirëkuptimit. Pas takimit, dy ministrat do të mbajnë një deklaratë të përbashkët për shtyp. Në fokus të veçantë do të jetë edhe komuniteti shqiptar në Greqi, si dhe nevoja për përshpejtimin e negociatave për marrëveshjen e mbrojtjes sociale, që parashikon njohjen e pensioneve për qytetarët e të dy vendeve.

Spiropali do të zhvillojë një bashkëbisedim me akademikë dhe ekspertë të Fondacionit Helenik për Politikën e Jashtme dhe Europiane, si dhe një takim me komunitetin shqiptar në Greqi, në një pritje të organizuar nga Ambasada shqiptare në Athinë. Ditën e dytë të vizitës, ministrja do të takohet me Ministrin e Mbrojtjes, Niko Dendias, si dhe me përfaqësues të bizneseve që operojnë mes dy vendeve, për të diskutuar potencialin e bashkëpunimit ekonomik.

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A veproi drejt Gjykata Kushtetuese për rastin Balluku?