Miratohet ligji për ndërhyrjen e jashtëzakonshme në banka

Sistemi bankar shqiptar nuk ka probleme dhe është cilësuar nga institucionet vendore dhe ndërkombëtare si i mirëkapitalizuar, por për sigurimin e plotë të parave në banka, Komisioni i Ekonomisë ka miratuar dje ligjin ndërhyrjen e jashtëzakonshme në banka. Projektligji i ri për bankat do të sjellë më shumë siguri, ndërsa i vendos në dispozicion Bankës së Shqipërisë instrumente ligjore për të ndërhyrë në një fazë që të jetë mjaftueshëm e hershme.

Ish-ministri i Financave, Ridvan Bode, shprehu shqetësimin nëse ky draft bie ndesh më direktivat e BE-së, si dhe me ligjin për mbrojtjen e investitorëve të huaj. Por, zëvendësministri i Financave, Ervin Mete, i cili mbrojti këtë nismë të qeverisë, u shpreh se ai është në përputhje me të gjitha direktivat e BE-së. Drafti i propozuar nga qeveria ka 89 nene dhe synon të rrisë edhe më tej sigurinë e sistemit bankar në vend, duke u paraprirë situatave të jashtëzakonshme.

Ligji vendos në dispozicion të Autoritetit Mbikëqyrës, Bankës së Shqipërisë, një tërësi instrumentesh ligjore për të ndërhyrë në një fazë që të jetë mjaftueshëm e hershme dhe e shpejtë në rastin e një banke në pozita jo të shëndosha ose në gjendje kolapsi, në mënyrë që të sigurohet vijueshmëria e funksioneve financiare dhe ekonomike me rëndësi kritike të bankës, gjithmonë duke minimizuar efektin që ka kolapsi i saj tek ekonomia dhe sistemi financiar.

Këto instrumente sigurojnë që të parët që i mbajnë kostot për një kolaps të tillë të jenë aksionerët dhe pas tyre kreditorët, me kusht që asnjë kreditor të mos mbartë humbje më të mëdha se humbjet që do të pësonte nëse banka do të ishte likuiduar sipas procedurës së zakonshme të likuidimit të detyruar në zbatim të ligjit “Për bankat në Republikën e Shqipërisë”.

SHKARKO APP