Mirëdita, vendorigjina e Kastriotëve
Teza dhe antiteza për prejardhjen e familjes së Skanderbeut
Nga Preng Cub Lleshi
Ka një mal të lartë me burime arkivore, me dokumenta, me vepra artistike në prozë dhe poezi dhe libra të mirëfilltë historie, që kanë për objekt familjen princore të Kastriotëve, origjinën e saj legjendare dhe jetën e luftërat e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. Dhe është vështirë t’i ngjitet në majë këtij mali historiani a dashamirësi i historisë. Megjithatë, duke u përpjekur për të përshkuar ndonjë shteg në shpatin e këtij mali, shqiptari ndjen dëshirën të thotë diçka për figurën e Gjergj Kastriotit, që e ka përshkuar si meteor i ndritshëm qiellin e historisë kombit shqiptar, duke e bërë atë me dritë edhe në vitet më të errta të robërisë turke.
Duke e soditur një copëz të këtij qielli të përflakur, historiani apo dashamirësi i historisë e ndjen se edhe ai duhet ta ndezë një dritë në shtigjet e pafundme të malit të historisë. Se, ndoshta, edhe kjo dritë e zbehtë u ndihmon udhëtarëve të tjerë për t’u ngjitur më lart në shtigjet e thepisur të këtij mali. Është kjo arsyeja që u ndala në fillim të një shtegu që është konsideruar si një shteg i errët, ku është vështirë të kalohet.
Edhe pse Fan S. Noli sjell në veprën e tij mendimin e historianit austriak Jakob F. Falmerajer, se “Të gjesh origjinën e një kreu fisi shqiptar, është një mundim sa i kotë, aq edhe i padobishëm” 1), ai, përsëri, në të gjitha variantet e veprës për Heroin Kombëtar Gjergj Kastriotin, u referohet të dhënave të historianëve të ndryshëm mbi origjinën e fisit të Kastriotëve, mbi vendorigjinën e tyre të lashtë.
Kështu ai përmend një dokument të Fermenxhin, sipas të cilit “Kastriotët quheshin kështu sepse ishin nga një katund i quajtur Kastrat në malësinë e Hasit”. 2) Më tej, po ky historian, përmend P.Lukarin, që kishte pohuar se familja e Gjon Kastriotit “doli nga fshati i Kastratit nën juridiksionin e Asit (Hasit- shënimi im.) jo shumë larg lumit Drin”. 3)
Sipas të dhënave të Gjon Muzakës, që ishte bashkëluftërar i Gjergj Kastriotit dhe njohës i mirë i fisnikëve shqiptarë të kohës, “gjyshi i Skëndërbeut- Pal Kastrioti, kishte në zotërimin e vet feudal vetëm 2 fshatra: Sinjën dhe Gardhin e Poshtëm”. 4) Nisur prej këtij pohimi të Gjon Muzakës, si dhe nga emri i fshatit Kastriot të rrethit të Dibrës, ka gjetur një përkrahje të gjërë edhe teza që e kërkon vendorigjinën e Kastriotëve pikërisht në këtë fshat. Këtë e shtroi si ide edhe Fan S. Noli, pavarësisht se nuk e mbrojti, por gjeti një mbështetje të fortë në gjysmën e dytë të shekullit XX. Në ditët tona këtë tezë e mbron historiani Kristo Frashëri e ndonjë tjetër.
Teza e tretë për vendorigjinën e Kastriotëve lidhet me pohimet e historianit të madh të Skëndërbeut, Marin Barleti, i cili, në veprën kushtuar jetës dhe bëmave të Gjergj Kastriotit, thekson se Kastriotët ishin nga një familje e vjetër prej Matit. Duke mbajtur parasysh këtë, Fan Noli sjell në veprën e tij edhe pohimin e Dhimitër Frëngut, sipas të cilit “z. Gjon Kastrioti qe ai që sundoi atë pjesë të Shqipërisë, e cila quhet edhe sot Mati a Vumenishti”. 5) Megjithatë, Fan Noli, duke i përmendur të gjitha këto teza, në variantin e vitit 1949 të veprës së tij mbi heroin tonë kombëtar, shkruan: “Me këto dëshmime parasysh mund të konkludojmë se çështja e llagapit të Kastriotëve mund të quhet e shkoqitur në një mënyrë mjaft të kënaqshme”. 6)
Rreth këtyre tre tezave kanë polemizuar historianët shqiptarë gjatë gjithë shekullit XX e deri në ditët tona, në agimet e shekullit XXI. Në grupin e historianëve që mbronin tezën se vendorigjina e Kastriotëve duhet kërkuar në Has të Kukësit, hynte edhe më i madhi i gjysmës së dytë të shekullit XX- Aleks Buda, edhe pse, me ndonjë parashtrim të tij, e kundërshton këtë.
Grup tjetër përbëjnë ata historianë që e kërkojnë vendorigjinën e Kastriotëve në fshatin Kastriot të Dibrës, ku hyn në ditët tona Kristo Frashëri e të tjerë. Dhe janë më të paktë ata historianë që mbështesin tezën e Marin Barletit, i cili e kërkonte origjinën e Kastriotëve në Mat, shkruar në trajtën “Aemathia”.
Duke gjykuar mbi tezat kontradiktore për vendorigjinën e familjes princore të Kastriotëve, historiani serioz, por edhe dashamirësi i historisë ka të drejtë të pyesë: Vallë, i kanë analizuar këta historianë të gjitha parashtrimet e gjersotme për vendorigjinën e Kastriotëve?
Dhe përgjigja vjen e menjëhershme: Jo! Janë parashtruar dhe diskutuar vetëm tre teza që janë konsideruar si më të rëndësishmet rreth kësaj çështjeje dhe janë lënë jashtë vëmendjes teza, që mund të argumentohen me më shumë të dhëna nga historiografia shqiptare dhe nga përsonalitete të shquara në fusha të ndryshme të dijes. E tillë është teza e Athanas Gegës, i cili e vlerëson Kastrin në Vig të Mirditës si vëndorigjinën më të mundshmë të Kastriotëve.
Për të arritur në Kastër të Mirditës etnografike, do të na duhet të bëjmë një rrugë të gjatë nëpër dokumente të ndryshme, duke sjellë përsëri teza e antiteza mbi vendorigjinën e familjes princore të Kastriotëve. Dhe le ta nisim shtegtimin tonë për në Kastër me pohimin e historianit Kasem Biçoku, i cili ka theksuar se “Ky lumë (Mati–shënimi im) shërbente si kufi ndarjeje me një tjetër njësi administrative, të ndarë në vilajete, të përfshirë në një regjistër të veçantë të emëruar “Defteri i emrit të Gjonit”. (Gjon Kastrotit), ku gjendeshin të shënuara edhe fshatrat e vilajetit të Dhimitër Jonimës, që shtriheshin nga Lezha në Rubik”. 7)
Ky pohim sikur na thotë prerë se tokat midis rrjedhës së mesme dhe të poshtme të lumit Mat dhe Drin ishin territore të dy fiseve legjendare, disi rivalë midis tyre: Kastriotëve dhe Dukagjinëve. Kësaj ideje i vjen në ndihmë edhe pohimi i historianit Selami Pulaha, i cili kumton se “në vitin 1431 u vunë për herë të parë nën zotërimin e timarit krahinat e përfshira në zotërimet e Gjon Kastriotit e të Gjergj Aranitit në vilajetin e Dhimitër Jonimës (krahina mes Rrëshenit e Lezhës).” 8) Dhe, pas këtij pohimi, ai shton: “Ka mundësi që rregjistrimi të jetë shtrirë në veri, në krahinat e Tanush Dukagjinit, deri në Danjë”. 9), që është cepi veripërëndimor i Mirditës etnografike.
Që në territoret e shtetit të Arbërit, vatra e të cilit ishte Mirdita, banonte edhe fisi i Kastriotëve, na dëshmon edhe akademiku Dhimitër Shuteriqi, kur na sjell një dokumet të përcjellë edhe prej Fan Nolit. Sipas këtij dokumenti Gjon Kastrioti “më 1407 pretendon të ketë kisha të cilat ….. ishin pjesë e peshkopatës së Arbërit. Midis tyre është edhe Shën Mëria e Ndërfanës. Ai thotë se, që prej 800 vjetësh, peshkopata e Arbërit vendosej në tokat e sunduara … prej tij”.10). Duket, pra, se edhe të parët e Gjon Kastriotit ishin nga këto treva, ndryshe nuk do të kujtohej të përmendte një kohë prej 800 vjetësh!
Po le të sjellim edhe një pohim të historianit më të shquar të shekullit XX, Aleks Budës! Ai, duke iu referuar J. Radoniq, pohon qartë: “Sipas të dhënave të një marrveshjeje tregtare me qytetin e Dubrovnikut (1420), tokat që iu përkisnin zotërimeve të Gjon Kastriotit nisnin (vini re: nisnin!) në perëndim në bregdet, në rrethinat e qytetit të Lezhës dhe arrinin deri në rrethinat e Prizrenit, dmth, përfshinin trevën në jug të lumit Drin: Mirditën e Lumën”.11)
Këto ide i gjejmë të shprehura qartë edhe tek historiani Selman Riza në librin “Kosova gjatë shekujve XV-XVII”, kur shkruan: “Sipas burimeve osmane, Kastriotët ishin pronarë të tokave në mes të Shkodrës dhe të Lezhës. Në kohën e Balshajve, sëbashku me Dukagjinët, Kastriotët u shpronësuan, kurse pas vdekjes së Balshës së dytë (1385), u bënë përsëri zotërues të tokave të veta…”. 12) Dhe pas këtyre pohimve lapidare që përbëjnë edhe dokumenta të mirfilltë, nuk ka si të mos besojmë se vendorigjina e Kastriotëve, ashtu si edhe e Dukagjinëve, duhet kërkuar në trevat e Mirditës etnografike!
Për të shkuar drejt Kastrit në Vig të Mirditës, si vendorigjina më e mundshme e familjes princore të Kastriotëve dhe si vëndlindja e Gjergj Kastriotit, na duhet të kujtojmë edhe një tezë që hedh historiani Kasem Biçoku, kur kundërshton që Kastrioti i Dibrës të jetë vatra e hershme e Kastriotëve. Dhe, për ta argumentuar tezën e tij kundërshtuese, shkruan:
“Nevojat e drejtimit të principatës (të Kastriotëve) kërkonin që Gjon Kastrioti dhe familja e tij të mos banonin në viset ekstreme lindore, siç ishin ato të Dibrës, por në një nga qëndrat kryesore të saj, prej nga Gjoni mund të drejtonte e administronte principatën e tij, siç u bë Kruja në kohën e Skëndërbeut”.13)
Kështu, për atë që e njeh sado pak gjeografinë e viseve të Shqipërisë veriore, rezulton se ky historian nuk kundërshton vetëm tezën e Kristo Frashërit, që i bën Kastriotët me origjinë prej fshatit me të njëjtin emër në rrethin e Dibrës, por edhe tezën e tij, sipas të cilës vendorigjina e Kastriotëve duhet kërkuar në Kastrat të Hasit. Sepse edhe Hasi, që asokohe nuk kishte as emër, ishte një krahinë po aq e thellë, sa dhe Kastrioti i Dibrës. Sipas kësaj logjike, duket se “qëndra kryesore” nga Gjon Kastrioti mund të drejtonte dhe administronte principatën e tij, ishte Kastri në Vig të Mirditës.
Gjurmët për në Kastër na çojnë edhe në dritën e të dhënave që sjellin dy historianët më në zë që janë marrë me origjinën e Kastriotëve: Fan Noli në variantin e vitit 1921 të Historisë së Skëndërbeut dhe Athanas Gega në veprën “Arbëria, Gjergj Kasrtrioti-Skëndërbeu”. Për në Kastër na çojnë edhe parashtrimet e historianit Selami Pulaha me të dhënat që sjell për territoret ku shtriheshin, sipas tij, Kastriotët. Për në Kastër na çojnë edhe pohimet e udhëtarit freng Ami Bue e të Hahn-nit, edhe pohimet e poetëve të shquar të rilindjes kombëtare Gavril Darës (I Riu), Risto Siliqi e Zef Jubani.
Duke i përmendur të gjithë këta, mbajmë parasysh faktin se idenë mbi origjinën mirditore të Kastriotëve e hodhi i pari historiani austriak Jakob F. Falmerajer. Ky, siç theksohet në librin “Elementi shqiptar në Greqi”, qysh në fillim të shekullit XIX, kishte pohuar qartë se “Kastriotët ishin nga fshati Kastër i Mirditës”. 14) Një pohim i tillë nuk mund të kalohet në heshtje dhe, ca më tepër, të lihet në harresë nga historianët seriozë, kur merrën me vendorigjinën e Kastriotëve!
Nuk mund të lihet në harresë as pohimi i historianit turk Halil Inalçik, i cili ka shkruar se “Nga një shënim në defterin shqiptar lidhur me Skënderbeun mësojmë se në maji të vitit 1438 nëntë katundet nga vilajeti i Dhimitër Jonimës, që i përkisnin Sënderbeut, i ishin dhënë Andrea Karlos… Nëntë katundet në fjalë, me qenë se gjendeshin nëdefterin e Juvan Iliut, janë toka që i përkisnin babait të Skënderbeut”. 15)
Këtë ide duket se e shpreh qartë edhe dijetari Shuflay, i cili, duke bërë fjalë për Gjon Kastriotin, shkruante: “Ivani (Gjon Kastrioti) shfaqet për here të pare në dokumente (1407) si Protektor i Peshkopatës së Arbëri” (“Arbanum”). 16) Të njëjtën gjë na thotë edhe Jereçek, kur shkruan se “Për nga relata kishtare, vendi (tokat e Kastriotëve-shënimi im) i përkiste pjesërisht Peshkopatës katolike të Arbërit “Arbanum-it”), pjesa tjetër kishës serbe, prej ku kemi dhuratat që Ivan Kastrioti i bëri manastirit Hillandër, të themeluar nga serbi Nemanja”.17)
Këto pohime thonë shumë për vendorigjinën e Kastriotëve, kur mbajmë parasysh faktin që Mirdita, siç kanë pohuar shumë përsonalitete të njohuura të botës intelektuale në Shqipëri, ka qenë bërthama e Shtetit mesjetar të Arbërit. Se jo më kot arkeologu i shquar Neritan Ceka, duke folur për Mirditën, sjell në vëmendjen e historianëve teorinë e studiuesit gjerman G. Shtadmyler, sipas të cilës “kjo trevë përbën bërthamën qendrore ku u formua gjatë mesjetës popullsia arbërore”. 18)
Një pohim të tillë, pothuaj, e bën edhe Prof. Dr. Muzafer Korkuti, i cili, në një intervistë dhënë një studiuesi të njohur mirditor, theksonte se mbishkrimi në Kishën e Gëziqit e mbështet tezën se“Mirdita ka qenë qendra e Shtetit të Arbërit”. 18) Dhe parashtrime të tilla vështirë të mos e vënë në mendime historianin, kur ai tenton të merret me vendorigjinëb e Kastriotëve!
LITERATURA 1
1. F. Noli, v. 4, faqe 237
2. “ “ Po aty, f. 238
3. “ “ Po aty, f. 238
4. Historia e Shqipërisë I, f. 247
5. F. Noli, v.4, f, 63
6. F Noli, Historia e Skendërbeut, 1949, f. 15
7. Kasem Biçoku: Revista “Monumenti”, I, 1982, f. 42
8. Selami Pulaha: Konferenca e Dytë Komb. e Studimeve Albanologjike, I f. 47
9. “ “ (Po aty f. 47)
10. Dh. Shuteriqi: Almanaku “Mirdita”1, f. 41
11. A. Buda, Shkrime historike, f. 201
12. Selman Riza: “Kosova gjatë shekujve XV-XVII”, f. 19
13. Kasem Biçoku: “Studime për epokën e Skëndërbeut”, v. II, f. 456-466
14. “Elementi shqiptar në Greqi”, f. 167)
15. Halil Inalçik: “Kosova gjatë shekujve XV-XVII”, f. 125)
16. Shuflay: “Illirische-Albanische Vergangen”, f. 240
17. Jeriçek: “Albanien in Vergagensit”. f. 81
18. G. Shtadmyler: “E vërteta mbi shqiptarët”, f. 4
19. Gjon Marku: Antologji e mendimit të sotëm për Mirditën”, f. 354
2. FAN NOLI, ATHANS GEGA DHE TË TJERË PËR KASTRIN, SI VATËR E HERSHME E KASTRIOTËVE
Historianët, që synojnë të zbulojnë të vërtetat e mëdha për ngjarje të rëndësishme e përsonalitete të mëdhenj, sikur u ngjajnë bletëve punëtore, të cilat e mbledhin nektarin në lule të ndryshme. Ata, duke gërmuar nëpër dokumente e libra të ndryshme, analizojnë e krahasojnë të dhënat që kanë mbledhur, për t’i dhënë opinionit publik të vërtetat e mëdha dhe jo grimca të dhënash, që nuk na japin të tërën që kërkon logjika historike. Por kjo nuk ka ndodhur kur është folur, veçananërisht, për vendorigjinën e familjes princore të Kastriotëve, sepse disa fakte tepër të rëndësishme pët historianin janë lënë në harresë, kurse të tjera janë interpretuar në mënyrë të dyshimtë.
Kështu, kur është folur për vendorigjinën e Kastriotëve, janë lënë jashtë vëmendjes, përveç atyre që u përmenden, shumë të dhëna që sjell Fan Noli në variantin e vitit 1921 të Historisë së Skënderbeut, siç janë lënë pa kujtuar edhe shumë parashtrime për vendorigjinën e Kastriotëve të Athanas Gegës, të poetëve Gavril Dara i Riu dhe Risto Siliqi e të rilindasit Zef Jubani. Se nuk mund të kalohet lehtë pohimi i Fan Nolit, sipas të cilit “Mirditën dhe Hasin i kishte Gjon Kastrioti, po Barleti s’ua përmend emrat fare dhe i përmbledh me emrin e përgjithshëm Aemathia”.1)
Ky pohim do kuptuar thellë, sepse pasqyron një të vërtetë të madhe: Të vërtetën që Mirdita, si djepi i Dukagjinëve legjendarë, rrënjët e të cilëve duken, të paktën, që në shekullin e 7- të të kohës se re, shtrihej, si “Dukagjini i vërtetë”, edhe në Has e më tej. Për këtë dëshmon fakti që “banorët e Hasit, edhe sot e kësaj dite, e quajnë veten dukagjinas dhe krahinën e tyre-Dukagjin” 2).
Lidhur me këtë, nuk mund të anashkalohet edhe gjykimi nolian se “Aemathia e Barletit ka qenë, që nga koha e tij e gjer sot, një burim lajthitjesh, se me këtë emër quhej në kohët e vjetra Maqedonia Jugore dhe, shpesh, tërë Maqedonia”. 3) Këto “lajthitje”, siç e ka konstatuar me kohë Dhimitër Shuteriqi, kanë bërë që jo vetëm Barleti, por dhe historianë të tjerë, t`i atribuojnë Matit ngjarje e përsonalitete që lidhën me Mirditën. Për këtë mjafton të sjellim vetëm citimin e Atë Giuseppe (Zef) Valentini, i cili shkruante:
“Sipas Barletit, projë (mbrojtës ose prijës-shënimi im) e Sfetigradit kanë qenë ndër duar të nji abati të Shën Lleshit në zonën e Matës, i cili ishte prej familjes së zotnive të Përlatit” 4), ndërkohë që kisha e Shën Lleshit gjendet në Orosh të Mirditës, ashtu si edhe fshati Përlat, i cili nuk shtrihet në rajonin Matit!
Për rrjedhojë, studiuesit serioz të historisë së Heroit tonë kombëtar i mbetet t`u japë të drejtë historianëve tanë të shquar: Aleks Buda, Selman Riza, Kasem Biçoku, Selami Pulaha e Dhimitër Shuteriqi, të cilët emrin e Gjon Kastriotit e lidhin më shumë me Mirditën dhe jo me Matin e Kastriotin e Dibrës! Dhe kjo ide përforcohet kur Fan Noli, duke folur për vendorigjinen e Kastriotëve, thotë: “Në Dibër të Poshtme ka një katund të quajtur Kastriot, por nuk dihet a e ka marrë emrin katundi nga Kastriotët, apo Kastriotët nga katundi”.5) Dhe a nuk është ky gjykim, në një fare mënyre, një mohim i tezës që i nxjerr Kastriotët me origjinë nga një fshat me të njëjtin emër që shtrihet në rrethin e Dibrës?!
Fan Noli, në variantin e parë të Historisë së Skënderbeut të vitit 1921, si pa dashur, sikur kundërshton edhe tezën që i bën Kastriotët me origjinë nga një Kastrat i Hasit. Këtë historiani ynë e bën kur shkruan se “Thaloc dhe Jeriçek (në veprën “Zwei Urkunden aus Nordalbanien”-shënimi im) e quajnë përallë sllavërinë e Kastriotëve dhe shtojnë se llagapi i tyre… tregon se i kishin rrënjët nga një fshat i quajtur Kastri”.6) Dhe a nuk duhet ta mbajnë parasysh këtë gjykim ata historianë që merren me vendorigjinën e Kastriotëve?! Se fshat me emrin “Kastër” ose “Kastri” në trojet shqiptare ka vetëm në Mirditë!
Tezën që i bën Kastriotët nga një fshat me emrin Kastrat në rrethinat e Hasit, Fan Noli, përsëri si pa dashur, e kundërshton kur pohon, si edhe historianë të tjerë, se është vështirë të dalë nga një “Kastrat”, qoftë ky i Hasit, apo i Shkodrës, mbiemri “Kastriot”. Këtë e bën kur shkruan se “Etimologjikisht është shumë e rëndë që të dalë llagapi Kastriot nga një Kastrat”. 7) Dhe duket se historiani, duke iu referuar logjikës gjuhësore e historike, i bën të mendohen thellë pasardhësit, kur u kujton se “fshatra me emrin Kastri ka sot në Shqipëri një në Çamëri dhe një në Mirditë, (Kastri-Shënimi im) afër Drinit”.8)
Duke gjykuar mbi tezat kontradiktore rreth vendorigjinës së familjes princore të Kastriotëve, Fan Noli thotë se “Të gjitha dëshmimet e ndryshme që numëruam sipër, mund t’i përmbledhim e t’i pajtojmë kështu: Kastriotët rrjedhin nga katundi Kastriot i Dibrës, ose nga një fshat i quajtur Kastria, që ndodhej a në Mat a në Mirditë, a në Has a pranë Mazarekut (Mazrekut-shenimi im) a në Kastrat, sidomos në Malësitë afër Drinit”. 9) Dhe, pasi fshat me emrin Kastri – a nuk ka as në Has, as në Kastriot të Dibrës, as në Mat, por vëtëm në Vig të Mirditës, i duhet besuar tezës, që i nxjerr Kastriotët nga treva e Mirditës etnografike.
Dhe ai që e thotë me zë të lartë këtë të vërtetë është prifti historian Athans Gega, të cilin Fan Noli e quan njohësin më të mirë të historisë së Gjergj Kastriotit. Ky historian, në veprën e tij “Arbëria, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu”, hedh dritë mbi vendorigjinën e Kastriotëve duke dëshmuar, së pari, se “Kastriotët zotëronin …. territorin e përfshirë në verilindje të Shkodrës dhe të Lezhës e deri në Prizren” 10), pohim i bërë edhe nga disa historian të tjerë.
Dhe, së dyti, për ta bërë më të qartë mendimin e tij, historiani vazhdon: “Në perëndim shtriheshin pronat e Dukagjinit, që përfshinin fushat e Zadrimës dhe lokalitetin e Fanit”.11) Dhe shkon më tej autori, duke i vënë në mendime pasardhësit, kur thekson se “nuk mund të përcaktojmë me saktësi kufinjtë që ndanin pronat e këtyre dy familjeve” (të Kastriotëve dhe të Dukagjinëve-shënimi im). 12)
Të njëjtën ide për fqinjësinë e Kastriotëve dhe te Dukagjinëve përcjellin edhe gojdhënat e ndryshme që qarkullojnë në Mirditë në rrjedhën e shekujve. Për këtë etnologu Mark Tirta – Akademik, sjell një gojdhënë të mbledhur në fshatin Pëshqesh të Mirditës, në të cilën pohohet se “Mirdita ka shkuar me zotërimet e Skënderbeut, por këtu ka sunduar Lekë Dukagjini (deri në tre bajrakët e Mirditës së fisit)”.13)
Dhe kjo ndodhte, siç thoshte gojëdhëna, sepse “Kufijtë midis Dukagjinit e zotërimeve të Skënderbeut nuk ishin të caktuara”.13). Kësaj ideje i vjen në ndihmë edhe konkluzioni i A. Gegës, i cili pohon qartë: “Kështu arrijmë në përfundimin se Mirdita bënte pjesë në zotërimet e Kastriotëve. Por nuk duhet harruar që Fani (njëri nga bajrakët e Mirditës etnografike-shënimi im) u takonte Dukagjinasve”.14)
Kështu, gjersa, “sipas burimeve osmane, Kastriotët ishin pronarë të tokave në mes Shkodrës dhe Lezhës”, 15) siç shkruan Skënder Riza; gjersa, siç pohom historiani Aleks Buda “tokat që iu përkisnin zotërimeve të Gjon Kastriotit,… përfshinin trevën në jug të lumit Drin: Mirditën e Lumën” 16), gjersa, siç kumton A. Gega, “sipas një dokumenti venecian të vitit 1439, pronat e Kastriotëve ishin fqinjë me Shkodrën dhe Lezhën”; 17) gjersa, siç thotë Fan Noli, “Mirditën dhe Hasin i kishte Gjon Kastrioti” 18), atëherë edhe Gjergj Kastrioti, i biri i Gjonit, diku në pronat e babait të tij do ketë lindur më 1405, të cilat duket se i përkasin qartë Mirditës etnografike.
Dhe duket se kurorën e këtij mendimi ia vë historiania turke Nuray Bozbora, e cilia në veprën “Shqipëria dhe nacionalizmi shqiptar në perandorinë osmane”, na thotë: “Skënderbeu ishte më i vogli i tre djemve (duhej thënë katër-shënimi im) të Gjon Kastriotit, kreu i familjes Kastrioti, që njihej si një nga princat katolikë të rajonit të Mirditës”.19)
Ky pohim përbën një monument, i cili nuk mund të rrëzohet lehtë, sepse studiuesi i epokës Skëndërbejane e di që krahinat e ndëryshme të Shqipërisë e, veçanërisht ato të malësive, princat i kishin vëndas. Ato nuk mund t`i “importonin”, siç mund të ndodhë në kohët modern! Për rrjedhojë, nuk mund të mendohet që Gjon Kastrioti të ishte nga Hasi, nga Kastrioti i Dibrës, apo nga Mati dhe të vinte princ në Mirditë! Kjo bëhet më bindëse kur mbajmë parasysh faktin që Gjon Kastrioti ishte kreu i kësaj familje legjendare dhe jo një “Kastriotas” çfarëdo. Këto troje Gjon Kastërioti, qysh në 1407, i quante toka të fisit të vet prej shekujsh, siç dëshmon, indirekt, akademiku Dh. Shuteriqi.
Ndoshta, këto të vërteta i dinte A. Gega, kur në temën e doktoraturës, në universitetin e Luvrit, deklaronte: “Mbiemri Kastrioti… që ka mbijetuar në histori, lidhet më shumë me lokalitetin (fshatin-shënimi im) e Kastrit në Mirditë, që ndodhet midis fshatrave të Dibrit, (Dibri si bajrak i mëvonshëm i Mirditës-shënimi im) Mnelës, Kashnjetit e Vigut, se sa me lokalitete të tjera, që kanë të njëjtin emër”. 20) Të njëjtën tezë duket se mbron edhe Atë Giuseppe Valentini, kur Dibrin, trevën nga Vigu në Kaçinar të Mirditës e quan “tokë të Kastriotëve”. Këto pohime tregojnë se edhe emërtimi “Gjon Dibrani” nuk ka të bëjë me Dibrën buzë Drnit, po me Dibrin, që njihet si bajraku i katërt Mirditës.
Dhe teza e Athanas Gegës, të cilin Fan Noli e quan njohësin më të mirë të historisë së Skënderbeut, si edhe pohimi i Giuseppe Valentinit, duket se i mohojnë prerë tezat mbi origjinën e Kastriotëve nga Hasi i Kukësit, nga Kastrioti i Dibrës, apo nga Mati, të cilat janë përmendur si vëndorigjina të mundshme të këtij fisi të lavdishëm ne historinë e Shqipërisë.
Tezës së A. Gegës, i cili e konsideron Kastrin në Vig të Mirditës si vatrën qëndrore të Kastriotëve, duket se i vijnë në ndihmë edhe dy fakte: Së pari, një pohim i historianit Mikel Prenushi, i cili duket se zotëron një dokument interesant, sipas të cilit Gjergj Kastrioti, ka vënë kurorë pikërisht në Kastër, afër Vigut; së dyti, fakti që Gjergj Kastrioti u varros në Kishën e Shën-Kollit në Lezhë dhe jo në Has të Kukësit, në Kastriot të Dibrës, apo në Mat, siç ka qënë dhe është në zakonet dhe besimet e katolikëve.
Për historianin e vëmendshëm ky fakt nuk duket kaluar pa një analizë të hollë të fenomenit, kur dimë se një udhëheqës i përmasave të mëdha, si Gjergj Kastrioti, mund të linte si amanet ta varrosnin edhe në kështjellën e Krujës, por, ja që duhet menduar se ai zgjodhi Lezhën, afër Kastrit në Vig të Mirditës si banesën e përjetshme të tij!
Me idenë e dokumentit që duket se zotëron historiani M. Prenushi, sipas të cilit Gjergj Kastrioti ka vënë kurorë në Katër, afër Vigut, sikur bashkohet edhe historian gjerman Markus W. E. Petërs. Ky, në veprën “Përballjet e historisë së Kishës Katolike në Shqipëri” (1919-1996), shkruan: “Kisha gotike e Vaut të Dejës, e vetmja e këtij stili në Shqipëri,…ishte kisha në të cilën ishte martuar (kishte vënë kurorë-shënimi im) Heroi kombëtar katolik Gjergj Kastriot Skënderbeu”. 21)
Edhe historiani francez Alen Dysylje, në një kumtesë mbajtur në Konfrencën e Dytë Kombëtare të Studimeve Albanologjike, duket se e dëshmon qartë se vendorigjina e Kastriotëve është Mirdita, kur shkruan:
“Konkluzioni: “Midis rrjedhës së poshtme të Matit dhe të Drinit shtriheshin zotërimet e Kastriotëve dhe të Dukagjinëve, ku Lezha ishte kryeqendër”. 22) Kjo duhet besuar kur mbahet parasysh mendimi i rilindasit Preng Doçi, i cili e quan Lezhën si “cepi i Mirditës”.
Dhe, për të shkuar më tej në gjurmim të vendorigjinës së Kastriotëve, ia vlen të përmendet edhe një pohim i historianit të madh francez Zhan Klod Faveirial, i fiksuar në librin “Historia e Shqipërisë”, botim i “Plejard” i vitit 2004. Ky historian, duke rrëfyer për Heroin tone kombëtar- Gjergj Kastriotin dhe duke hequr paralele midis tij e mbretit të epirotëve-Pirros, i cili e kishte pohuar origjinën e tij epirotase, shkruan:
“Dikur, epirotët e lashtë e kishin quajtur shqiponjë Pirron, sovranin e tyre.-“Po, unë jam shqiponjë, u përgjigj ai, por prej jush jam i tillë! Kjo (do të) ishte pikërisht përgjigja që do t`u jepte Skënderbeu të gjithë shqiptarëve, por mirditorëve në veçanti…”. 23) Pra, ashtu si Pirroja u tha epirotasve se “prej jush jam i tillë”, për të treguar me krenari për vendorigjinën e tij, po ashtu, siç pohon historiani francez, edhe Skënderbeu do t`u thoshte “mirditorëve, në veçanti”: “Po, unë jam shqiponjë, por prej jush jam i tillë”!
Një argument më tepër në favor të tezës që e konsideron Kastrin si vatrën qëndrore të fisit të Kastriotëve dhe si vendlindjen e Gjergj Kastriotit, sikur gjëndet edhe në fushën e dialektologjisë. Për këtë flet fakti që mbiemri “Kastrioti” në të folmen e Mirditës shqiptohej gjer vonë në formën “Kastërjoti”, gjë që na zbulon qartë emrin Kastër në trajtën e pashquar, siç shqiptohet, shpesh, edhe në ditët tona nga mirditorët.
Forma “Kastërjoti” duket se ka qënë zotëruese në gjithë Shqipërinë e veriut, por mbi të, ndoshta, kanë vënë dorë herë historianët e herë gjuhëtarët. Sidoqoftë, me sa duket, i duhet besuar tezës, sipas të cilës mbiemri Kastrioti vjen nga trajta e shquar e nji Kastri, plus prapashtesën-iot, siç ka qënë që herët një traditë e shqipes. Dhe ky Kastër gjëndet vetëm atje ku janë gërmadhat e një kështjelle të vjetër pranë Vigut të Mirditës etnografike!
LITERATURA 2
1. F. Noli, v. 4 faqe 67
2. Fjalori Enciklopedik Shqiptar, botim i vitit 1985, f.362
3. F. Noli, vepra 4, f. 63
4. Giuseppe (Zef) Valentini “Studime dhe tekste për lindjen e krishterë”, f. 24
5. Fan S. Noli, vepra 4, f. 64
6. ‘” “ Po aty f. 66
7. “ “ Po aty f. 64
8. “ “ Po aty f. 67
9. A. Gega, “Arbëria, Gjergj Kastrioti-Skëndërbeu”, f. 44
10. “ “ Po aty f. 44
11. “ “ Po aty f. 44
12. “ “ Po aty, f. 44
13. M. Tirta, “Konf e Dytë e Stud. Albanologjike”, I, f. 509
14. “ “ Po aty f. 509
15. S. Riza; Kosova gjatë sh. XV-XVII”, f. 19
16. A. Buda:”Shkrime historike” 1, f. 201
17. A. Gega, Veper e cituar, f. 48
18. Fan Noli” v. 4, f. 67
19. Nuray Bozbora, “Shqipëria dhe nacionalizmi shqiptar
në perandorinë osmane”, f.75
20. A. Gega, vepër e cituar, f. 44
21. Markus Petërs: “Përballjet e historisë se Kishës katolike në Shqipëri”
(1919-1996), f. 222
22. Alen Dysylje: “Konferenca e Dytë e Studimeve Albanologjike”, v. II, f 125.
23. Zhan Klod Faveirial, “Historia e Shqipërisë”, botim i vitit 2004, f. 418.
3. EDHE GAVRIL DARA I RIU E ZEF JUBANI POHOHOJNË ORIGJINËN MIRDITORE TË KASTRIOTËVE
Duke ecur në kërkim të vendorigjinës së familjes princore të Kastriotëve, të territoreve ku shtrihej fisi i Kastriotëve, pa i vënë qëllim vetes të gjurmoj autorë e vepra të ndryshme, toponime, gojëdhëna e legjenda, që flasin për lidhjet e Gjergj Kastriotit me Mirditën, të cilat nuk mungojnë edhe për trevat fqinje me të, është e domosdoshme të ndalemi tek një tjetër ponim lapidar, për të cilin, çuditërisht, ka heshtur historiografia shqiptare gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX, siç po hesht edhe në ditët tona.
Ky pohim na vjen nga përfaqësuesi i madh i Rilindjes Kombëtare Shqipëtare – Gavril Dara i Riu, i cili, në një jetëshkrim të tij, duke folur për të ardhurit në Palac Adriano të Italisë fill pas vdekjes së Gjergj Kastriotit, shkruante: “Ndër këta, të parët, prindërit e mi, që emërtohen gjer më sot Mërkuri e Njani i Dharenjëve, gjërinj (gjini, fis, gjak-shënimi im) të Kastriotit nga ana e Vojsavës, së jëmës së tij, së biljes (bijës-shënimi im), së Prenkut të Mirditëve”.1)
Kjo e dhënë, e cila është me shumë rëndësi për zbulimin e të vërtetave historike, që kanë të bëjnë me vendorigjinën e Kastriotëve, në një variant tjetër na paraqitet në këtë mënyrë: “Midis tyre, ndër më të parët (që erdhën në Palaco – Adriano-shënimi im) ishin gjyshërit e mi, që përmenden gjer më sot, Mërkuri e Njani i Dharenjëve, gjërinj (gjini,fis, gjak-shënimi im) të Kastriotëve nga ana e Vojsavës, së jëmës së tij, që ishte e bija e princit të Mirditasve”, 2) -variant që nuk ndryshon esencialisht nga varianti i parë e që kërkon të studiohet me vëmendje nga të gjithë ata që merren me çështjen e vendorigjinës së familjes princore të Kastriotëve.
Ky pohim, që është një fragment i autobiografisë së Rilindasit Gaveril Dara i Riu, flet shumë. Ai dëshmon, së pari, se të parët e poetit të madh ishin shpërngulur që herët nga trevat e Mirditës etnografike, pikërisht fill pas vdekjes së Gjergj Kastriotit, atëherë kur invadorët turq kishin pushtuar qytetin e Shkodrës-portën veripërendimore të Mirditës etnografike e po suleshin drejt maleve të saj, duke djegur e shkatërruar gjithshka.
Së dyti, duke treguar se të parët e poetit Gravil Dara i Riu kishin zbritur në Palac-Adriano më 1482, 3) ai bëhet më i besueshëm se historianët e tjerë që janë marrë me vendorigjinën e Kastriotëve dhe territoret ku shtriheshin ata, sepse kemi të bëjmë me një njeri të ditur, që na rezulton pinjoll i lavdishëm i një dere princore të Mirditës, ose i një shtëpie të parë, i cili duhet të ketë pasur të dhëna të sakta për fisin e vet, krahasuar me të tjerë historian që janë marrë me këtë çështje.
Kështu Gavril Dara i Riu bëhet më i besueshëm se M. Barleti, i cili e paraqet Vojsavën-nënën e Gjergjit zëmadh, “bijë të princit të Tribalëve” 4) – fis që, siç shënon përkthyesi S. Prifti, Barleti i quante “banorë në trevat e Maqedonisë dhe të Bullgarisë së sotme”, “banorë sllavë të këtyre vendeve”.5), siç pohon përkthyesi.
Dhe është më i besueshëm se historianët e tjerë rilindasi ynë i madh, kur na kujton se të parët e tij kishin zbritur nga viset e Mirditës etnografike pikërisht më 1482, vit që përkon me të dhënat e historiografisë shqiptare për emigrimin e madh të Kastriotëve e të Dukagjinëve, po në këtë mot, kryesisht drejt Italisë. Këtë të dhënë, ndoshta, as M. Barleti, as Fan Noli nuk e dispononin.
Çështja, pra, duhet kuptuar e analizuar me përgjegjësinë e historianit objektiv, kur na thuhet qartë e prerë se Gavril Dara i Riu ishte fis, gjak e gjini me Kastriotët nga e ëma e Gjergjit-Vojsava, që ishte “bijë e princit të Mirditasve”. Çdo interpretim, që kërkon të hedhë hije mbi këtë të vërtetë, nuk mund të qëndrojë përpara logjikës së fakteve, kur mbajmë parasysh se kemi të bëjmë me të dhënat e një njeriu të ditur e të përgjegjshëm, jo vetëm për fisin e tij, por edhe për çështjen kombëtare.
Askush më mirë se vetë poeti nuk mund të flasë për fisin e vet, kur ai, me të dhënat që na sjell, shkon më tej se M. Barleti në kohë. Askush nuk ka të drejtë të thotë se një njeri kaq i ditur dhe kaq i interesuar për fatet e kombit të vet, mund të ketë fantazuar për ta paraqitur Vojsavën si bijë të një princi mirditas, siç bën poeti në shënimet autobiografike në hyrje të poemës madhore “Kënga e Sprasme e Balës”. Ca më tepër duhet theksuar kjo, kur dimë se emri Mirditë në ato mote fshihej shpesh pas emrit Dukagjin, vatër e të cilit ishte Mirdita që nga shekulli VII e më herët.
Origjina mirditore e Vojsavës, që është vështirë të kundërshtohet pa sjellë dokumente më të besueshme se të dhënat e Gavril Dara i Riu, do ta nxirrte Gjergj Kastriotin vetëm nip Mirdite, po t’i besohej tezës që e redukton Mirditën fillestare në një zonë të ngushtë, siç mund të ishte Grykë-Oroshi dhe Kodra e Mashtërkorëve. Por, për të shkuar më tej në kërkim të së vërtetës historike, në kërkim të vatrës qëndrore të Kastriotëve, na vinë në ndihmë edhe pohime të historianëve të ndryshëm në trajtën e legjendave, ose të supozimeve, që kanë brënda tyre “grimca” të të vërtetave të mëdha!
Kështu historiani K. Frashëri, si edhe të tjerë, përmend që “… udhëtari freng Ami Bue, shkruante se kishte dëgjuar që Skëndërbeu kishte lindur në fshatin Kastër të Mirditës,… gjysmë ore larg fshatit të sotëm Vig”.6). Këtë pohim na e kujton edhe albanologu gjerman Johan Von Hahn, kur flet për “zbulimin” e “një vendlindjeje të re të Skëndërbeut”, 7) diku afër një kështjelle të vjetër, në fshatin Kastër të Mirditës. Po këtë të vërtetë pohon edhe A. Gega, kur shkruan se “Duhet pranuar se mbiemri Kastriot vjen nga Kastri me origjinë romake”.8)
Duket, pra, se Prenku i Mirditës, që nga historianë të ndryshëm quhet princi i kësaj treve, e martoi të bijën-Vojsavën, me një Kastriotas-Gjonin, të fshatit Kastër, tek një derë tjetër princore, ose tek një tjetër shtëpi e parë, siç ishte e modës në atë shekull, por edhe siç ishte në zakonet e kësaj treve. Dhe, duke i bashkuar natyrshëm të dhënat që sjell Gavril Dara i Riu për Vojsavën dhe fisin e vet, me pohimin e A. Gegës, sipas të cilit “mbiemri Kastriot, që ka mbijetuar në histori, lidhet më shumë me lokalitetin (fshatin- shënimi im) e Kastrit në Mirditë, ….. se sa me lokalitete të tjera, që kanë të njëjtin emër”, 9) bindeni se vendorigjina e Kastriotëve duhet konsideruar Mirdita etnografike.
Për këtë të vërtetë na dëshmon edhe një rilindës tjetër i shquar-Zef Jubani. Nëpërmjet ca vargjeve lapidarë, të cilët nuk mund të konsiderohen “pjellë e fantazisë” së tij, por pasqyrë e të vërtetave historike, ky rilindas na çon bash tek vendorigjina e Kastriotëve, në Kastër të Mirditës, kur shkruan:
“Leu nji yll në Shqipni,
Me na shndritë, me na drejtue;
Me shumë dije e me trimni,
Andej Kastrit asht shenjue:
Gjergj Kastrioti këtij i thonë,
Skënderbeg shumëkush donë”! 10)
Një argument më tepër në favor të tezës që e konsideron Mirditën si vatër të fisit të Kastriotëve, mund të konsiderohet edhe fakti që bashkëluftëtarë të Gjergj Kastriotit në betejat legjendare kundër turqve, përveç të tjerëve, ishin edhe Pal, Lekë e Nikoll Dukagjini, që i kishin zotërimet e tyre në trevat e Mirditës, Pjetër, Ndre e Gjon Përlati nga fshati Përlat i Mirditës, Pal e Gjergj Kuka nga fshati Shebe i kësaj krahine, Kojë Zaharia – nipi i Tanush Dukagjinit, vëllezërit e lavdishëm Gjon, Pal dhe Andrea Gazulli, bij të fshatit Gazull, fare afër Kastrit në Vig të Mirditës.11) Nuk besojmë që kryetrimi të ketë pasur kaq bashkëluftëtarë të lavdishëm nga ndonjë trevë tjetër e Shqipërisë, sa nga ajo e Mirditës etnografike!
Edhe rrjedha e mëvonshme e historisë, veçanërisht e historisë së trevës së Mirditës, sikur i vjen në ndihmë tezës mbi origjinën mirditore të Kastriotëve. Për këtë flet fakti që Mirdita jo vetëm e trashëgoi, por dhe e përdori si flamur të saj flamurin e Gjergj Kastriotit edhe në periudhën e rëndë të robërisë turke, deri edhe si duvak për nuset mirditore.
Këtë e pohon edhe Doktori i shkencave historike Pal Doçi, kur kujton se edhe udhëtari frëng Ami Bue shkruante: “Flamujt e tij (të Skëndërbeut) ishin të kuq me shqiponjën e zezë me dy krerë, sikundër e kanë edhe mirditasit” 12). Edhe pohimi i kryengritësve mirditorë në protestën drejtuar Valiut të Shkodrës në vitin 1901, ku shkruhet se “flamuri ynë do të jetë ai i Gjergj Kastriotit, që, prej kohësh, valëvitet në majat e zbardhura nga bora e Shën- Palit”, 13) të njëjtën gjë vërteton.
Për të vërtetën që flamuri i mirditasve, si pasardhës dhe vazhdues autentikë të Dukagjinasve, ishte pothuaj, si ai i Kastriotëve, (ose anasjelltas) na dëshmon krahasimi midis Stemës së Dukagjinëve e të Kastriotëve me flamurin e Mirditës, të ruajtur pikërisht afër Kastrit të Mirditës- në fshatin Kashnjet: Eshtë e njëjta shqiponjë dykrenare, me krahë të nderë, paralel me trupin e shqiponjës, me ndonjë stilizim të lehtë.
Ndoshta këto të vërteta i ka ditur poeti i Rilindjes Kombëtare-Risto Siliqi, kur e ka quajtur Mirditën “trimneshë e dheut”, dhe “I Arbërisë fis i kryekreut”, që vuajti prova, por s’i mbeti shtegut “Dhe ia mbajti jazin Skëndërbegut” 14), duke dëshmuar edhe ky rilindës i shquar se Mirdita është vendorigjina e Kastriotëve!
Se nuk mund të jetë rastësi që një krahinë e tillë, krahas Himarës në Jug, të mbetej në shekuj vatër e qëndresës antiosmane dhe një ishull i rrallë i katolicizmit në një popull, 75% e të cilit ishte islamizuar. Për rrjedhojë, nuk është qyteti i Shkodrës “kryeqytet i katolicizmit” në Shqipëri, siç pohojnë ca studiues, por Mirdita! Dhe kështjellë e lirisë, kështjellë e katolicizmit në këto anë, nuk qenë thjeshtë malet, por zemrat e mirditorëve, ku rridhte gjaku i kuq i Dukagjinëve dhe i Kastriotëve legjendarë!. Se nuk fantazonte as poeti zëëmbël Lasgush Pradeci, kur vjershëronte:
“S`hyn dot ti turk e turqeli
Në kullat mirditore;
Të prêt në pritë e në frëgji
Mirdita pushkëmizore”! 15)
Edhe legjenda për shaminë e zezë që kanë përdorë vajzat dhe grate mirditore, e cila është unikale në Ballkan e më gjërë, sikur i kapërcen kufinjtë e legjendës, kur shpjegohet e lidhur ngusht me fatet historike të kësaj treve. Se ajo na thotë që shaminë e zezë vajzat dhe grate mirditore e vunë mbi kokë pikërisht atëherë kur vdiq Gjergj Kastrioti, ai që u kishte mbrojtur nderin dhe lirinë në vitet e robërisë turke!
Për këto të vërteta duket se bën fjalë, disi në formë fluide, edhe studjuesi e poeti Moikom Zeqo-Mjeshtër i Madh i Punës- në një shkrim kushtuar papës me origjinë shqiptare Klementi XI-Albani, ku flet për kuvendin e Arbërit, i cili u mblodh në fshatin Mërçi të rrethit të Lezhës më 14-15 janar të vitit 1703, pikërisht në një fshat të banuar edhe sot e kësaj dite nga mirditorët. Ky studiues, pasi e vlerëson këtë kuvend si një nga ngjarjet më të mëdha të historisë kulturore të Shqipërisë në shekullin XVIII, shtron ca pyetje që tingëllojnë edhe si teza, të cilat duken se “miratojnë” parashtrimet tona për familjet legjendare të Dukagjinëve dhe Kastriotëve:
“Përse u zgjodh pikërisht fshati Mërçi pranë Lezhës-pyet autori, si vëndi më i përshtatshëm për Kuvëndin e Arbërit? Pse pikërisht ky vënd dhe jo ndonjë vënd tjetër?- e vijon më tej pyetjen ai. A ka të bëjë zgjedhja e këtij vëndi historik-vazhdon përsëri studjuesi-me evokimin e mrekullueshëm dhe të paharruar të Atletit të Krishtit Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, që mbylli sytë pikërisht në Lezhë?”16).
Dhe përgjigjet nënkuptohen: Kuvëndi i Arbërit u mblodh pikërisht afër qytetit të Lezhës, ku Gjergj Kastrioti kishte organizuar beslidhjen e madhe të shqiptarëve kundër turqve, pikërisht afër Kastrit, i cili na rezulton, siç pohojnë historianët, vatra e familjes princore të Kastriotëve. Kuvëndi i Arbërit u mblodh pikërisht brenda atyre territoreve që njiheshin si territoret e Arbërit mesjetar, që shtriheshin midis lumenjve Drin e Mat e që shkonin gjer përtej Pashtrikut, territore që u përkisnin dy familjeve: Dukagjinëve dhe Kastriotëve.
Dhe të gjitha këto bëheshin për të ripërtërirë epokën skënderbejane pikërisht në ato troje, ku lindi kryetrimi, ku u kurorëzua, ku organizoi besëlidhjen shqiptare dhe ku mbylli sytë përjetë, duke mbetur një yll i pashuar në qiellin e historisë së kombit Shqiptar!
LITERATURA 3
1. Shkrimtarë shqiptarë, 1941 f. 312
2. Gavril Dara i Riu “Kënga e Sprasme e Balës”, 1961, f. 20
3. Shkrimtarë shqiptarë, vepër e cituar, f. 312
4. M. Barleti, Histori e Skënderbeut, 1964 f. 50
5. Po aty f. 50
6. K. Frashëri, Studime për epokën e Skënderbeut, III, f. 466
7. J. V. Hahn, Udhëtim nëpër viset e Drinit e të Vardarit, f. 108
8. A. Gega, vepër e cituar, f. 147
9. Po aty f. 44
10. “Antologji për Skënderbeun”, f. 33
11. A. Hashorva, Bashkëluftëtarë të Skënderbeut.
12. P. Doçi, Vetqeverisja e Mirditës f. 62
13. Po aty, f. 63
14. R. Siliqi, Vepra, f. 91
15. poradeci, vepra, f. 286
16. Gazeta Shekulli, 20.03 2004.