Mishel Platini, njeriu që diti të fitojë urrejtjen
Ndërmjet viteve 2006 -2007, kur Mishel Platini vendosi të kandidojë për postin e kreut të UEFA-s, spontanisht dhe me lirshmëri, ai i kërkoi edhe Armando Dukës, shefit të futbollit shqiptar, votën e vendit të tij. Ishte një periudhë e vështirë për Mishelin. Përballë kishte një nga ujqërit e vjetër të administratës së futbollit, plakushin suedez Leart Johanson, i cili sipas të gjitha gjasave do t’i nënshtrohej rregullit të vjetër: presidenti në detyrë që kontrollon aparatin, shpallet gjithnjë fitues. Për të prishur këtë rregull Platini nisi një fushatë të vërtetë, sidomos në vendet e vogla të lindjes ish komuniste, për të marrë votën e tyre.
“Unë thashë një po pa u menduar mirë,” – ka komentuar më pas Armand Duka-, “ndoshta i impresionuar nga fakti se një emër i madh, një futbollist i këtij kalibri, po më kërkonte mua votën e Shqipërisë”. Po kështu u tha dhe kështu u bë. Me një po më shumë në xhep, Misheli u nis për tjetër kund. Joshës dhe simpatik si di të jetë vetëm ai.
Në shtypin francez sot përmendet një anekdodë. Ajo për mënyrën se si e joshi kreun e Federatës Maqedonase të futbollit, Darko Pancev, të votonte për të. Gjatë fushatës Platini mori vesh se Pancev, i cili në vitin e largët 1991, atëherë kur Jugosllavia ekzistonte ende, ishte shpallur “Këpuca e Artë”, një trofe që i jepet golashënuesit më të mrë të kontinentit. Pra Platini mori vesh se për shkak të trazirave politike që shpërthyen në vendin e tij, Pancev nuk arriti ta marrë kurrë këtë trofe. Ai e bëri këpucën e artë me shpenzimet e veta personale dhe organizoi në Shkup, në 4 gusht të vitit 2006, një ceremoni të madhe për t’ia dorzuar Darko Pançevit, shefit të Federatës Maqedonase dhe votuesit të nesërm të tij, “këpucën e artë”.
Kështu në 25 janar 2007, me votën e maqedonasve, por edhe me votën e shqiptarëve, Mishel Platini e mundi, 27 me 23, ujkun e vjetër Johanson. Ai u kurorëzua i gjashti president i UEFA-s.
Natyrisht përtej lobingut, Platini e mori votën shqiptare edhe me famën e tij të madhe si futbollist, që për ta ndjekur shqiptarët kishin vënë antenna dhe shpikur kanoçe. Atëherë ai ishte një idhull në këtë vend. E kishte vizituar Tiranën në fund të vitit ‘90 si trajner i Kombëtares Franceze e pastaj edhe dhjetë vite më pas si përfaqësues i FIFA-s. Me devizën me të cilën u ngrit në krye të UEFA-s, si ndihmës i futbollit të vendeve të vogla, ai nuk kish si të mos qe një idhull.
Por sot shumë gjëra kanë ndryshuar. Ai është shndërruar në ikonën më të urryer të botës së futbollit për shqiptarët. Një poster që po merr mijëra like në Facebook tregon aktorin e vogël të filmit “Taulanti kërkon një motër” mbi foton e të cilit është shkruar: “Taulanti kërkon motrën e Platinisë”. Dhe e gjitha kjo pas një deklarate të zezë për dronin dhe qëndrimin që mbajti për ndeshjen Serbi – Shqipëri.