Mitet dhe qytetërimi
Me hyrjen e shpejtë të teknologjisë moderne, studimin dhe zbulimin e fakteve shkencore, duket sikur njeriut i japin të drejtën për ta patur botën në dorë. E në këtë pikë mitologjia shihet si diçka më pak thelbësore në zhvillimin intelektual të secilit, sikur epoka e miteve është drejt shuarjes. Por nuk është kështu. Në mënyrë të vetëdijshme apo të pavetëdijshme, njeriu gjithsesi tërhiqet për t`u fshehur në figurshmërinë e miteve. Mitet përmbajnë një kozmologji nga më të plotat. Nëpërmjet figurave ato bëjnë të mundur shpjegimin e lëvizjeve të natyrës, si kalimin nga nata në ditë, ciklin e bimësisë dhe rrjedhjen e stinëve, fillimin dhe fundin e çdo jete njerëzore, shkreptimat dhe gjëmimet. Përmes tyre çdo kulturë gjen gjithë shprehjen e vet dhe farkëtohet duke u nisur nga kujtesa e saj, nga traditat dhe zakonet e saj. Fjala mit vjen nga fjala greke mythos, që do të thotë gojëdhënë. Dhe duke i`u referuar mitologjisë greke, më parë se të besojmë shkaqet shkencore të vetëtimave, besojmë në zemërimin e Zeusit. Besojmë se është Poseidoni, perëndia e detit, ai që shkakton shtrëngatat. Nuk besojmë në shkaqet politike e territoriale të marrjes së Trojës, por në të gjithë Evropën u besua se qe kali i drunjtë, me anën e të cilit grekët ngadhënjyen mbi trojanët. Po si interpretohet sot mitologjia? U besohet verbërisht këtyre gojëdhënave, qeshim me to, apo kërkojmë të imitojmë veprimet e perëndive?! Sikur të jetë e vërtetë, që ne sot qeshim me këto gojëdhëna, atëherë pse dendur përdorim shprehjen “thembra e Akilit”? Ja se ç`rrëfim të gjallë, emocionues na sjell Homeri. Akili, heroi grek i përfshirë në luftën kundër trojanëve, nuk është njeri i vdekshëm si të tjerët, por biri i një nereide të njohur, perëndeshës Tetidë dhe i mbretit Peleu, një njeri i thjeshtë dhe I vdekshëm. Akilit I është thënë se do të vdesë i ri, në kulmin e betejës. Tetida kërkon ta kthejë fatin e të birit. Ajo e di se një larje ne Stiks, lumi i Hijeve, në mbretërinë e Hadit, do ta bëjë të paprekshëm. Pra, ajo çon fëmijën në atë botë për ta zhytur në ujërat e errëta të lumit. Por, meqë e mban nga thembra, kjo e fundit mbetet jashtë ujit dhe bëhet i vetmi vend i prekshëm i trupit të Akilit të ri. Akili rri larg luftës për shkak se Agamemnoni, prijësi i grekëve, rrëmben skllaven e bukur Briseida, me të cilën Akili ishte i dashuruar. Vetëm kur trojanët i vrasin shokun më të ngushtë Patroklin, hyn me zemërim të thellë në luftë. Akili në dyluftim vret heroin trojan Hektorin dhe e lidh trupin e tij, duke e tërhequr në pluhur përmes qytetit. Lufta greko-trojane vazhdon, ku një shigjetë e Paridit, vëllai më i vogël i Hektorit, që kishte rrënbyer Helenën e bukur dhe kishte shkaktuar atë luftë, e plagos për vdekje Akilin në thembër. Dhe nëse do të zbresim në rrafshin tokësor, thembra e Akilit përfaqëson fatin dhe dobësinë e çdokujt, Vrasja e Akilit nga një dorë aventurieri dhe jo nga një dorë luftarake, siç ishte Paridi, jep të na tregojë se mund të mposhtemi nga kushdo që e njeh dobesinë tonë, sado të fortë apo hyjnor të jemi. Për t`ju rikthyer fillimit të këtij shkrimi, mbetet të themi se për shumë mistere apo frikëra strukemi në figurshmërinë e miteve, duke gjetur ngushëllim e strehë. Ato bashkëudhëtojnë duke pasuruar qytetërimin tonë.
Valentina KURTI/Mësuese e Gjuhë – Letërsisë në Shkollën 9-vjeçare “Hasan Kala”, Mat