Miti real i të rinjve politikë

 

Shumë të rinj garojnë për të qenë anëtarë të këshillave bashkiakë, ata duket se janë shënjestra primare. Ndoshta sepse e kuptojnë politikën më mirë, ndoshta se përdorin më shumë rrugë informacioni apo ndoshta se manipulohen më thjesht.

Nga Erjon Uka

 

Të rinjtë në politikë tashmë nuk janë më një tabú. Ajo që u pa në listat zgjedhore të 2013 u rikonfirmua edhe në listat e 2015, ku shumë të rinj garojnë për të qenë anëtarë të këshillave bashkiakë. Një tjetër konfirmim që vjen nga kjo fushatë zgjedhore është edhe se shënjestra primare janë të rinjtë. Ndoshta sepse e kuptojnë politikën më mirë, ndoshta se përdorin më shumë rrugë informacioni apo ndoshta se manipulohen më thjesht?

Para disa ditësh lexova një artikull nga një studente mjaft aktive në mbështetje të laburistëve në Angli, Abby Tomlinson, e cila i kundërvihej pohimit të një deputeti konservator se “adoleshentët politikë janë një mit” duke lobuar për të drejtën e 16 vjeçarëve për të votuar në BE. Artikulli i saj më shtyu direkt mendimin te realiteti shqiptar dhe sjellja e politikës me të rinjtë, apo (mos)qëndrimi kritik që mbajnë të rinjtë ndaj politikës. Së pari duhet të ndajmë se çfarë kuptojmë me “adoleshentë politikë”. A është vetëm hedhja e votës në kuti ajo që përcakton nëse të rinjtë janë vërtetë të interesuar për politikën dhe gjithashtu janë kërkues ndaj saj? Apo duhet që këta të rinj të zhvillojnë një tjetër vizion dhe angazhim më idealist ndaj politikës? Sigurisht që idealizmi dhe pragmatizmi janë dy vektorë që nuk mund të pajtohen kurrsesi dhe ndaj duhet bërë dallimi i qartë se për cilin model ideologjik zhvillimor jemi. Unë besoj se të rinjve shqiptarë në këtë moment u duhet një model idealist por realiteti tregon se ata që “merren me politikë”, që nga kupolat drejtuese e deri aspirantët për karrierë, idealizmin politik e shohin si diçka penguese dhe jo formuese.

Para disa vitesh u përhap në popull ideja se “të vjetrit e politikës po na frenojnë zhvillimin” dhe se “duhen të rinj, boll më me këta!” Nga të dy kampet, në zgjedhjet e vitit 2009 e më pas në 2013 pamë se si shumë emra “të vjetër”, disa në moshë e disa në kohën e aktivizimit politik u lanë jashtë parlamentit e shumë prej tyre edhe u distancuan nga organet e partive përkatëse. Pjesa dërrmuese ishin figura me grada shkencore e vite të tëra kontributi në stafet akademike dhe profesionale, dhe ndoshta urtësia e tyre e tepruar shkoi deri aty sa nuk bënë ndonjë shamatë të madhe kur u gjendën jashtë strukturave (Në kontrast kjo më buçimën e të katapultuarve kur interesat u preken sado pak). “E hoqëm më në fund të keqen!” tha shumëkush, por ku jemi sot?  Kemi të rinj politikë, të ndarë në dy degë: ata të dyshuarit për akte kriminale që mbijnë çdo ditë vend e pëllëmbë dhe ata që janë shndërruar në sozi të kryetarëve. Me të kriminalizuarit nuk ia vlen shumë të merresh, së pari sepse nuk është subjekt i këtij shkrimi dhe së dyti sepse është e qartë mënyra si kanë hyrë në politikë dhe kurrë askush nuk ka pasur shpresë tek ata.

Dhe lavdi Zotit europianët  dhe disa media i mbajnë disi sytë hapur dhe ushtrojnë presion për t’i nxjerrë ashtu si kanë hyrë në politikë. Problemi qëndron te të rinjtë premtues e shpresëdhënës, për të cilët Remarku do të thoshte “Asgjë e re nga fronti rinor”. Shohim të njëjtën gjuhë se do bëjnë gjithçka, për të mos bërë asgjë, shumë herë servilizëm, pak herë distancim nga linja zyrtare dhe shumë më pak herë mënyra të reja të të bërit politikë. E thënë troç, teza se zgjidhja që klasa politike shqiptare të bëhet më e përgjegjshme është të largojmë të vjetrit dhe të sjellim të rinjtë, ka dështuar. Personalisht, do preferoja më shumë që në parlament të kishte nja 30 burra me thinja që mund të bënin ndonjë diskutim për problematika konkrete apo plane zhvillimore bazuar në ideologji sesa shumë të rinj, që argëtimin më të madh e kanë të merren me njëri-tjetrin e të futen në çdo skutë të mundshme të jetës private. Ndërsa për klasën e “adoleshentëve politikë” duhet të presim dhe pak, por premisat nuk janë të mira. Kemi shumë të rinj që angazhohen në parti me shpresën e një vendi pune apo e ndonjë paraje të marrë në kohë fushate. Ndërsa pjesa tjetër angazhohen për të bërë karrierë personale, por niveli i suksesit të tyre matet kryesisht me numrin e personave që mund ta ndjekin nga pas. Duke parë koalicionet e këtyre zgjedhjeve më bëri përshtypje një parti. Një parti që nuk e njoh por mesa pashë ishte një grupim i të rinjve dhe pretendonte që të ishte zëri i tyre. Quhej Forca Rinia dhe ishte në koalicionin e majtë. Kjo tregon më së miri se futja nën sqetullën e partive të mëdha, është vetëm një provë e mediokritetit të alternativës politike që po ofrojnë të rinjtë.  Platoni e kishte një zgjidhje për të rigjeneruar klasën politike kur thoshte se "Duhet të fillojë të dërgojmë në fshat të gjithë banorët e qytetit që janë mbi 10 vjeç, dhe pastaj të marrim në zotërim fëmijët, që kështu do të mbrohen nga zakonet e prindërve të tyre. Sepse Republika nuk mund të ndërtohet me njerëz të rinj të korruptuar në çdo rast nga shembulli i të vjetërve." Ndërsa nobelisti portugez Saramago propozon votën e bardhë si kundërpërgjigje ndaj papërgjegjshmërisë politike. A mund të vlejë një zgjidhje platonike apo letraro-artistike për realitetin shqiptar? Rinia duhet të marrë në dorë sa më shumë përgjegjësi dhe shoqëria duhet të ushtrojë presionin e saj duke u distancuar nga akte të turpshme dhe arkaike. Aktivizimi në shoqërinë civile është një shërbim më i vlefshëm ndaj kërkesave të shoqërisë në këto çaste ku vlerat trajtohen si antivlera dhe morali i imoralit arrin të glorifikohet dhe të kthehet në shembullin e dëshirueshëm për t’u ndjekur dhe jo në maskarallëkun për t’u dënuar.

Mapo

SHKARKO APP