Mjerë me qënë besimtar
Nga Ilir Levonja
Në gusht ka sherr në Himarë. Edhe në Dhërmiun e humanistit të madh Petro Marko. Me që jemi tek Himara…, unë kam jetuar aty. Dhe çfarë mbaj mend, ishte që njerëzve ua kishte qejfi të flisnin greqisht. Por kur shaheshin u mbushej gjoksi në shqip. Atyre kohëve Himara ishte e ushtarakëve. Dhe grekofonët i ishin avitur Tiranës. Aty kishte oficerë nga veriu dhe nga jugu. Kryesisht ata që nuk i shikonte mirë qëndra. Kishte dhe xhenjerë fortifikimesh. Kishte edhe bujq që ushqenin me mundim dy fabrika. Të gjithë militonin të ndërtonin socializmin. Madje vendet e kultit apo kalatë e kështjellave, u kishin hedhur ferrat ose u kishin vënë drynin. Ose ose i kishin bërë edhe reparte ushtarake. Sot është perla e sherrit greko-shqiptar. Po bëhet edhe perla e sherrit ortodoksë shqiptarë dhe bazilianë. Apo katolikët e lindjes. Edhe perla e turizmit stratosferik. Himara sado që sot bërtasin, ndërtonte me entuziazëm bunkerë dhe tunele. Bëhej më grusht me pushtetin. Pikërisht përballë armikut në pellgun e jonit. Kështu edhe sot, ndërtojnë me entuziazëm bunkerët e luftës ndaj njëri-tjetrit. Aq sa i ka kapur marrëzia e dasmave ku të gjithë vrapojnë të dorovisin një shesh ahengu. Jo vetveten. Jetën e tyre. Por sherrin e kot. Dhe më e keqja, ose bjerrja e vetvetes fillon kur gjithkush mendon se po i shërben Shqipërisë. Dhe dikush tjetër Greqisë. Dhe dikush tjetër kishës orthodokse. Dhe dikush tjetër kishës katolike. Apo priftërinjëve bazilianë në Himarë. Gjithmonë nën emrin e asaj viraneje që quhet vendosja e së drejtës në vend. E para fillon që nga përpjekjet e një deputeti që hiqet patriot. Nga një kryeministër apo minister kulture që po ashtu hiqen patriotër. (Prishin në terr, në emrin e Maliqit një objekt të betonuar qëllimisht) Nga një opozitë që bëhet po me patriote dhe vrapon sipër gërmadhave duke ngritur një flamur të dalëboje.
Një flamur rreckash mbi një muranë nga ato, që janë shenja në anë të rrugës. Kur ka të tjera punë për të bërë. Në një vend që ka një qeveri që, u tregon drejtimin e duhur qytetarëve. Duke i quajtur refugjatë nga Greqia për shkak të krizës greke. Pastaj nisen me radhë ''patriotë'' profesorë e qytetarë të radhitur si grek, si ortodoks grekë. Mbetën në gojë me të drejttat e njeriut. Pastaj qytetarë shqiptarë, me ''patriotizëm''. E kujt i është kisha, e Thanasit apo Nilo Catalanos. Ashtu sikur është e mënxyrtë përdhosja e eshtrave. Pastaj një peshkop që vrapon në Athinë. Rrëmues dhe kërkues, jo kur erdhi, jo kur vdiq. Jo ishte italian, jo spanjoll. Jo kështu e ashtu. Dhe fatkeqësisht, është thjesht sherr. Grindje, gici-vici. Ja kaq…
Pse mjerë me qënë besimtar? Sepse më shumë se mirësisë po i kushtohen të drejtës boshe që jam grek, shqiptar, italian apo spanjoll. Jemi ortodoksë, jemi katolikë, apo jemi hibrit. Pra po shtohemi e riprodhohemi me mërinë e së drejtës. Gjoja duke luftuar për të drejtën pa pranuar tjetrin. Në hullinë e atyre argumentave që sillni me fakte gjoja…(pasi fakte sjellin të gjithë), për vitet 1500 apo 1600. Se çfarë bënte Thomai dhe çfarë bëri Nilo Catalano. Nga ana tjetër flasim për shtet laik, por shfaqemi arrogantë, gjoja besimtar, gjoja patriotë, gjoja mbrojmë të drejtën. Pse mjerë me qënë besimtar? Sepse po pjellim luftëtarë fanatikë besimesh, se sa besimtarë që të qetojmë hallet apo dertet. Ndërkohë në janar të këtij viti marshuam në Paris kapur krahësh. E megjithatë asnjë nga besimet nuk u ulën e të diskutojnë se çfarë dhe si mund të meremetohet apo t'i kthehet kulturës fetare ai objekt. Ajo mollë e kafshuar nga të gjitha anët. Pse mjerë me qënë besimtar? Sepse ikonat e kishave, ajo qetësia e amëshuar, ajo era drurit të shplodhur kohërash. Po na kthehet në makthin e viteve kur diktatura e njësonte me varrin. Dhe normalisht që mund të pyesim, ku po shkojmë, të falemi apo të vdesim? Pse mjerë me qënë besimtar? Sepse tërësia e atyre viteve që sjellim për argumenta. Përfytyrojeni…, luftra, dyndje, genocide, shpërngulje. Kush? Shqiptarë, grekë, turq, serb, bullgarë, rumunë, vlleh apo çfarë tjetër.
Pse mjerë me qënë shtetarë tani? Qofshi grekër minoritarë, qofshi shqiptarë autoktonë, qofshi vlleh apo bullgarë? Para së gjithash jeni shtetas shqiptarë. Shikojeni kështu ekzistencën tuaj. Dhe të gjithë duhet të kuptoni se patriotizmi më i madh është kur mbroni së pari njëri-tjetrin. Jo duke jetuar në oborrin e njëri-tjetrit dhe duke bërë duvanë e vendit që e konsideroni si vend origjine. Vendi juaj është vendi ku keni varrosur njerëzit tuaj. Ku shkoni i kujtoni. Besimi juaj është besimi që praktikoni realisht duke mos evokuar kohën e mesjetës. Mesjeta përpara se e drejta e gjithkujt prej jush, është turpi i njerëzimit. Pse mjerë me qënë edhe shtetar aty? Sepse një qeveri, jo vetëm kjo e Edi Ramës. Por të gjitha. Dhe ato që kanë shkuar. Dhe ato që do vinë…, më përpara se të ndreqin objekte kulti. Të ndërtojnë shtëpi banimi. Prandaj mbledhin taksa. Shteti nuk ndërton objekti kulti. As nuk mbjellë të tillë. Shteti mbjell shtëpi, pemë. Hap vende pune. Përmison jetën e qytetarëve, pasi është një soj kryefamiljari që merret me ato që sjellin shtetarët nga dita e punës. Pse mjerë me qënë qytetarë, shtetar, e besimtarë aty? Sepse ngelëm duke gatuar çorbë. Që vetëm po helmon njerëzit. Nuk po i ushqen.
Me që përmenda dhe Petro Markon. Ka një moment në librin e tij, Retë dhe gurët ku përshkruan bregun. Që e gjitha, historia njerëzore e bregut, është në këtë sherrnajë. Jo e imja, jo e jotja. Jo e Turqisë, e Greqisë, e Shqipërisë, e Napolit etj. Dhe asnjëherë e bregut. Që edhe pse jetojnë bashkë mbetën duke u grindur. Ja si e thotë Petro Marko, ''shumë fanatikë ishin fshatarët e mi! Njëzet e gjashtë kisha kishte. Mbaj mend unë se kishim tetë priftërinj''. Çfarë i duheshin Dhermiut gjithë ato kisha? Asgjë tjetër. Veçse sherrnaja e kohës për të cilën sot i sjellim si argumenta se kush e ka kafshuar i pari atë mollë bregu. Thjesht fatkeqësi.