Modeli i dështuar në mbrojtje

 

Nga Gjeneral Piro Ahmetaj

(Ish- këshilltar i Presidentit, Zëvendës Shef i Shtabi dhe Përfaqësues Ushtarak i Shqipërisë në Komandën Supreme të NATO-s)

Në Komisionin e (pa) Sigurisë Kombëtare, kaloji me një “debat i thënçin” – Projektligji i  “Planit Afatgjatë të Zhvillimit të FA 2016-2025”!  E ndoqa me keqardhje të thellë mbledhjen e “alla-organizate të partisë së kryetarit Braho” dhe vlerësova me vëmendje materialet që gjeta në faqen e internetit. Arroganca nuk ndalet – skandal! Më duhet të qartësoj për të gjithë aktorët dhe kolegët brenda dhe jashtë vendit, se në të gjitha opinionet nuk kam bërë opozitë siç është nënkuptuar, keqkuptuar, apo keqas-deformuar nga çukot (d.m.th kërcirit në italisht), por siç kam premtuar, në vijim po paraqes një oponence profesionale, për këtë projektligj:

 

PAZH 2016-2025, është dokumenti i tretë në hierarkinë e dokumenteve strategjike, – mbas Strategjisë së Sigurisë Kombëtare (SSK) dhe Strategjisë Ushtarake (SU). PAZH, përcakton ngritjen dhe zhvillimin e kapaciteteve sipas nivelin të Ambicieve të RSH dhe skenarëve të kërcënimeve të mundshme ndaj qytetareve, sistemit demokratik dhe interesave strategjike të RSH për 10 vitet që vijnë. Fatkeqësisht, megjithë sforcimin për tu vlerësuar të teknikëve në këtë ndërmarrje të vështirë – dokumenti paraqitur, nuk përmbush asnjë nga kriteret  për të qenë i zbatueshëm, racional, dhe mbi të gjitha nuk jep garanci për zhvillimin e kapaciteteve operacionale, të afta për të mundësuar FA, përmbushjen e  detyrave kushtetuese dhe detyrimet në NATO, kjo pasi:

Ashtu si edhe “2 dokumentet eprore” (SSK dhe SU), PAZH 2016-2015, nuk është konsultuar paraprakisht me Komandantin e Përgjithshëm (KP), edhe pse konsultimi është detyre kushtetuese dhe ligjore. Institucioni që e ka hartuar duhet ti thotë jo atij “palo Komisioni”, por Kuvendit dhe publikut, në cilin vend të NATO, dokumenti që projekton zhvillimin e kapaciteteve për përmbushjen e misionit të FA, nuk i bëhet as me dijeni KP? Më thjesht akoma, shtrojmë pyetjen: a është brifuar KP nga SHSHPFA, i cili e ka detyrë kushtetuese dhe ligjore, si këshilltari me i lartë, të paraqesë perspektivën e aftësive operacionale komandantit të Tij të drejtpërdrejte në zinxhirin e komandimit strategjik? Dhe ky është rasti më shumë se rreth 20 herë, kur Autoritetet e MM/SHP jo vetëm që shkelin kushtetutën dhe ligjin, por keq-shpërdorohen për propagande të njëanshme politike, siç edhe në rastin e këtij dokumenti, në rastin e SSK, të SU, shpërdorimin e burimeve të mbrojtjes, kapaciteteve të FA, uljen drastike te buxhetit, situatat renegate, policimin ajror, arrogancën me personelin dhe kapacitetet elitare, shpërdorimin e pronave ushtarake dhe burimeve të mbrojtjes, përdorimin e FA si agjensi lokale pastrimi etj! 

 

Zhvillimi i një dokument strategjik (PAZH/LTDP), që parashikohet të zbatohet ne 10 vitet që vijnë, domethënë në mandatet e 3 qeverive (përfshi edhe aktuale), – pa konsensus paraprak, do i shkonte për shtat shprehja Amerikane “breathing new life into dead reckoning” që do të thotë; “të jetë e parashikuar/paracaktuar e vdekur pa lindur”. Konsensusi, nuk është “akti-vetëm” që përcillet në tavolinat e Komisioneve, apo Kuvendit por një metodologji, qasje perëndimore dhe një proces informimi dhe konsultimi i pandërprerë “që mbillet” gjatë përgatitjes deri në miratimin e draftit. Pyetja për Institucioni e MM/SHP mbetet: pse nuk ka ndodhur kjo? Kushtetuta dhe Ligji, e parashikon miratimin nga parlamenti, pikërisht për këtë konsensus (çelësi suksesit) sa më të gjerë, në të kundërt, do të miratohej si Vendim Qeverie (VKM). Dhe kështu, pa konsultim dhe pa konsensus, ky dokument nuk kalon as cilësinë e një VKM, dhe mbetet si anex i programit të qeverisë së radhës, por nuk mundë të shërbeje/jetësohet kurrsesi si një dokument strategjik për 10 vitet që vijnë. 

PAZH 2016-2015, nuk është konsultuar me grupet e interesit, si në të gjithë vendet e NATO-s dhe jo vetëm. Konsultimi me grupet e interesit të planeve/projekteve të zhvillimit afatgjate të FA, është një parakusht për të promovuar interesat e kompanive vendase, pasi në të kundërt i bie që për interesa tërësisht korruptove dhe qesharake  projektet e mbrojtjes, të përfundojnë në kompani pastrimi, celulares, që pastaj na dalin edhe të certifikuara nga strukturat e Atlantikut të VERIUT dhe më gjerë !

Konsultimi, gjithë-përfshirja dhe konsensusi janë garanci kritike për jetësimin e  dokumenteve strategjikë, pasi ato presupozohen të aplikohen në një periudhe dhjetë vjeçare. Ri-përsërisim, se dokumentet e strategjike 1992-shtator 2013,  janë miratuar me 100 % të votave në kuvend, ndërsa mbas shtator 2013, (si mbas lufte), të gjitha dokumentet, paketa ligjore, buxheti, plani përhapjes, vetëm 72 vota nga 140 (përfshi edhe votat PRO të anëtareve te KSK, që në analizën time mbetet: “më i turpshmi, më i diskredituari dhe më i frikshmi në historinë e parlamentarizmit të RSH, në NATO, dhe jo vetëm, përjashto Bjellorusinë); nuk janë konsultuar me grupet e interesit, apo një oponencë formale nga institucionet studimore kombëtare apo të NATO-s, etj?.

Ashtu si edhe ne dokumentin e SSK, SU  edhe PAZH 2016-2025 – ka një shpërdorim propagandistik të Rishikimi Strategjik të Mbrojtjes (RSM), etj RSM (!!), – dokumenti i realizuar me mbështetjen e Qeverise se SHBA dhe miratuar nga Qeveria Berisha në Qershor 2013! Konkretisht për zhvillimin e reformës së mbrojtjes, dhe për të materializuar zhvillimin e kapaciteteve në FA, në RSM është parashikuar buxheti i mbrojtjes jo me të vogël se 1.5 %, shifër kjo e nënshkruar si angazhim zyrtar nga 28 krerët e qeverive të vendeve të NATO-s, në Samitin e Wells-it, UK. MM/SHP të mos bejne lodra pakuptim fjalësh, por te argumentojnë si munde te përmbushen detyrimet për kapacitete ne vitin 2014 (me pak se 0,9 %) , për vitin 2015 (0.83%);  për 2016 (është parashikuar edhe me pak se 0.8 %), dhe kështu me radhë? – kjo është qesharake, këtë se beson as Ministri CANI !

Për më tepër, në tabelën e buxhetit(në draft-planin në fjalë), mbështetja me “buxhet në letër” ka zbritur në 1% te GDP-së, deri në 2017 (nga jo me pak se detyrimi 1.5 %), ose brenda mandatit të qeverise RAMA!! Më tej, në “formën e detyrave për qeveritë në vazhdim, mbas 2018-2015”, Institucioni hartues/MM bën kapërcime në shifra dhe interpretime të padobishme që nuk i japin një pikturë te qartë (çfarë, cilat kapacitete dhe kur do zhvillohet vit pas viti); nuk japin besueshmëri dhe kështu nuk japin asnjë garanci për zbatueshmërinë e këtij Plani afatgjatë! Si konkluzion, gjykojmë se MM/hartuesit mos të vijojë ta shpërdoroje si reference “RSM-qershor 2013”; as skenarët dhe as Samitin e Wells-it, UK se bëhen jo-serioze, të pabesueshëm, te papërgjegjshëm por edhe qesharak, me një çështje që ka të beje me sigurinë dhe interesat strategjike kombëtare!! Nëse, nuk u qëndrohet shifrave të buxhetit sipas RSM, Qeveria aktuale, është në të drejtën e Saj, jo të vijoje të bëjë propagandë, jo të çoje për miratim “letra pa vlerë”, por të zhvilloje një Vlerësim tjetër si ai i RSM, të ndryshoje nivelin e ambicieve, skenarët, kapacitetet, listën e mbështetjes me buxhet, etj. Dhe opozita, nëse kjo ndodh, duhet të ofroje ekspertizë, projekte, dhe me tej konsensus të gjerë. Rrjedhimisht, mbështetja me buxhet, parashikuar në ketë dokument, dhe dis-akordanca me RSM-në e përmendur me lartë, e vulos këtë dokument-letër pa vlerë, ashtu si edhe SSK, dhe SU, si dokument të pa-zbatueshëm.

Si një nder kontribuuesit më shumë se modestisht në hartimin e PAZH 2008-2020, sigurisht, e vlerësoj shumë përpjekjen e teknikeve, kolonelëve dhe civileve në FA, që kanë kontribuar ne hartimin e këtij Plani.  Megjithëse, përtej kujdesit të tepruar për terminologjinë Euro-Atlantike dhe për strukturën e dokumentit, për hatër të vërtetës, duhet thënë se PAZH 2016-2020, është në një mase të caktuar plagjiature e PAZH  2008 – 2020, me disa përsëritje të panevojshme të dokumentit të RSM, përkthime jo-relevante etj. Si konkluzion, PAZH 201602025 mbetet leksion.

Parë në analizën e mësipërme, mesazhi im profesional për faktorët e anëtaret e përgjegjshëm (jo të inkriminuar dhe mediokër) të Kuvendit është: “ndaleni miratimin e këtij dokumenti” që as me pak as më shumë, është një dokument në “inventarin e letrave propagandistike”, dhe kështu një “kontribut shtesë” në modelin e dështuar të reformës Rama–Kodheli në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes. Vendi ynë, nuk ka nevojë për dokument propagandistik, por për një dokument/projekt veprimi që të projektoje dhe zhvillojë kapacitetet në dobi të sigurisë së qytetareve, stabilitetit të shoqërisë, dhe interesave kombëtare. Dhe kjo në një realitet gjeopolitik në dinamik të pandërprerë, që siç të gjithë po e shohim nga: “influenca e ariut polar”; terrorizmit ndërkombëtar, pasojave te qeverisjeve të dështuara, inkriminimi institucioneve, korrupsioni, etj kërcënojnë frikshëm të destabilizojnë Ballkanin për tu ri-faktorizuar në dëm të interesave tona mbarëkombëtare. 

Në të njëjtën kohë, si profesionist vlerësoj me shqetësim se është emergjencë dhe e sugjeroj publikisht Presidentin e Republikës dhe aktorët e përgjegjshëm/relevant që së bashku me partnerët strategjik, të konsiderojnë dhe udhëheqin përgatitjen e një projekt kombëtar (dhe më gjerë) me: strategji, aleanca, projekte dhe kapacitete të afta në përballen me listën e rreziqeve që janë shumë e gjerë sa “tërësia territoriale”: “stabiliteti i demokracisë, kriminalizimi i institucioneve, terrorizmin, krimin e organizuar, trafiqet, rastet renegate krizën financiare, papunësia, emergjencat civile, siguria e mjedisit,” etj, që kërcënojnë sigurinë dhe prosperitetin e qytetareve, stabilitetin e shoqërisë dhe të interesat mbarë-kombëtare.

SHKARKO APP