Monodrama “And’rrra e Nan’ Terezës – Njerëzorja Hyjnore”, bëhet realitet magjepsës nga Justina Aliaj në Teatrin “Migjeni”

Nga Albert Vataj

Artistja emblemë e skenës shqiptare, Justina Aliaj, solli mbrëmjen e djeshme në Teatrin “Migjeni” jo thjesht një shfaqje, por një përjetim të rrallë artistik e shpirtëror, përmes monodramës “And’rrra e Nan’ Terezës – Njerëzorja Hyjnore”. Ishte një kthim solemn i fjalës dhe i trupit në shërbim të një figure që e ka tejkaluar kohën, kufijtë dhe vetë njerëzoren.

Salla e teatrit u mbush me një heshtje të dendur vëmendjeje, ku publiku shkodran, i ndjeshëm dhe i kultivuar, e ndoqi interpretimin me emocione të thella, derisa duartrokitjet e gjata në fund u bënë një formë falënderimi kolektiv për atë çka sapo ishte përjetuar. Nuk ishte thjesht admirim, por mirënjohje për një akt arti që preku ndërgjegjen.

Swiss Digital Desktop Reklama

Me një gjuhë artistike të përkorë, të ngarkuar me ndjenjë dhe simbolikë, dhe me një prani skenike që rrezaton përvojë, dinjitet dhe shpirt, Justina Aliaj ndërtoi një portret intim e sublim të Nënë Terezës. Ajo e solli figurën e saj jo si ikonë të largët, por si qenie të gjallë, të brishtë dhe të fortë njëkohësisht, duke ndriçuar atë hapësirë të rrallë ku njerëzorja dhe hyjnorja nuk përjashtojnë njëra-tjetrën, por bashkëjetojnë në sakrificë, dashuri dhe përulësi.

Swiss Digital Mobile Reklama

Monodrama u shndërrua në një rrëfim të thellë shpirtëror, një dialog i heshtur mes skenës dhe publikut, ku fjala, gjesti dhe pauza u bënë mjete lutjeje laike. Ishte një udhëtim i brendshëm, që ftoi secilin të reflektojë mbi humanizmin si akt të përditshëm dhe mbi dashurinë si përgjegjësi.

Kryetari i Bashkisë së Shkodrës, Benet Beci, ndau në rrjetet sociale momente nga kjo mbrëmje e veçantë, duke vlerësuar lart interpretimin e Justinës Aliaj dhe pritjen e ngrohtë e dinjitoze të publikut. Ai theksoi se Teatri “Migjeni” vijon të mbetet një vatër e rëndësishme e jetës kulturore të qytetit, një hapësirë ku arti i vërtetë gjen zë dhe ku vlerat kombëtare e universale marrin formë.

Në këtë kontekst, ai shprehu mirënjohjen e tij për kontributin e vyer të Justinës Aliaj, e cila me përkushtimin dhe integritetin e saj artistik vijon të pasurojë jo vetëm skenën, por edhe shpirtin kulturor të Shkodrës.

Shfaqja “And’rrra e Nan’ Terezës – Njerëzorja Hyjnore” u konsiderua nga të pranishmit si një ngjarje artistike e veçantë, një kujtesë e fuqishme se arti, kur është i sinqertë dhe i ndërtuar mbi vlera, ka aftësinë të prekë thellë ndërgjegjen, të zgjojë empatinë dhe të përcjellë mesazhe që i përkasin gjithë njerëzimit.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A veproi drejt Gjykata Kushtetuese për rastin Balluku?