Moratoriumi i mishit rrit çmimin e peshkut

Pas një rënieje sistematike, çmimi i peshkut iu kthye rritjes gjatë tre muajve të fundit të 2016-s. Sipas të dhënave të INSTAT shihet se çmimi i peshkut shënoi rritje vjetore prej 3.6% gjatë muajit gusht, tendencë kjo që nisi qysh në muajt qershor dhe korrik. Deri në muajin maj, çmimi i peshkut ishte pothuajse në rënie sistematike.

Ekspertë të tregut e lidhin rritjen e çmimeve me sezonin turistik. Mijëra pushues nga vendi dhe të huaj, që kanë zbarkuar në plazhet shqiptare, kanë rritur ndjeshëm konsumin e peshkut dhe për pasojë, edhe çmimin e tij.

Gjithnjë e më shumë konsumatorët vendas po rrisin kujdesin për shëndetin, duke zhvendosur preferencat e konsumit nga mishi i bagëtive drejt prodhimeve të detit.

Tregtarët pohojnë se, çmimi i peshkut është ndikuar edhe nga moratoriumi i mishit për shkak të sëmundjes së gjedhit që përfshiu më së shumti Veriun e vendit, duke nxitur konsumin e peshkut si një alternativë.

Tregtimi i mishit është penguar për të paktën 1 muaj, çka ka ndikuar në zhvendosjen e blerjes në llojet e tjera të mishit, si pula dhe mishi i derrit si  dhe i peshkut.

Eksportet e peshkut dhe të molusqeve kanë parë një rritje të fortë vitin e fundit, duke arritur në 2.7 miliardë lekë më 2015 ose 62% më shumë në krahasim me një vit më parë.

Ekspertët nga Ministria e Bujqësisë kanë shpjeguar se rritja është nxitur nga zgjerimi i industrisë përpunuese të peshkut dhe stimulimi që i ka dhënë sektorit heqja e akcizës së naftës. Sasi të mëdha të peshkut importohen në Shqipëri dhe më pas rieksportohen për tregjet e BE sidomos drejt italisë. Importet e peshkut ishin 4,9 miliardë lekë gjatë 2015, vlerë kjo 44% më shumë se eksportet. Rritja e eksporteve ka vijuar edhe më 2016.

Një vend bregdetar, Shqipëria ka ende kapacitete të pashfrytëzuara në sektorin e peshkimit.

Flota shqiptare e peshkimit është e përqendruar në disa peshkarexha të vogla, të cilat operojnë me kosto të larta pa mundur ta bëjnë industrinë e gjuetisë së peshkut konkurruese me vendet e tjera mesdhetare.

Shoqata e Peshkatarëve i ka kërkuar Ministrisë së Bujqësisë uljen e barrës fiskale dhe ndërtimin e kantiereve për riparimin e anijeve të peshkimit.

SHKARKO APP