Motra juaj e madhe ju këshillon si të emigroni

Nga Anila Rezhda

Mendoj të iki! Atdheu jo rrallë në të shkuarën e tij të largët dhe të afërt ka mbushur me mëri dhe dëshpërim breza të tërë, të cilët në mënyrë masive kanë gjetur si shpëtim ikjen. Si nocion gjeografik na përket që me lindjen, por nëse gjatë rritjes nuk na mësojnë bashkë me germat si ta duam, vjen kjo ditë e dhimbshme që për Atdheun quhet hemorragji dhe për njerëzit mërgim. Të dy të humbur, njerëz dhe Dhe…dhe At dhe Nënë. Është logjike të duam nga toka që lindëm pak ujë, pak bukë, pak ndriçim, një rrugë të eci o Vëlla të njoh damarët e Vatanit! Kur e pakta bëhet asfare, kur Nëna dhe Babai ligështohen nga ekzistenca jonë se nuk munden të na ofrojnë asgjë, të dy mendojnë me dashuri vetëm ndarjen. Prindërit thonë të shpëtojnë fëmijët, pa le të na iki pjesë shpirti, vetëm të jetë mirë kudo që të jetë. Fëmijët besojnë se me ikjen ju heqin rëndesë nga supet prindërve. Në gji të familjes fillon devijimi i trungut familjar, fara e të cilët do shpërndahet kudo dhe do bëhet diaspore, farë e shpërndarë. Djali do iki të rilindë mbiemrin e tij të lashtë dhe historik për Trojet diku shumë larg, vajza do bëhet pritëse e riprodhimit të një origjine që ndoshta nuk do na shoh kurrë si kombësi, por si mëvetësi e lindur në bahçe! Kjo dhimbje kaq e thellë dhe therëse që fillon dhe nuk mbaron kurrë sa të rroni është mendimi i parë që duhet të çajë si rrufe qiellin tuaj dhe ta rimendoni ikjen. Shoqëria, pushteti nuk mendojnë për ty. Fenomene të acaruara në politikën e brendshme dhe të jashtme, konflikte që duket sikur nuk do mbarojnë kurrë. Të gjithë merren me tema të mëdha, me skandale ekonomike kolosale, me skandale rozë të gatuara me sasi të bollshme silikoni, me vepra penale të rënda që riprodhohen mijëra herë në ditë a thua se gjysmën e së vërtetës nuk e morri me vete vetë vdekja por shpresojmë ta gjejmë nga ekranet! Ti Vëllai im i panjohur ngjan fare i vogël i parëndësishëm përpara këtij bombardimi superinfo që tashmë ngatërron dhe perëndimin me lindjen e diellit. Nuk ka dhe Mushka me qira të ikësh si Lasgushi i famshëm natën, nga sytë këmbët jashtë kufirit. Duhen viza, leje, dokumente, legalizime, monedha nga mbarë bota, mjerim që po të humbas! Sado që kërkove në faqe librash të të çlodhë një poezi, sado që dëgjove këngë shpirti, ece rrugëve që të lodhësh mendjen e të mos vuash, i vajte detit pranë por edhe ai ish bërë copë-copë. Riviera rënkon nga betonet. Hipe kodrës si dikur Fëmijë të ndjesh aromë pishe me kot, rrëshira e pemëve nuk të mbajti dot, rrëshqite se të gjitha pemët janë të prera, të djegura, male të rruara si mjekër burri të palarë, neveri!!! Vajza që të dha ritmin e zemrës, të jep dritë të brendshme, gëzohesh, pendohesh, nuk do emigrosh, do rrish me Të, do dashuroheni, do lindni fëmijë, do të mbështesë në jetë përgjithçka, një biznes i vogël mjafton për të jetuar bukur por…Ajo shikon shumë televizor, lexon revista, shikon fotografi plot ngjyra, shtëpi të mëdha plot dritë e mobilie, katër banja vetëm një kat, do thonj e qerpikë artificialë, do bojëra të lyejë flokët, do bizhuteri e garderobë, u lodha unë që i shkruaj, jo më ti! Pastaj do martoheni, por ka tradita që martojnë edhe fiset, kjo është çudia, shumë qoka e adete, punoj për dhurata e vdekje! Paguaj më tepër se sa fitoj ndaj marrë borxhe dhe kur nuk gjej dot më borxh tek askush dua të mërgoj. Nuk të jap të drejtë por të kuptoj. Merr laps e letër që të shkruajmë bashkë praktikisht kujt do i zësh derën dhe pse?! Do veshim këpucët e mija dhe do ecim sërish mbi hapat e mi të një kohe të lënë larg. Do më bësh të vuaj se hapi i parë që bëra o Vëlla ishte të fle tre netë rresht tek një stol betoni përpara dritares ku flinte Dashuria ime dhe në ato tre netë, aq sa mban mrekullia, unë u fejova, u martova, linda fëmijë me Të…por fiks në orën që po bëja provë fustanin e nuses më ranë yje nga qiell i urisë, e lashë të flinte, nuk dëgjova dot si lamtumirë fishkëllimën tonë “Për Elizën“, ika…u lamë për të qenë të dy mirë!!!

Hartoj një plan paraprak

Nëse jam vetëm fare, zgjedh vende të largëta se edhe arsyet e kthimit janë më të pakta. Nëse lë familjen e fëmijët pas, derisa ti marrë me vete duhet t’ju jem pranë shpesh. Po të jesh shumë i ri aq më mirë se forca fizike dhe mendore shkojnë unison, mirë do ishte të futesh direkt në shkollë mësimi, gjuha është armë në jetë të shpëton. Do fitosh më pak lekë dihet por do nxjerrësh dyfishin kur të kalojë dhjetëvjeçari i provës së personalitetit dhe qëndrimit tënd karshi shoqërisë së huaj. Zgjedh shtetin pritës në përputhje me trurin që kam, i mençur ose nuk marr nga germat, dua të shes aftësi fizike. Zgjedh në përputhje me klimën, nëse jam i rritur pranë detit do vuaj pa të, ushqimi dhe mentaliteti im janë relaksues, nëse jam malor i rezistoj të ftohtit dhe shkoj edhe atje ku ka shumë borë në të katër stinët e vitit. Zgjedh në bazë të mërisë së akumuluar, nuk dua ta kthej më kokën mbrapa, sa më larg aq më mirë. Në këtë rast zgjedh shtet që nuk jetojnë shumë bashkatdhetarë të mijë. Nëse të intereson udhëtimi i germave zgjedh qytete të atij shteti që ka konsullata ose kryeqytetin që ka ambasadë, pasi do kem shumë letërkëmbime dokumentesh në minimumin pesë vjet studime. Duhet të kem sa më afër shërbimet konsullore. Pasi përcaktoj destinacioni dhe do zoti arrita, hap letrën që shkruajta me motrën time të madhe Nilën se këshillat e saj nuk do mi thotë askush, jo se nuk duan, por përvojat e jetuara janë garanci jete. Përpara se të pres biletën shkoj tek një Noter dhe ngujoj atë pasuri të patundshme që kam në prezencë të familjarëve. Ikja ka edhe kthime ndaj në atë moment vë vulën e asaj ç’ka më përket qoftë edhe një dhomë, qoftë edhe një copë tokë agrare, sot janë kaq nesër mund të bëhen aq, fate fate kjo dynja, fati fatit nuk i ngjan!!! Nuk lë pas vatra sherri. Nuk iki sikur nuk do kthehem kurrë, ku i dihet?! Marr me vete certifikatën personale, familjare, të trungjeve të dy familjeve dhe i legalizoj të gjitha në institucionet e vendit tim për të qenë i qetë, se kur ika në bazë të ligjeve ekzistuese të asaj kohe unë isha i rregullt, pra iki konform me ligjin e vendlindjes. Kur mbërrin në shtetit pritës, sikur në stola të flesh shtrëngon fort pasaportën dhe dokumentet në gjoks, ruaji si sytë e ballit, mirë a keq o Vëlla një numër pasaporte jemi! Kurrë nuk pyesim “avokatë“ kovaçë ose bojaxhinj pra emigrantë si ne për Ligjin e Emigrimit të shtetit që shkuam. Adresohemi gjithmonë dhe Vetëm në Autoritet Policore, janë kudo ndërtesa qeveritare të dukshme, në të cilat ç’do veprim i kryer nga Oficeri Policor është hermetikisht i pakomentueshëm dhe na lejon të flemë qetë sepse komunikimi me shtetin për emigrantin në atë fazë të jetës është vetëm Policia e Atij Shteti për rigjenerim dokumentesh, derisa udhëtimi jot i jetës atje, ta uroj, të afrohet me afatin e shumëpritur të lejëqëndrimit të përhershëm. Në të njëjtën kohë kërkojmë me atë Anglishte që dimë fotokopje të Faqes Zyrtare Qeveritare të atij shteti. Mbaje diku dhe le të të dukem kot unë ty sot dhe më shiko i habitur si Luli i Vockël, dikur diku ajo gazetë do jetë shumë e shtrenjtë në vlerën informative të momentit që ti hyre në atë shtet. Aty diku shkruhet për Ligjin e Emigracionit. Kjo do të të përkas historikisht, ligji në fuqi i asaj kohe i publikuar në F.Z. që përkon me hyrjen tënde. Udhëtimin jot dokumentacional fillon nga ruajtja në sirtarin e ëndrrave të kësaj gazete zyrtare, pasi aty shkruhen vështirësi ose lehtësira që ti nuk i di se nuk di gjuhën, por kështu fillojnë ëndrrat, shkruhen, pikturohen, gjëmohen pas sikur të jenë tullumbace dhe një ditë të bukur do qeshësh me qiellin tënd se ja arrite qëllimit. Të ardhurat e fillimit shpenzoi si i marrë se ta do shpirti ta ndjesh që po merr shuma të pakrahasueshme me rrogat që le pas. Dërgo në familje aq sa mundesh, pa ju premtuar asgjë, pasi ti nuk zbulove thesar por po fillon të kërkosh për të gjetur thesar. Kije kujdes këtë të fundit, se ca romantikë si ne blenë me shumë lekë dashuri në mërgim dhe kur erdhi koha e krizës nuk na i diti njeri. Për ato lekë të mallkuara more rrugën, ndaj dërgo vetëm të domosdoshmet, jo gjithçka se ata mendojnë se paratë priten me gërshërë këndej. Të lodha me këshilla!

Nëse kthehem një ditë do më quajnë të dështuar?!

Jo Vëlla. Do thonë se shpirtin e ruajte kristal nga ç’do rrudhje e kohës. Atëherë do kuptosh se mërite që të bënë të ikësh nga Atdheu dikur janë tretur si kripa në ujë. Gjithë ajo lëngatë e atëhershme do të të bëhet mjaltë! Do kthehesh i urtë dhe i mençur, prind dhe sërish fëmijë po, besoje. Emigracioni të rrit në logjikë, por të lë ashtu të brishtë e delikat se emigroj do të thotë jam fëmijë endacak përderisa do pi ujë nga gropa hapash, do më thahen rrobat me djersë në trup, do kacavirrem mureve të gjej stol të fle, do ha shpesh pa pjatë si dikur bukë me sheqer e vaj ulliri në dorë! Do dëgjosh përreth njerëz që zihen dhe do të të pëlqejë ai sherr, se ti me kë do ziheshe atje, ja ma thuaj?!  Mysafir buke ishe gjithmonë, në paqe me sasinë ndjesore dhe paratë e marra. Pastaj do riecësh në ato rrugë të prishura që dikur shaje dhe do të të duken gjarpërinj të asfaltë që rrëshaqasin mrekullisht udhëtimet e njerëzve!!! Pranë detit, betoni do të përngjajë me bukë të thekur, kaq të madh-vogla ato sherre të dikurshme. Kodrat do jenë plot shtëpi të reja e shkatërrime të reja por nuk do kesh më fuqi të shash asgjë, të gjesh fajtorë të mëdhenj ose të vegjël. Gjithçka do të duket mirë në emër të dëshirës të jetosh i qetë me ato të pakta që të përkasin e që shkruajte dikur, ndonëse atëherë ato shënime që shkruam bashkë të ngjanë me intrigën që shkruan në letra të zeza kundër Edmond Dantes së bukur që fluturoi duke notuar tek Mercedesi i tij i dashur! Në atë kthim në Atdhe do kuptosh që etja për të ikur duhej përballuar. Se ato qytete gjigante e ato gradaçela e parqe magjikë, gjithçka që verbon madhështi, ka pas miliarda duar si të tuat e të mitë o Vëlla që punuan dhe ikëm, vepra nuk morri emrin tonë, ne morëm emrat e veprave që ndërtuam me vete, i thamë të gjithë miqve dhe ccuam edhe turistë, sa papagallë të mirë që jemi! Do ulesh në kafet e qytetit dhe do mendojnë se je njeri i vetmuar por ty thjesht nuk të njeh më askush. Do shkosh në ç’do shtëpi të rrënuar tënden, ose lagjes e fisit dhe si regjisor famoz do rimbledhësh personazhet e asaj kohe që të qan syri! Tek ajo dritare që dilte e mira jote dikur, sot ndriccohet vetëm nga flaka e cigares së komshiut, ka edhe Heshtje jeta apo jo?! Pra kudo ka qiell yje dhe hënë. Këto shikon nga kudo por kur je i ri ti servirin ca lajmëtare sahanlëpirës të huajsh sikur kapen, preken, behet të tuat në mërgim. Jo Vëlla, njëlloj është distanca me Qiellin edhe nga Vatani që linde! Do ulesh në parqet që dhe puthje, do këputësh trëndafla rozë rebelë që varen nëpër mure për ish-kalimtarë të dashuruar që hidheshin për ti këputur e ju gjakosej dora nga dashuria…sa bukur, për dashurinë e një trëndafili shtatlarti yll u gjakos nga njëqind gjemba! Ja që fola edhe për gjakun, gjak i kuq, e çu bë nami?! Jo. Për të ka shumë histori të bukura. Dhurove atje ku ishe për të panjohurin e huaj që t’ju shpëtoje jetën se je njeri human. E shikon sa i mirë ike e sa më i mirë do kthehesh? E shikon që mizerja ekonomike do të duket thjesht Vjeshtë mistrece që qull gjithccka?! Ik ku të duash, por mos harro se unë Motra e madhe të tregova si hiqen trarët nga rruga e ikjes, por po të them edhe që kthimi ka këtë shije vere të moçme, nuk të dëbova. Provo vetëm njërën, provoi të dyja, unë e kam për detyrë të lë pas përvojën time, e çe dua me vete?! Nëse do me pyesësh sa dozë të vërtete më ngriti stomaku…gjithçka do të përgjigjem, se të gjitha janë jetë mes jetës, se det pa dallgë nuk ka, se ditë pa natë nuk ka, se e keqja nuk rron dot pa të mirën. Kudo mbizotëron ligji i balancimit. Unë do doja që ti të mos ikje se je bukuria vetë dhe dua të më zhurmëzhosh rrugët, po ku ta gjej mënyrën të të bind kur unë dikur nuk binda dot veten!!! Udhë të mbarë dhe qofsh fëmijë i fatit. Siç tu rrëfeva, ti i duhesh Globit se je qytetar i tij, kudo që lë pas të mirën shumë mirë bën, qofsh i bekuar, fëmijë e pleqëri ka kudo, duhet ti mbrojë puna jonë- bukë për Ta. Unë po të lë shumë të shkruara, ruaji, digji, eja më gje. Ku do jem? Tek pragu i portës së shtëpisë time ku hyra bebush i porsalindur. Le të mos më kenë dhënë akoma ato tapi të shkreta të rrëmbyer, vetëm 70 vjet janë!!! do vish ti ta plotësosh lutjen time tek Qeveritarët se unë dua të do ha qetësisht shegët dhe ftonjtë që më zgjonin kur binin me aq nerva në tokë mesnetëve, hidhesha përpjetë nga frika, fëmijë. Si do e gjesh portën time?! Thjesht fare. Në hyrje të saj kam vënë një tabelë që falenderoj paraardhësit e mijë që ishin aq të denjë dhe më mësuan se duke punuar shumë realizojmë ëndrrat dhe ndërtojmë shtëpi të bukura si kjo jona, me tre kate e avlli-siç thoshte Aneja ime e shtrenjtë! I lamë pas e nuk i shijuam dot, rrjedh loti dhe vadit Dorezonjën-lule te pragu i penxheres time që shikon nga ora e Kalasë por, vetëm hijeshia e këtyre foleve ku strehoeshin rrënjët e Trungut familjar na dha forcë të mësojmë dy gjuhë dhe të punojmë me katër duar!!! Ndaj ekzistenca jote në mungesën tënde do jem unë o Vëlla, Motra jote e madhe që mërgoi dikur. Këtu më ke duke pritur te dera e shtëpisë së braktisur nga uria, e derisa të më besojnë e të më lënë të hy, ti do jesh kthyer të më gjesh, se një vrap Gomari si shi behari është Jeta!

Zëmrën e një mali e gërryen butësisht një krimb dhe krijohet Era kaq e domosdoshme për jetën. Kaq të thjeshta janë të vështirat që nuk zgjidhin dot të Mëdhenjtë për të mos patur Ikje të dhimbshme. Fjalë e butë dhe e ëmbël bëhet, se këtë Gjuhë vetëm njeh njeriu i uritur që “ne” lamë endacak buke rrugëve të Botës!! Arnoni qiellin tuaj me re dhe krijoni në mungesë të së vërtetës një stinë të re, se fjala nuk ka fuqi ta përshkruajë dot atë jetë të ndarë më dysh!!!

 

 

SHKARKO APP