Muri i Shqipërisë ende nuk ka rënë

 

Nga Mentor Kikia

26 vjet më parë u shemb muri i Berlinit.

Jo thjeshtë një mur që ndante tragjikisht në dysh një kryeqytet botëror, si Berlini, por një mur që ndante një botë në dy pjesë, në njërën prej të cilave bënim pjesë edhe ne.

Një vit më pas ne shëmbëm një copë mur të Ambasadës gjermane, dhe kjo shënoi fillimin e arratisë sonë.

Pak muaj më vonë filloi “revoluconi” antikomunist. Në fakt në ishim të fundit që e “shëmbëm” komunizmin. Ose më skatë, komunizmi kishte rënë anëekënd Europës, edhe këtu, por këta tanët sikur na u lutën: Na jepni një dorë të ikim edhe ne… mesaduket ndaj dhe ata që morën flamurin e antikomunizmit ishin disa prej tyre.

Mesaduket, kjo duhet të jetë edhe aryseja se përse një regjim që nuk ishte përballur asnjëherë me asnjë protestë a revoltë, por vetëm me disidentë të vecantë dhe disidentë “radhësh qumështi”(nderim atyre që kanë vuajtur e vdekur nëpër burgje), iku pa gjakderdhje.

Mund të ketë mendime të ndryshme prej atyre që tundin medaljet e heronjve të shembjes së komunizmit, por nesje nuk është ky qëllimi i këtyre radhëve…

26 vjet pas shembjes së Murit të Berlinit dhe 25 vjet pas shembjes së murit të Ambsadës Gjermane, ne kemi ende një mur. Ky është muri i varfërisë.

Muri i prapambetjes ku ne jemi ende 25 vjet pasi komunizmi u dergua në muze.

Vërtet u hoqën vizat, por sërish shqiptarët nuk mund të udhëtojë lirisht si italianët, gjermanët, francezët, kroatët apo sllovenët. Ata ndalohen, verifikohen, kontrollohen dhe kthehen, nëse autoritetet mendojnë se po ikën për të kërkuar azil…

Sërish në Gjermani. Numri i azilantëve ka rënë muajt e fundit. Por kjo ka ndodhur sepse janë forcuar kontrollet në kufi, jo se shpiptarët nuk duan të ikin më.

Ne jemi po aq të pashpresë sa c’ishim në korrik 1990, dhe sërish të gatshëm të mësyjmë muret e ambasadave për të ikur nga vendi ynë.

Muri që na mban ndarë sot nga të tjerët duhet shembur nga ne.

Ky është muri që është ngritur nga politika e korruptuar, kriminale, që e ka ndarë popullin në 5 % që zotëron 95% të pasurisë dhe parasë, dhe 95% që zotëron 5% të pasurisë dhe parasë.

Këtë mur duhet ta shembim vetë ne, 95% -dëshi.

SHKARKO APP