“Muzeu i së keqes”
Ata çelin "muze" (depo) të bindur se popullit do t’i duket diçka artistike dhe nuk do të mendojnë më gjatë mbi mesazhin apo çfarëdo tjetër. Dhe fatkeqësisht kanë të drejtë
Nga Indrit Vokshi, BIRN
Të flasësh e të shkruash mbi trashëgiminë e komunizmit në Shqipëri, ngjan paraprakisht e lodhshme dhe ndoshta e pafrytshme, prej mendimit se mund të dukesh sikur po luan një kompozim të vjetër dhe standart, me nota të stërdëgjuara tashmë, të kompozuara prej artistëve zotërues të artit të luftës politike. Por kjo nuk është arsye për të mos u përpjekur, edhe njëherë, me shpresën se mund të lexohesh pa u paragjykuar.
Kur merr vesh se janë çelur muze të trashëgimisë së komunizmit në Shqipëri, natyrshëm fillon e mendon mbi muzeun si institucion. Pyet çka është muzeu? A është muzeu një institucion thjeshtë arkivë ku ruhet gjithçka ka ndodhur, ku ruhen edhe njollat e turpit, edhe ajo që përfaqëson të keqen, anën e errët të qenies që quhet njeri, apo muzeu është një institucion edhe moral, ku ruhen dhe promovohen vlerat e mira, fisnikëria, virtyti, me qëllim që prej andej t’i këshillohen breznive të ardhshme si rrugë për tu ndjekur?
A përcjell muzeu një mesazh tek njerëzit? A ka ndonjë ndikim muzeu në krijimin e preceptimit të njeriut mbi të shkuarën dhe asaj çka ai pret dhe pranon t’i vijë nga e ardhmja? Cili është efekti që mund të ketë në mendjen e njeriut shpallja muze e shtëpisë në të cilën ka jetuar një diktator-xhelat? A mos është një mesazh që i përcillet në heshtje atij që kur sheh, shtëpitë e njerëzve me peshë në historinë e botës të kthyera në muze, mendon se shtëpi muze bëhen vetëm shtëpitë e njerëzve të mëdhenj që i kanë dhënë njerëzimit? Diktatorit-çnjerëzues të shqiptarëve nuk iu shpall muze shtëpia por, mbi të njëjtin kriter që iu shpall muze “Bunkarti”, një bazë e ushtrisë ku mendohej se ai mund të strehohej ndonjëherë, quhet se i është shpallur edhe shtëpia. Sepse kriteri u vendos; muzeu si institucion ku ruhet edhe e keqja. Dhe, meqenëse u vendos, a thua do të tingëllonte çuditshëm nëse nesër kryeministri do të deklaronte: “Vendosëm të shpallim muze shtëpinë e Enver Hoxhës, që populli të hyjë e të shikojë ku jetonte ai. Po zbulojmë një epokë nga e cila nuk duhet të kemi frikë, sepse edhe kjo është një pjesë e historisë”.
Pyetja është: A ia vlen t’i ndërtohet muze kriminalitetit, antivlerës, thjeshtë “për kujtesë shoqërore”? Duke dashur të gjesh një bazë të fortë mbi të cilën t’i japësh përgjigje kësaj pyetjeje, kërkon dhe gjen një “Leksion Publik” të Emmanuel N. Arinze, President i Shoqatës së Muzeumeve të Konomuellfit, me titull “Roli i Muzeumeve në Shoqëri “. Çka thotë z.Emmanuel N. Arinze? Ai thotë: “Roli tradicional i muzeumeve është të mbledhë objekte dhe materjale me rëndësi kulturore, fetare dhe historike, t’i ruajë ato, t’i studiojë dhe t’ia prezantojë publikut me qëllimin e arsimimit dhe shijimit”.
Pra a e përmbushin muzetë e muzeçelësve tanë qeveritarë kriterin e “rëndësisë historike “; a janë “Bunkarti” dhe “Shtëpia e Gjetheve” ruajtës të diçkaje me rëndësi historike? Çfarë do të quajmë “rëndësi historike” në kuptimin e muzeut? Ketë na e sqaron përsëri z. Arinze në “Muzetë dhe Arsimi ” ku thotë : “Në shoqëritë moderne, muzetë pasurojnë procesin arsimr duke i ekspozuar fëmijët dhe për më tepër, publikun e gjerë ndaj historisë së tyre në një mënyrë pozitive; ato ndihmojnë gjeneratat tona të ardhëshme për të kuptuar dhe vlerësuar historinë dhe kulturën e tyre dhe për të fituar krenari për arritjet e paraardhësve tanë”. Pra “në një mënyrë pozitive”, në mënyrë pozitive dhe edukuese për brezat. Nga kjo kuptojmë se rëndësia historike duhet të jetë me qëllime edukuese. Nuk mund të ketë muze për të keqen.
Pas këtyre përkufizimeve të gjetura në “Leksionin publik” të z. Arinze, është e tepërt të pyesim a mbrohemi më mirë nga përsëritja e krimit duke kujtuar autorët e krimit, mjetet e autorëve të krimit, vendet ku rrinin autorët e krimit, apo duke e edukuar njeriun, edhe nëpërmjet muzeut, me norma të nalta e virtyte, që të bëhet e pamundur përsëritja e krimit? Pra njeriu, kalitet e piqet shpirtërisht për t’i rezistuar shtypjes së një diktature të mundshme duke mësuar për vuajtjet e Spaçit dhe kampeve të Lushnjës, apo duke vizituar “Bunkartin” dhe “Shtëpinë e Gjetheve”? Pse “Shtëpia e Gjetheve” nuk iu fal Institutit të të Përndjekurve dhe në hyrje të saj të shkruhej: “Kjo është ndërtesa ku dikur Sigurimi i Shtetit projektonte përndjekjen mbi popullin shqiptar. Sot kjo ndërtesë, në shenjë supremacie të së mirës ndaj të keqes, në shenjë triumfi të të përndjekurit ndaj përndjekësit, është kaluar në pronësi të Institutit të të Përndjekurve”.
Kjo do të ndodhte nëse qeveritarët muzeçelës do të njihnin përkufizimin “In modern society..”, përkufizimin për muzeun në një shoqëri moderne. Por ata nuk e njohin, sepse janë kuti kartoni plot ngjyra nga jashtë por krejt bosh nga brenda.
Më tej, z.Arinze, duket sikur i drejtohet posaçërisht qeverisë shqiptare të kryeministrit Rama kur thotë: “Si rezultat i fillesave të tyre historike në shumë kombe “në zhvillim”, muzetë shihen si vende ku depozitohen objekte apo materjale të padëshiruara; përveç kësaj, ato shihen si vende ku objekte të lidhura me idhujtarinë dhe religjionet fetishiste ruhen. Interpretimi negativ i asaj se çfarë nënkutojnë muzetë ka vijuar të pengojë zhvillimin e tyre në shumicën e vendeve, (veçanërisht në vendet e botës së tretë).
Pra, në disa kombe kinse të zhvilluara, “në zhvillim”, në thonjëza, muzeu është parë si vend ku depozitohen “objektet e padëshiruara” që mandej të ushtrohet idhujtari ndaj së keqes. Mesa kuptohet, flitet për objekte të kota “pagane” po ndonjë rëndësi të cilat janë ngritur në kult, por fryma që përfaqëson ajo fjali tregon shumë mbi qëllimin e muzeut. Dhe ky interpretim i gabuar mbi atë çka muzeu nënkupton, vazhdon të pengojë zhvillimin në shumë vende.
Kjo fjali i thotë kryeministrit i cili na shitet si artist, se në një shoqëri moderne, nuk quhet muze vendi ku depozitohen objektet e padëshiruara dhe aspak edukuese, që dmth se “Bunkarti” dhe “Shtëpia e Gjetheve” janë thjeshtë depo idhujtarie dhe jo muze sipas përkufizimit të muzeut në një shoqëri moderne. Shkurt dhe shqip; mjaft me shitjen e mediokritetit si art.
Por pse ndodh kjo? Pse depot na shiten si muzeume? Sepse organizuesit e çeljes së këtyre muzeve, nuk kanë nxitje morale dhe as qëllimin edukues. Kanë thjeshtë marketingun. Dhe gjithçka e bërë pa u shtyrë nga një qëllim i naltë, nuk ka ndonjë vlerë. Po të përdorim fjalët më të buta, quhet e kotë. Sot nuk është temë diskutimi figura e Enver Hoxhës por ajo çka Enver Hoxha përfaqëson. Kësisoji në vend që të merremi me “Bunkart” dhe “Shtëpi Gjethesh”, Kuvendi i Shqipërisë, me një akt të posaçëm duhet ta shpallë Enver Hoxhën “ahistorik”. Jo ahistorik për ta fshirë nga historia, shkenca le ta studiojë normalisht atë periudhë por ahistorik, si një akt qëndrese morale ndaj të keqes. Ahistorik si kumt për brezat. Të shkruhej kudo, në vende të dukshme, se Kuvendi e ka shpallur ahistorik diktatorin, pushtuesin dhe mohuesin më të egër të të drejtave të shqiptarëve. Jo të mos kishte diskutime mbi të, mbi anët “pozitive dhe negative”, mbi “të mirat dhe të këqijat” e regjimit por nëpërmjet shpalljes ahistorik, brezat e ardhshëm të mbruheshin psikologjikisht e moralisht me mendimin se me lirinë, me të drejtat, me dinjitetin, nuk bëhet kompromis as për t’iu shkëmbyer me lugë floriri. Se dinjiteti njerëzor prevalon mbi gjithçka dhe prej tij burojnë lugë e pirunj të florinjtë.
Qëndrimi ndaj të shkuarës, tregon edhe aspiratat që dikush ka për të ardhmen. Dhe aspiratat e muzeçelësve, mesa duket, nuk kanë të bëjnë me qëndrime morale ndaj shtypjes, nuk kanë të bëjnë me edukimin e breznive për të mos bërë kompromis me lirinë dhe dinjitetin. Ata duan tinzarisht dhe kinse artistikisht, ta relatizivojnë të keqen. Lypset të kesh ose të luftosh për të përftuar një fisnikërim dhe naltsim shpirtnor, për të qenë i vendosur drejt së mirës, në mënyrë që të dish dhe të mundesh t’i flasësh shoqërisë “me gjuhën e Zotit” edhe nëpërmjet qëndrimin që mban ndaj monumenteve, muzeve. Muzeçelësit tanë, nuk i ushqejnë mushkëritë me atë lloj ajri që të munden mandej të shfryjnë atë lloj fryme. Ata janë larg të qenit njerëz të mirë, qytetarë të mirë, e aq më pak, artistë të cilët dinë çka është muzeu. Ata çelin “muze” (depo) të bindur se popullit do t’i duket diçka artistike dhe nuk do të mendojnë më gjatë mbi mesazhin apo çfarëdo tjetër. Dhe fatkeqësisht kanë të drejtë.