Muzhaqi shpalos detajet: Roli vendimtar i Kuvendit në rrugën drejt BE-së
Komisioni për Evropën dhe Punët e Jashtme shqyrtoi sot projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 15, datë 5.03.2015, për rolin e Kuvendit në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian”, nismë e dy deputetëve Taulant Balla dhe Bora Muzhaqi.
Në fjalën e saj, Muzhaqi theksoi se projektligji ndërtohet mbi katër shtylla kryesore: Përditësimi konceptual i ligjit ekzistues nga një ligj i përgjithshëm për “integrimin” drejt një ligji që i referohet qartë “procesit të negociatave dhe anëtarësimit”. Objekt i ligjit është përcaktimi i rregullave dhe procedurave për rolin e Kuvendit, duke përfshirë monitorimin e kuadrit normativ, asistencën financiare të BE-së dhe vetë procesin e negociatave.
Kthimi i rolit të Kuvendit nga formal në substancial projektligji vendos një arkitekturë më të qartë procedurash, përfshin instrumente konkrete si grupimet e kapitujve, qëndrimet e BE-së, piketat e hapjes dhe të mbylljes, plani i përafrimit, rregulla për shqyrtimin e pozicioneve negociuese dhe afate të detyrueshme për komisionin përgjegjës. Për më tepër, parashikohen procedura të përshpejtuara për ligjet e përafrimit dhe marrëveshjet e lidhura me Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit.
Forcimi i mekanizmave të llogaridhënies, bashkëpunimit dhe transparencës. Këshilli i Ministrave duhet të bashkëpunojë me Kuvendin për negociatat, projektmarrëveshjet me BE-në dhe përdorimin e fondeve europiane. Ministri përgjegjës për negociatat dhe kryenegociatori do të raportojnë periodikisht në komisionin për Europën mbi progresin dhe ndjekjen e rekomandimeve të Kuvendit. Riformulohen edhe rregullat për raportimin e institucioneve të pavarura dhe bashkëpunimin me shoqërinë civile.
Roli dhe përbërja e Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian projektligji e qartëson Këshillin si forum bashkërendimi midis forcave politike, institucioneve shtetërore, institucioneve të pavarura dhe shoqërisë civile, me bashkëdrejtim nga mazhoranca dhe opozita, duke garantuar balancë politike dhe vijimësi të procesit. Për më tepër, forcohet dimensioni ndërparlamentar përmes bashkëpunimit me Parlamentin Europian dhe parlamentet e vendeve anëtare.
Relatorja e çështjes, Sara Mila, vuri në dukje se projektligji respekton ndarjen dhe balancimin e pushteteve, duke rritur pjesëmarrjen e grupeve parlamentare, shoqërisë civile dhe grupeve të interesit, si dhe transparencën e Kuvendit gjatë procesit të negociatave.
Mbledhja përfundoi me diskutime dhe komente, dhe më pas komisioni miratoi projektligjin në parim, nen për nen dhe në tërësi.
KOHA JONË SONDAZH

