Myftiu Gurra: Ja pse Ramazani është i veçantë për çdo individ

Myftiu i Tiranës, Ylli Gurra i ftuar në rubrikën “Opinion” në “News 24” shpjegoi se përse Muaji i Ramazanit është i veçantë për çdo individ. Gurra tha se Ramazani është përmendorja e lirisë së besimtarëve. “Ramazani është përmendorja e lirisë së besimtarëve. Muaji i Ramazanit është përkushtim dhe mirënjohje ndaj Zotit. Një nga 8 dyert e parajsës ka emrin e asgjëruesve. Ramazani është i veçantë për çdo individ. Zoti lutet që çdo njeri të mund të jetë gjallë, të mund ta arrijë shëndoshë e mirë këtë muaj të shenjtë”, tha Gurra.

Ylli Gurra nënvizoi se sugjerohet që të gjitha moshat të mbajnë agjërim për Ramazanin, ndërsa shtoi se një praktikë e tillë shton dashurinë në familje e më tej në shoqëri. “Për të agjëruar, të gjitha moshat sugjerohen, madje duke nisur nga ata 8 apo 9 vjeç. Ka gjithëpërfshirje të moshave dhe gjinive. Nuk përfshihen ata persona që janë të sëmurë ose e kanë të pamundur. Sigurisht që agjërimi mbahet më shumë nga të rriturit, por sugjerohet që prindërit t’ju sugjerojnë fëmijëve që kur janë 8 a 9 ose 10 vjeç. Ndoshta fillimisht mund të mbajnë pak orë agjërim, ose vetëm Natën e Kadrit. Kjo do të vlente për vetëpastrim shpirtëror dhe për të përjetuar atmosferën e mrekullueshme të muajit të shenjtë të Ramazanit”, vlerësoi myftiu Gurra.

Myftiu Ylli Gurra shpjegoi gjithashtu se Muaji i Ramazanit nuk është ekskluzivitet i besimtarëve myslimanë, por se atë e kanë edhe fe të tjera si krishtërimi dhe hebrenjtë, të cilët zgjedhin po ashtu të vetësakrifikojnë për Zotin por me orare të tjera. Gurra bëri thirrje ndaj çdo individi se do ta sugjeronte agjërimin, për pastrim shpirtëror të njerëzve, për të ngjallur ndjesinë e ndihmës ndaj të tjerëve, për të respektuar tjetrin, për të ndarë mesazhin e dashurisë njerëzore dhe paqes. /Balkan Web/

SHKARKO APP