Na bashkoi plehu

Nga Jak Simoni/Në përputhje me ndryshimin  e problematikës së jetës në shoqëri ndryshojnë në mënyrë të vazhdueshme dhe ligjet dhe kjo është e natyrshme, pavarësisht se zbatimi i tyre nuk çon vazhdimisht në zgjidhjen e problematikave  për të cilat ishin miratuar. Nën pretekstin e përmirësimit, ky ndryshim bëhet më i madh  sa herë ndryshojnë maxhorancat. Është në natyrën e zhvillimeve të jetës demokratike të një vendi që të ndodhë  kështu, por tek ne këto ndryshime ndodhin në mënyrë  drastike, këtu  mund të përmendim  ligjin për koncesionet, ndarjen territoriale, për arsimin e kështu me radhë……  Kërkohet të bëhet gjithçka ndryshe dhe më mirë nga ato që ishin në pushtet më parë, por ndonjëherë gjendet diçka që i bashkon pushtetarët e sotëm me të djeshmit. Në këtë rast plehu.

Në  Shqipëri, ku sheh mbeturina ngado hedh sytë: në rrugët e qyteteve e të fshatrave, ku lumenjtë formojnë ishuj mbeturinash në grykëderdhje të detit (kujtojmë se vetëm pak vite më parë këto ishuj kanë marrë jetë fëmijësh, të cilët kërkonin të siguronin bukën e gojës duke mbledhur kanoçe).  Në Shqipërinë, ku akoma nuk dihet se çfarë është mbledhja e diferencuar e mbeturinave, u dashka të importohen mbeturina.  Kjo është e pajustifikueshme, është njëkohësisht qesharake dhe dramatike, dhe duke marrë të mirëqenë se gjithçka do të ndodhë ashtu si është parashikuar  në ligj, gjë të cilën pak mund ta besojnë. Vërtetë industria e përpunimit të mbeturinave mund të jetë në vështirësi, por lind pyetja sa industri të tjera janë në vështirësi tek ne? Nuk është e justifikueshme të bëhet  gjithçka  për rritjen imediate të ekonomisë. Ka raste kur zhvillimi i të tashmes mund të jetë shkatërrimi i të ardhmes.

Për të tërhequr investime po devijohen lumenjtë e po thahen lugina të tëra, është shkatërruar  peizazhi i qytetit emblemë të historisë së Shqipërisë, Krujës. Sa turistë do humbasim për gurët që lehtësisht mund të merreshin diku tjetër e për mbeturinat anekënd vendit. Tani po riimportojmë   mbeturina. A nuk po e teprojmë. Hardhuca për të shpëtuar këput bishtin por jo trupin e saj.

SHKARKO APP