Namik Dokle: Spiunë si “Kali i Shalës” dhe “Qukapiku” nuk ka më në parlament
Deputeti i Partisë Socialiste, Namik Dokle ka prezantuar romanin e tij të radhës “Vajzat e mjegullës”, duke vënë në qendër të librit një fëmijë, i cili pasqyron jetën gjatë periudhës komuniste, që nga varfëria, skamja, ideologjia, e më tej dhe deri te spiunët e paguar.
Në një intervistë për “GSH”, Dokle tregon se situata e spiunëve është shumë e njohur dhe ka arritur deri në parlament. – “Situata e tyre është e njohur, aq sa kanë arritur në parlament. Ju e dini debatin për ta, që kanë arritur të vijnë në Parlament, e që ndoshta ka akoma. Janë ata që quheshin 1200 lekëshat, sepse kaq paguheshin. Populli i njihte dhe i quante 1200-a. Unë kam njohur në parlament ndonjë nga këta, po jo në fshatin tim. Nga ditari i xhaxhait e kam ndjerë atmosferën që krijonin. Por kjo më duket se funksionon në çdo kohë, në një mënyrë a një tjetër”- thotë Dokle.
Ai shton më tej se që herët gjatë një fjale në Kuvend ka përmendur edhe pseudonime të spiunëve, të cilët i njihte.
“Unë kam diskutuar në Parlament për këtë çështje. Para vitit 2000 kam mbajtur një fjalë në parlament, ku kam përmendur disa pseudonime që i dija. Nga ato pseudonime, si “Kali i Shalës” apo “Qukapiku”, nuk ka më në Parlament. Mund të ketë të tjerë që unë nuk i di, por ata që unë dija nuk janë më, e ky është fat për Parlamentin. Unë jam për transparencë. Edhe ata mund të kenë qenë viktima të kohës, por, gjithsesi gjërat duhet të dalin në dritë e të njohim njëri-tjetrin”- thotë Dokle.