Nazime Visha, Ballist Morina dhe tallja me shtetin ligjor

 

 

Nga Ilva Tare.

Që kur Ismail Morina, i njohur si “ballisti” që ngriti dronin një vit më parë në stadiumin Partizani të Beogradit, u arrestua me dy pistoleta pa leje, ka nisur një lojë e papranueshme në emër të të ashtuquajturit patriotizëm. Politikanë të rëndësishëm të vendit, në mënyrë flagrante dhe absurde kërkojnë lirimin e tij nga burgu, me argumentin se armët i kishte për vetëmbrojtje. Një kërkesë e tillë jo vetëm është e pakuptimtë, por duhet të jetë e dënueshme për çdo individ që i thotë vetes ligjvënës dhe kërkon të dalë padrejtësisht mbi ligjin.

Fakti që në Shqipëri politikanët nuk kanë respekt për shtetin ligjor dhe që i kanë shkelur ligjet sa herë ua ka diktuar kultura e tyre e abuzimit, nuk do të thotë se janë të legjitimuar dhe as të pranuar nga shoqëria. Nuk është e shpjegueshme se përse duhet të dalë nga qelia një individ që pretendon se ndjehej i kërcënuar dhe të mbahet në burg një grua që ka vrarë përdhunuesin e saj fizik e mendor. Në fund të fundit, të dy kanë vepruar për vetëmbrojtje dhe nëse ligji qenka i kapërcyeshëm për pseudo-patriotizëm atëherë duhet të amnistojë edhe cdo viktime tjetër që shkakon një shoqërie e dhunshme si kjo e jona.

Thirrjet e tifozëve dhe firmat për peticione në mbështetje të Morinës, i cili pretendohet se bëri krenar çdo shqiptar me ngritjen e një flamuri të shfytyruar, ku shkruhej në një gjuhë të pakuptueshme për shqipfolësit “Autochthonous” janë në të drejtën e tyre të ushtrojnë presion për atë çfarë besojnë. Në fund të fundit tifozët në çdo vend të botës njihen për ekzagjerime dhe teprime si në festë dhe në protestë. Por kur kalohet kufiri ligjor ata frenohen, ndalohen madje edhe arrestohen.

Pavarësisht mënyrës përçmuese me të cilën trajtohet ligji në vendin tonë, politikanët e të dyja krahëve, që sa herë u jepet rasti të shkelin ligjin bëhen çuditërisht bashkë si një palë e pandarë, duhet t’i japin fund ushtrimit të presionit ndaj drejtësisë. Rasti i Ismail Morinës nuk duhet të trajtohet as me dashuri sportive dhe as me ndjenja patriotike, pasi nuk jam e bindur se çdo shqiptari i është hedhur zemra përpjetë kur u ngrit mekanizmi fluturues mbi kokat e futbollistëve në 14 tetorin e shkuar.

Hyrje-daljet në qelinë e ballistit më të famshëm të ditëve të fundit janë tregues i selektivitetit më të cilin trajtohen qytetarët shqiptarë përpara ligjit. Në më të shumtën e rasteve kjo ndodh për arsye madhore, siç është korrupsioni i nivelit të lartë apo abuzimi me detyrat publike. Qytetarët janë ndjerë të dorëzuar përpara këtij ligji të pashkruar që favorizon më të fortët, që kanë qëlluar të jenë politikanë ose zgjatime të tyre. Por investimi për çështje gjoja patriotike, është sa banal, aq edhe dëshmi e sistemit të pabesueshëm të drejtësisë. Dhe ndërkohë ne po presim reformën që do të miratohet nga parlamenti i këtyre politikanëve! (javanews)

SHKARKO APP