Ndërpritet sistemi i Thesarit, MF: Pagesa manuale për 10 ditë

Ministria e Financave njofton për një ndërprerje të përkohshme të sistemit të informacionit financiar të qeverisë. Duke dhënë si argument pikërisht atë të zëvendësimit të infrastrukturës ekzistuese.

“Ky sistem nuk do të jetë funksional nga datat 19-28 shkurt. Ky është investimi i parë i bërë në këtë drejtim që nga instalimi dhe funksionimi live i këtij sistemi. Investimi është kryer me fondet e buxhetit.

Dhe kjo ndërprerje nuk do të mundësojë përkohësisht kryerjen nëpërmjet këtij sistemi të transaksioneve të zbatimit të buxhetit të njësive shpenzuese dhe arkëtuese të qeverisjes së përgjithshme. Por kjo nuk do të thotë që do të ndërpriten të gjitha veprimet e arkëtim-pagesave publike”, thuhet në njoftimin e Financave.

Për këtë qëllim, ky dikaster ka nxjerrë edhe një udhëzim, i cili iu është vënë në dispozicion të gjitha njësive shpenzuese, në të cilin inkurajohen institucionet buxhetore të kryejnë ekzekutimin e të gjitha pagesave të muajit shkurt përpara datës 19 shkurt 2016.

Ndërkohë që sqarohet se do të vijohen të kryhen transferta direkte qendrore nëpërmjet Bankës së Shqipërisë, pagesa për Institutin e Sigurimeve Shoqërore (ISSH), Fondin Special të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH), si dhe pagesat e shërbimit të borxhit.

Sikundër, Ministria e Financave shpjegon se ka marrë të gjitha masat për të kryer pagesa qendrore manuale edhe për shpenzime emergjente spitalore me funksion jetësor (blerje oksigjen, gjak, ushqim, etj).

SHKARKO APP