Ndërtimi te parku “Rinia”, Jorida Tabaku akuza Ramës: Po i merr Tiranës një nga mushkëritë e fundit
Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku, akuzon qeverinë se po cenon një prej hapësirave historike të kryeqytetit me ndërtimin e parashikuar në Parkun “Rinia” në Tiranë.
Tabaku thotë se Parku “Rinia” ka marrë në vitin 2007 statusin e zonës së mbrojtur, ndërsa ngre akuza edhe për mënyrën se si është vendosur për ndërtimin. Sipas saj, gjithçka është bërë pa një procedurë transparente.
“Parku ‘Rinia’, i ideuar që në fillim, në krijimin e qytetit, për të qenë një park publik, për të qenë një park në shërbim të qytetit dhe qytetarëve, është një copë historie që duan t’ia hanë e t’ia kafshojnë Tiranës, njësoj siç bënë edhe me Teatrin Kombëtar.
Në vitin 2007 ka marrë edhe statusin e zonës së mbrojtur. Pa asnjë konkurs, pa garë, pa asnjë njoftim, pa asnjë procedurë, njoftuan se këtu do të ndërtohej. Do të ndërtohej duke e prishur këtë copë historie, në një qytet të mbingarkuar me ndërtime, një qytet që sot, fatkeqësisht, po njihet si qytet i pastrimit të parave, nga një park për ta kthyer në një zonë të ndërtuar.
Pasi ia dha besnikut të partisë në vitin 2009, sot qeveria është duke ia dhënë po të njëjtit besnik partie për ndërtim, duke i hequr e fshirë me një të rënë të lapsit historinë e qytetit, vendin ku shumë fëmijë luajnë, por duke i marrë edhe një nga mushkëritë e pakta që i ka mbetur sot Tiranës”, shprehet Tabaku.
Projekti fitues për “Tirana Fountain Plaza” është ai i studios daneze “Bjarke Ingels Group” dhe parashikon zëvendësimin e godinës aktuale të kompleksit “Tajvani”. Qeveria ka deklaruar se ndërhyrja nuk do të prekë gjelbërimin ekzistues të Parkut “Rinia”.

