Ndikimi i heshtur i krizës greke
Kur vëmendja është përqendruar në tregun e brendshëm e luftën ndaj informalitetit, efektet e krizës greke vazhdojnë të gërryejnë ekonominë tonë. Fasoni pothuajse është shuar, transporti është më shumë se përgjysmuar, depozitat nuk u rritën. Në kahun e zhvillimeve pozitive janë zgjerimi i eksporteve tona në Greqi dhe rritja e investimeve të huaja greke në Shqipëri.
Ndërsa ekonomia shqiptare është përfshirë në betejën kundër informalitetit, vëmendja nga efekti negativ i ekonomisë së sëmurë fqinje, Greqisë, u shua. Qeveria, politika, deri tek ekspertët e fushës, po shpenzojnë shumë energji në debatin nëse plaga e brendshme kundër informalitetit po merr kurën e duhur. Ndërkohë, infektimi nga Greqia mbeti në dorë të fatit.
Më saktë, këta muaj u lanë vetëm sipërmarrjet që bashkëpunojnë me tregun grek, si shoqëritë e transportit, fabrikat e fasonit, kompanitë tregtare e, mbi të gjitha, emigrantët e kthyer.
Sipërmarrësit shqiptarë, të pyetur në ditët kur u mbyllën bankat greke, thonë se pak ose asgjë nuk ka ndryshuar nga ato ditë të vështira. Albana Vrapi, një prej drejtuesve të shoqërisë ‘AlbaTrans’, konfirmon se numri i të punësuarve në shoqëri u reduktua për shkak të krizës greke, ndërsa problemi i përditshëm i rrugëve Shqipëri-Greqi vazhdon të jetë pamundësia për të transportuar udhëtarët në Greqi. Me zhvillimet e fundit, kompanitë greke, kanë fituar ekskluzivitetin e transportit atje, ndaj agjensive tona të transportit u duhet të bashkëpunojnë me partnerët e tyre grekë.
Shoqata e Prodhuesve të Veshjeve, nga ana tjetër, bën të ditur se fabrikat e fasonit, pothuajse të gjitha në Jug të vendit, ose kanë mbyllur tërësisht aktivitetin ose e kanë përgjysmuar atë, duke mbijetuar me porosi nga tregje të reja. Por, në fakt, qepja e veshjeve dhe këpucëve për llogari të klientëve grekë është një biznes që u tret si qiri, duke filluar prej vitit 2009 kur dha shenjat e para.
Krizën greke, shumë ekonomistë shqiptarë nuk e panë tërësisht negative në fillim të vitit, pasi vlerësonin se do të rriteshin depozitat nga emigrantët, do të ktheheshin emigrantë që e morën një zanat në Greqi dhe do të mund të rritej më lehtë eksporti ynë në tregun helen.
Le t’i marrim me radhë. Sipas të dhënave të fundit të Bankës së Shqipërisë, depozitat në sistemin bankar shënuan rritje të fortë me rreth 6 miliardë lekë në muajin gusht. Ato arritën në 974 miliardë lekë. Por, ndryshe nga vitet e kaluara, kur në gusht ka pasur rritje të kursimeve të depozituara nga individët, për shkak të prurjeve të emigrantëve, këtë herë, shtimi i depozitave nuk ka ardhur nga individët.
Rritja e depozitave në gusht erdhi në pjesën më të madhe nga shtimi i depozitave të transferueshme në valutë, me rreth 8.1 miliardë lekë. Edhe në lekë, e njëjta kategori është rritur me 3.1 miliardë lekë. Depozitat me afat të individëve vijuan rënien, si në lekë ashtu dhe në valutë, një tendencë që po vijon prej disa muajsh.
Pra, një prej pritshmërive optimiste, në fakt u rendit në kahun e efekteve negative të krizës greke.
Nëse flasim për atë që i druheshim, tërheqjes së depozitave, ndodhi ndonëse nuk mori përmasa shqetësuese. Në korrik, sistemi vuajti dhe një rrjedhje të depozitave, kryesisht në valutë, nga paniku i përhapur i një dalje të mundshme të Greqisë nga euro. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, në korrik, depozitat me afat të individëve (në lekë dhe valutë) ranë me 8.4 miliardë lekë, tkurrja më e fortë në tre vitet e fundit.
Ulja e depozitave nga individët i ka bërë të prekshme pasojat e krizës greke, ku jetojnë e punojnë pjesa më e madhe e emigrantëve në Shqipëri. Një përgjigje të tërthortë për këtë e japin agjencitë e udhëtimeve. Sipërmarrësit thonë se ka rënë në mënyrë të theksuar udhëtimi i tyre. “Nëse një emigrant vinte tre herë në vit, këtë vit ka ardhur një herë ose nuk ka bërë asnjë udhëtim”, thotë një prej drejtuesve të Shoqatës së Transportit Ndërkombëtar në Tiranë. Përfaqësuesit e shoqatës thonë se, nëse bëhet një krahasim me fillimin e krizës, pra rreth gjashtë vite më parë, xhiro e kompanive të transportit me Greqinë ka rënë dhjetë herë.
Për sa i përket kthimit të punëtorëve me një zanat, vitet e fundit kanë treguar se emigrantët që kthehen hapin mobilieri, dyqan veshjesh, fast-food, parukeri, duke sjellë një standard më të lartë shërbimi krahasuar me vendasit. Por shoqatat e biznesit, thonë se emigrantët që kthehen janë pjesë e atyre që duan të hapin një biznes, por që janë stepur nga masat që po merren së fundi nga qeveria. Dyshimet e tyre për një aktivitet privat shtohen me reduktimin e kursimeve të tyre ndër vite.
Shoqatat e biznesit kërkojnë që institucionet të kenë në vëmendje ndikimin e krizës greke e të marrin masa në përgjigje të saj. Ministria e Financave dhe Banka e Shqipërisë kanë pranuar se ekonomia jonë do të jetë 0.25% më pak nga rritja e parashikuar vetëm për shkak të krizës greke, por përfaqësuesit e biznesit paralajmërojnë se efekti do të jetë më i lartë, nëse nuk merren hapa për të zbutur ndikimet në ekonominë tonë.
Po me tregtinë çfarë ndodh?!
Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, eksportet tona drejt Greqisë u rritën vetëm 3.4% në periudhën janar-gusht të këtij viti krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kjo është një prirje pozitive krahasuar me totalin e eksporteve, të cilat ranë pothuajse në këto nivele, por pesha e tregut grek në eksporte mbetet e ulët. Këtë vit, vetëm 3.6% të vlerës së mallrave të nxjerra jashtë kanë përfunduar në Greqi.
Gjithsesi, deficiti tregtar me Greqinë u përmirësua, për shkak të uljes së importeve me 17% në këtë periudhë krahasuar me 8-mujorin e 2014-s.
Sipas të dhënave të tregtisë, deri në fund importuam nga fqinji jugor pak më shumë se 29 miliardë lekë mallra, ndërsa për periudhën janar-gusht 2014, importet ishin mbi 35 miliardë lekë.
Investimet, fitojnë grekët dhe shqiptarët
Në fillimet e krizës greke, konferenca të mëdha të sipërmarrësve grekë po zhvilloheshin në Tiranë. Prirja ishte për të investuar në Shqipëri, një vend me dinamikën që po i mungonte Greqisë. Ndonëse tashmë nuk jemi edhe aq dinamikë (rritja e pritshme ekonomike më pak se 3% këtë vit), sërish mbetemi më mirë se një vend në recesion si Greqia.
Të dhënat e fundit tregojnë se sipërmarrjet greke shohin më shumë mundësi në Shqipëri. Sipas Bankës së Shqipërisë, Greqia ka stokun më të madh të investimeve të huaja në vendin tonë. Gjatë 2014-s, vlera e këtij stoku ishte 1.16 miliardë lekë, duke shënuar një rritje prej 7% krahasuar me një vit më parë. Sektori që mban peshën kryesore në këto investime është telekomunikacioni (AMC dhe Vodafone figurojnë si kompani me kapital grek). Sektorë të tjerë janë industria përpunuese, me 44 milionë euro stok investimesh, tregtia me shumicë, pasuritë e patundshme etj.
Pas saj, Kanadaja vijon të jetë shteti i dytë më i madh për sa i përket stokut të investimeve të huaja të realizuara në Shqipëri, me 775 milionë euro. Megjithatë, në 2014-n, ky stok ka shënuar rënie prej 5.3%. Kontribuuesi më i madh në investimet kanadeze është Bankers Petroleum, i përqendruar në industrinë nxjerrëse.
Italia, ndonëse është partneri kryesor tregtar i vendit, sidomos eksporteve, është investitori i tretë më i madh, me 526 milionë euro, rritje 3.5% në 2014-n. Këtu rolin kryesor e luan industria përpunuese (tekstile e këpucë), me 122 milionë euro; ndërtimi 22 milionë euro; pasuritë e patundshme janë rritur nga 50 në 60 milionë euro./Monito