N’ditëlindjen e lirikut/ “Shkodra dashnorja e qiellit të kaltër… që Migjeni e deshti me nji “dashuni tragjike”

Nga Albert Vataj
Tan u rreken në mnyrën e tyne me ju dhan nji dashnie për t’dashtunin qytet, Shkodrën, qi dite me dasht krejt ndryshe, ngase dote me ken dhe ishte, jo si qytetet e tjera, por si nji përkatsi qi shenjote dallushëm n’hart, tue dasht me diftu se njiksaj nahije krejt bota asht e mishërume, me t’mirë e me t’keq, me t’pagjasë e me gjithditshme njerzish andërrtar e andjetar gjithëfareh. Ishte si i veçueme në historinë dhe në fatin e Shqipnis së atyne viteve, Shkodra, e dritun ma fort dhe e ditun, si tue ken n’gar me metropolet, njajt me kohën. E n’kyt t’kenun i veçuem, asaj nuk i mungote kurrgja, për me dëshmu se dote me dallu prej t’tanve, begatimin e fjalës dhe këndimit, poetit lirik qi e ju dha me “dashuni tragjike” kësaj përkatsie, ku ai, Migjeni, e stolisi me vargun e tij trazimtar e shpirtin e kafshuem prej ligshtimit e idhnimit.
E deshti Migjeni Shkodrën, dhe s’drashti tue i dhan njaq dashni e adhurim, njaq amëlci e idhnim, njaq andrra dhe gazmim, anipse i vdirun prej lëngimit të tuberkulozit qi e përndoqi, e vdekjes qi e ndau prej vargjeve t’tij t’vetëtimshmë, e njatij shpirti fort t’dhembshun…
Kjau e kangës i’a dha zoritshëm, qeshi e u mner, heshti dhe foli… jo nuk foli por gjimoi, siç nji krahnuer din me gjimue nan peshën e rand t’dhimbjes qi s’mujti me e kapërdi, pa i’a lshue piskamës, pa guxu malit me i’a ngjesh, grushtin e paligjshëm.
Migjeni i dha Shkodrës njaq sa veç nji zemër e ligshtueme, e nji shndet i molisun, një gulç shpërthyes e kushtrim i zashëm, munden me i ba vend n’krahnorin e vet ku kolla e gjuen me gjëmime e ithtim poterues.
Shkodra… u ngjiz n’shpirtin e poetit e u mrue me njaq andje, u gatit e gulçoi, shndriti… e mrazit të territ i’u gjegj me shkëndija zemrash e shkreptima buzësh n’puthje tinzare.
Kanilit i lypi dritë me i’u lëshu piskamës, e drojes nuk i bani vend, n’përpjekjen për me i’u dhan kangës së mjerimit, si t’vetmes andërr ku rrxohet njaj turr i mraztë, njajo qasje për me mujt me shku e mrri, sa ma larg, kah dhimbja lyp për me xanun sa ma shum’ vend.
Shkodra, njaj qytet qi Migjeni e deshti me nji “dashuni tragjike”… Shkodra ishte parajsa dhe ferri i tij, vend i bani n’prehnin e vet e qiell i lshoj njasaj thirrje gjëmimtare. Jetoi e kumtoi me te, i dha dhe mori prej njatij hovi… kohë dhe kangë, rënkim e klithmë, ditë t’zezume e mramje lojcake, gjëmim e gjamë, e shterri ndër vaje synin, e buzën i’a eshku me zjarm zemrash.
Për Migjenin ishte dhe mbeti n’pambarim… “Shkodra dashnorja e qiellit të kaltër… e liqenit ëndërrtar në të cillin, në mëngjese të kullueta lan hijen e vet”. E njashtu u rrek me e majt n’zemër dashnin e rrokun, pa i’u dhan shterrimit të frymës.
Me za t’përvajshëm e me hov randuem, u ep e u ndesh, dritoi e vezëlleu, e tue vegue, lypi me ik pa ankim e rënkim, mos me lan mbi dhimbjen, qi e grryen, dhimbjen e vet, qi e molis keqas.
E njashtu, mbetun tue vujt ma shumë se tue gëzu, n’luftën pa i’a da me tançka mujti, Migjeni. Kështu do të shkruajë për Shkodrën kur i’u lyp me e sodiste prej larg, “Këtu në këtë largësi ndjej damarët e saj që rrahin, e rrahin… edhe sikur mjeku që tharpton ftyrën, kur shef se pacienti i tij ka ethe, njashtu edhe unë pezmatohem n’idhnim, tue pa se si pulsi i dashnores seme nuk rreh siç duhet.”
Shkodra, ishte dhe mbeti, njajo qi Migjeni i’u dha me nji “dashuni tragjike”, dashuni e cila pilson në çdo vërshim, e amëlcohet n’tana andrrat, andjet qi e gjejn vend n’njat buzë t’nezun ndër perëndime t’purpurta, përmendet njata zemëra t’djeguna ndër zjarme gjimuse.
Za, za lyp kah ka qiell e zogu kah lshon flatrimin… ikën e vjen, pran e bzan, viket e paqton dhimb e dihamë, tue ken prehër blatimesh adhurimi.
Ky uragan, kalitës i kushtrimit në zjarrin e zemëratës së tij ngre zanin e kumton: “Mjerimi s’don mshirë. Por don vetëm të drejtë”. Çdo ditë e më i vetëdijshëm bëhet poeti e ma e vajtushme diftohet ç’ka synin i rrok e zemra i’a mbështjell. “Përditë shoh qartë e ma qartë dhe vuej thellë e më thellë”. Ai asht i bindur se “inteligjenca pak kuj i solli lumtuni”. Por, në emër të “bijve të shekullit të ri” ai goditi themelet e sistemit të pashpirt: mjerimin, injorancën, amoralitetin, maskat, idhujt e rremë, dogmat e mitet, u ndesh me ta si një Titan, tue i’a besue ç’ka kishte n’zemër, fjalës, penës, vargut, poezisë.
Shpirtja e tij krijuese mrrini shkallën ma t’epërme, tue mbet sot e përgjithnji ndoshta rasti ma autentik, se si fjala, vargu, poezia, mundem me u shndriu në tharmin e gjëmimit të gjokseve e ndeshjes me t’keqen, me mjerimin, me gjithëçfarë skamja m’kote.
Në labirintin e zemrës e të ndjenjave t’poetit, dëshmue përmes “Vargjeve të lira”, gjen strehë, jo aq shumë, vetmia e poetit, se sa papajtueshmënia e tij me ç’ka sheh me sy e plas në zemër, me ç’ka prek me duar e gjoksin i’a gjuen me grushta.
Migjeni vizaton kontraste deri në ekstremet optimizëm, fatalizëm: “Fati ynë mizor, shpate e Damokleut”…”Dritë, jetë, gjallësi askund | vetëm errësinë e skam”…”Në vendin tonë | kudo valojnë | flamujt e një melankolie të trishtueshme”…”Nuk e dishe, o jetë,| se kaq i tmerrtë| asht grushti yt | që mbyt| pa mëshirë”. Në anën tjetër të kontrastit poeti shkruan:” O dhimbe krenare e shpirtit që vuen| dhe shpërthen ndër vargje të lira…| koha do t’ju bijë ngushllimin|…Vuejmë, defrejmë…|Jetën adhurojmë…| dhe adhrojmë pranverën me një apoteozë…Një jetë e re | me dëshira të shumta po buzqesh në lulzim”…”Sado e mjerueme, jeta asht prap e dashtun”…”Qeshu, rini, qeshu! Bota asht e jote”.
Vërshojnë vargjet e Migjenit, pandalim, tue gjet në çdonjenin prej nesh nji dëshir me ken t’yshtun prej pëshpërimës e gjëmimit, kumbimit e kushtrimit, kungimit e atij vullneti qi nuk lyp me u dhan pa luftu.
Ai na mëkoi shpirtin e tij, tue na m’su se si me dasht e me dhimt, se si më gjëmue e me u çue peshë, me e marr vargun e tij e me e ba zemër dhe armë për me u ndesh.
Ky ishte poeti, kjo ishte Shkodra, kjo mundet me mbet, ç’ka Migjeni asht n’ne.

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Si ishte viti 2025 për ju?