Ndregjoni: Dosjet, OSBE mbron krimet e diktaturës
“Shoqëria shqiptare ndodhet përpara fenomenit më të rrezikshëm për ecurinë dhe zhvillimet e demokracisë. Ajo përballet me mosdënimin e ideologjisë kriminale të diktaturës”.
Kjo është problematika që ngre kreu i Unionit Mbarëkombëtar të Integrimit të të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë, Besim Ndregjoni, në një deklaratë të posaçme. Duke shtuar më tej se hapja e dosjeve është një problem i gjithë shoqërisë shqiptare dhe jo vetëm i një mazhorance apo i një partie politike. E në kuadrin e këtij procesi, ai kritikon qeverinë shqiptare, e cila sipas tij, as që ka marrë mundimin të konsultohej me ish-të përndjekurit politikë si grup i interesuar për hartimin e ligjit përkatës. Duke shtuar edhe më tej, e duke e cilësuar këtë të fundit se s’ka asgjë për hapjen e dosjeve, porse vetëm përbaltjen ndaj atyre shqiptarëve që përballuan krimin komunist. “Dhe e rëndësishmja e qeverisë është të mos penalizohen ata që krijuan dosjet dhe që shkaktuan krime makabre ndaj të përndjekurve politikë antikomunistë”, citon Ndregjoni. E sikur nuk mjaftonte kjo sipas tij, zyra e OSBE-së në Tiranë e përkrah këtë ligj të qeverisë, “diskriminues ndaj të përndjekurve politikë”. “Unioni Mbarëkombëtar i Integrimit të të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë këtë deklaratë të OSBE-së që është në mbrojtje të të drejtave dhe lirive të njeriut si organizatë, e që bëhet palë me mazhorancën në mbrojtje të krimeve të komunizmit, e quan të papërgjegjshme ndaj të drejtave dhe lirive të të përndjekurve politikë shqiptarë, dhe i bën me dije se ka indinjuar mijëra familja të përndjekura politike në mbarë Shqipërinë”, apelon kreu i këtij organizmi. Për t’i sjellë më tej në vëmendje OSBE-së edhe shifrat tronditse të krimit komunist që ka ndodhur në Shqipëri gjatë diktaturës. “Të ekzekutuar për motive politike 5037 burra dhe 450 gra. Të dënuar me burgosje politike 21.788 burra dhe 7367 gra. Të internuar për motive politike 48.217 burra dhe 10.792 gra. U dëbuan nga qytetet kryesore dhe nga zonat kufitare 11.536 familje. U pushkatuan apo vdiqën në burgjet shqiptare 64 shtetas të huaj etj”, janë disa nga këto shifra. Duke përfunduar me apelin publik se krimet makbare që ndodhen në dosje, duhet të hapen e të bëhen publike për shoqërinë shqiptare. “Në cilin vend demokratik të botës mbrohen me kushtetutë krimet e diktaturave? Përse në Shqipëri nuk u lejukan të mos dënohen krimet e komunizmit? Dhe habia më e madhe është se krimet e komunizmit mbrohen nga OSBE-ja se u shkelet kushtetuta. Të drejta paskan ata që kryen krime, kurse ne që viktimizuam duhet të heshtim për të drejtat e atyre që na viktimizuan”, përfundon Ndregjoni.
QËNDRIMI
“Lustracioni të nderuar zotërinj të OSBE-së, nuk është të shkelë të drejtat dhe liritë e individit që nuk ka kryer krime, por të penalizojë krimin dhe kriminelin e ideologjinë kriminale që ato të mos përsëriten. Kështu veproi Europa pas luftës dhe me vendet e Europës Juglindore pas rrëzimit të murit të Berlinit, apo për ne shqiptarët duhet të veprohet ndryshe. Si ta kuptojmë deklaratën tuaj në favor të qeverisë dhe të mosdënimit të krimeve të komunizmit në Shqipëri. Apo të dënosh krimin është antikushtetuese? Përse organizata simotra tuaj e kanë pranuar ligjin e lustracionit në Çeki, Poloni, Hungari, etj?”