Ndryshime në legjislacion, MF: Nuk janë gjobitur 90 % e bizneseve (më pak)
Ministria e Financave bëri të ditur të premten, se lajmi i botuar në disa media të shkruara se “janë gjobitur 90 për qind e tatimpaguesve për shkak të defekteve në sistemin e ri informatik të tatimeve” është i pavërtetë.
Në fakt nuk kemi të bëjmë me defekte në sistemin e ri informatik të tatimeve, i cili, për hir të së vërtetës, përtej pritshmërive, po performon shumë mirë dhe ka marrë vlerësime pozitive, si në mjediset e biznesit në vend, ashtu dhe nga organizmat ndërkombëtare e veçanërisht nga FMN, thuhet në njoftimin e MF-së.
Në bazë të ndryshimeve të fundit në legjislacionin fiskal, të ndryshimeve në udhëzimet për zbatimin e këtij legjislacioni dhe për shkak të fillimit të zbatimit të sistemit të ri informatik të tatimeve, duke filluar nga data 1 janar 2015 e në vijim, ka patur ndryshime të rëndësishme lidhur me deklarimin dhe pagesën e detyrimeve tatimore të të gjithë llojeve.
Ministria e Financave sqaron se, duke filluar nga data 1 janar 2015 e në vazhdim, të gjithë llojet e tatimeve që administrohen nga administrata tatimore qëndrore (Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe Drejtoritë e saj Rajonale) , janë përfshirë në sistemin e ri informatik të tatimeve.
Kjo do të thotë se llojet e detyrimeve që ishin të painformatizuara ende, si tatimi mbi të ardhurat i mbajtur në burim, taksat kombëtare, tarifat kombëtare dhe taksa e rentës minerare, tani janë pjesë e sistemit të ri informatik. Ato deklarohen dhe paguhen si çdo detyrim tjetër tatimor i informatizuar, në afatet e përcaktuara ligjore, deri më datë 20 të çdo muaji për tatimin mbi të ardhurat të mbajtur në burim dhe, deri më datë 15 të çdo muaji, për taksat kombetare, tarifat kombëtare dhe rentën minerare.
Pra, zbatimi i sistemit të ri informatik të tatimeve, – bën të ditur MF-ja, – diktoi dorëzimin e detyrueshëm, vetëm nëpërmjet formës elektronike, të deklaratave tatimore për të gjithë llojet e tatimeve.
“Për t’u krijuar mundësinë tatimpaguesve që të realizonin një gjë të tillë, administrata tatimore, në disa rajone, hapi përgjegjësinë tatimore për tatimin mbi të ardhurat në burim të gjithë tatimpaguesve të tyre, përfshirë këtu edhe një kategori tatimpaguesish, që realisht nuk duhej ta merrnin këtë përgjegjësi. Në këto kushte, tatimpaguesit që nuk bënë deklarimet e tyre për këtë lloj detyrimi tatimor janë penalizuar për mosdeklarim në afat. Për këtë, arsye këto ditë është paraqitur dhe miratuar propozimi që tatimpaguesve, të cilët, me fillimin e sistemit të ri të IT, edhe pse nuk kanë patur përgjegjësinë tatimore për një tatim apo taksë të caktuar, janë ngarkuar me këtë përgjegjësi dhe për pasojë janë evidentuar si debitorë pranë administratës tatimore, deri në datën 31.08.2015, u shfuqizohen gjobat dhe interesat e përllogaritura" , citon njoftimi i dikasterit të financave.
"Theksojmë se nuk kemi të bëjmë me ndonjë defekt në sistemin e ri informatik të tatimeve, por me një anomali të ardhur për shkak të volumit të madh të punëve që shoqërojnë natyrshëm një sfidë të tillë madhore si implementimi i sistemit të ri, e cila, me masat që do të merren, do të riparohet pa pasoja për tatimpaguesit".