Ndryshimet klimatike, bie prodhimi i ullirit

Prodhimi i ullirit pësoi rënie vitin e kaluar, si pasojë e uljes së rendimentit të prodhimit për rrënjë në mënyrë të dukshme, në krahasim me një vit më parë. Sipas të dhënave të INSTAT, prodhimi i ka shënuar rënie sistematike gjatë tre viteve të fundit, duke kapur vlerën më të ulët gjatë vitit që shkoi.

Rendimenti për rrënjë vitin që shkoi ishte mesatarisht 12 kilogramë, nga 17 kilogramë që ishte më 2014. Kulmi i prodhimtarisë shihet të ketë qenë në vitin 2012, kur prodhimi për rrënjë shënoi rekorde, duke arritur në 26 kilogramë.

Prodhuesit e ullirit pohuan se shkaku themelor që ndikon rendimentin janë ndryshimet klimatike. Në kohën e lulëzimit pati reshje të mëdha, ndërsa thatësira e ka ndikuar negativisht në formësimin dhe rritjen e kokrrave të ullirit. Një pjesë e madhe tokave të mbjella me këto kultura nuk kanë sistem vaditës modern dhe janë të varura totalisht nga reshjet. Por prodhuesit pohojnë se edhe reshjet e tepërta e ndikojnë negativisht prodhimin, duke argumentuar se ulliri futet në drunjtë frutorë, me një ndjeshmëri të lartë ndaj ndryshimeve të klimës.

Rënien më të madhe e shënoi Tirana, ku u prodhua rreth dhjetë herë më pak se një vit më parë. Borneo Muka, prodhues i vajit të ullirit në periferi të kryeqytetit, tregon se për shkak të prodhimit të varfër, shumë punishte nuk i vunë në punë makineritë.

Muka thotë se, një problem tjetër janë dhe ullinjtë e vjetër që, për shkak të strukturës që kanë, nuk arrijnë dot të prodhojnë çdo vit. Ndërsa fidanët e rinj që janë mbjellë këto vite, 30% kanë qëlluar fidanë mashkull, nuk kanë dhënë prodhim. Ai thotë se mungon një strategji kombëtare për ullirin, që të mund të nxjerrë ullishtat nga kushtet e tyre natyrale të prodhimit.

Plantacionet e para që u subvencionuan nga buxheti i shtetit kanë filluar të japin frytet e para vitin e kaluar, por sipas fermerëve, rendimenti është ai i nivelit fillestar. Ndërkohë që strategjia kombëtare e ullirit ka lënë vetëm shenjat e para të ullishtave intensive në zonën e Kavajës, për t’u braktisur nga politika e zhvillimit bujqësor të qeverisjes. Ato çfarë ishin dhe vazhdojnë të mbeten në terren edhe ditët e sotme janë programet e huaja të financimit, të cilat, megjithëse kanë rritur vëmendjen e fermerëve për t’u kujdesur më shumë për drurin e ullirit, nuk kanë qenë aq të vlefshme se sa pritej, përderisa prodhimi nuk siguron qëndrueshmëri e të marrin kthesën e rritjes, thotë Muka.

Nga ana tjetër, shifrat tregojnë se nuk ka pasur një përmirësim, pra një rritje të mundshme të konsumit të vajit të ullirit. Një produkt shumë i këshilluar për konsum e për trajtime, për shkak të vlerave të larta kurative, vazhdojmë ta konsumojmë shumë pak krahasuar me fqinjët tanë. Sipas vlerësimeve të fundit, niveli mesatar i konsumit në Shqipëri nuk i kalon 2.5 litër vaj ulliri në vit. Krahasuar me pesë vite më parë, sasia e konsumit është rritur me rreth 40%, por mbetet shumë larg nivelit mesatar europian të konsumit.

Sipas prodhuesit të vajit ekstra të virgjër “Borneo”, “për të prodhuar një litër vaj ulliri (ekstra) nevojiten 6-7 kg ullinj”. Çmimi i një kilogram ulliri me shumicë në vendin tonë vërtitet te 120 lekë, ndaj kostoja e prodhimit të një litri vaj ulliri ekstra i tejkalon 1 mijë lekët.

SHKARKO APP