Në Antalia përgatitet ëmbëlsira 633 metra e gjatë
Në rajonin Kemer në Antalja të Turqisë u zhvillua prova për thyerjen e rekordit të kekut me fruta më të gjatë në botë.
Mjeshtrit e kekut në kuadër të “Rixy Fest” i cili zhvillohet çdo vit tradicionalisht në një hotel me 5 yje në lagjen Tekirova, kanë punuar për provën e thyerjes së rekordit për kekun më të gjatë në botë.
Sipas mediave turke, në festivalin ku morën pjesë edhe rreth 1000 fëmijë nga 54 vende, keku u përfundua për një kohë 1 mujore nga 150 persona. Gjatë bërjes së kekut kanë qenë të pranishëm edhe disa fëmijë me veshje tradicionale nga vende të ndryshme.
Keku me fruta është matur dhe ka rezultuar të jetë 633 metra e 3 cm nga këshilltari i Rekordeve Guinness dhe kreu i departamentit të inxhinierisë minerare në Universitetin Teknik të Stambollit Prof. Dr. Orhan Kural, si dhe nga këshilltari i Rekordeve Guinness, Aydın Türkgücü.
Orhan Kural, në një deklaratë për gazetarët në kuadër të festivalit tha se prova për rekordin është kryer pa problem.
Duke vënë në dukje se dosjet e përgatitura për të regjistruar provën e rekordit, do të dërgohen në qendrën e përgjithshme të Guinness, Kural është shprehur “Rekordi i mëparshëm i përkiste Indonezisë me 561 metra. Ndërsa ne këtu kemi bërë një kek 633 metra e 3 cm.”