Në arkivolin e ish-presidentit polak gjenden mbetje të huaja

Hetuesit polakë thanë se mbetjet e dy njerëzve të tjerë janë gjetur në arkivolin e ish-presidentit të Polonisë, Lech Kaczynski, i cili, së bashku me dhjetëra zyrtarë të tjerë, ka vdekur nga rrëzimi i aeroplanit, në vitin 2010.

Njëzeteshtatë zhvarrime janë bërë deri më tash, prejse Polonia ka nisur hetime të reja, vitin e kaluar.

Mbetjet e viktimave janë përzier në 11 arkivole, thanë hetuesit.

Aeroplani është rrëzuar pranë Smolenskut, në perëndim të Rusisë.

Hetuesit rusë dhe polakë kanë konstatuar se aksidenti është shkaktuar me gabim të pilotit.

Por, partia polake për Ligj dhe Drejtësi (PiS), e udhëhequr nga vëllai binjak i Lech Kaczynskit, Jaroslav, ka marrë pushtetin në tetor të vitit 2015 dhe ka nisur hetime të reja.

Disa anëtarë të kësaj partie besojnë se aeroplani është rrëzuar me eksploziv.

Disa po ashtu thonë se kontrollorët e trafikut ajror rus qëllimisht e kanë kequdhëzuar ekuipazhin.

SHKARKO APP