Në Ballkanin e shkuar apo në Europën e ardhshme?
Projekti i deritanishëm i Xhamisë së Madhe në kryeqytet (dhuratë nga qeveria e shkuar), e kthen Tiranën në një “Stamboll të vockël”, si në Stamboll, si në Tiranë do jetë e njëjta pamje. Zgjidhje për faltoren myslimane është ndërtimi i sipas një arkitekture të ngjashme me atë në Rijeka të Kroacisë ose Strasburg të Francës, të dyja të përfunduara në vitin 2013.
Me një faltore myslimane të stilit europian, shqiptarët dhe jo-shqiptarët do i përfytyrojnë shqiptarët si pjesë e Europës Juglindore, pjesë e Europës. Me një xhami të stilit të vendeve të lindjes, shqiptarët dhe jo-shqiptarët do i përfytyrojnë shqiptarët si pjesë e Ballkanit, zgjatimit oriental në Europë, të ardhur nga vendet arabe dhe që nuk e meritojnë qytetërimin dhe shërbimin europian. Tradita e besimit mysliman shqiptar ka veçantitë e tij edhe arkitekturore, në gjithë mozaikun e këtij besimi. Kjo gjë nevojitet të shprehet edhe me ndërtimin e kësaj faltoreje. Një model që të mos jetë kopje e xhamive të tjera, por që ka simbolikën e duhur dhe nuk përçon mesazhe kundrathënëse.
Faltoret fetare janë qendra shpirtërore ku një njeri me vullnet të lirë mund të gjejë paqe, respekt dhe lehtësim. Projekti i tanishëm nuk pasqyron modelin shqiptar europian për të ardhmen. Përparimi dhe bashkimi shqiptar nuk arrihet me ndërtimin prej grekëve të katedrales ortodokse dhe prej turqve osmanë të xhamisë në Tiranë. Atë që osmanët nuk e bënë me forcën e armëve, duket sikur po e riprovojnë me anën e ideve emocionale. Kjo përputhet me shprehjen e Viktor Hygosë (1802-1885) se: "Një popull mund t'i bëjë ballë pushtimit ushtarak, por nuk mund t'i bëjë ballë pushtimit prej ideve".