Në bregun e padijes

 

Nga Enkel Demi
Kemi një klasë politike e cila lëçit pak, por që është tejet e zonja në përdorimin e metaforës. Eshtë zakon i vjetër që gazetarët të mundohen të lexojnë mes rreshtash dhe të deshifrojnë. Nuk jam i aftë të them se kur ka nisur, por tashmë e folura me nënkuptime, me mesazhe të tërthorta, me kunja të hedhura në largësi për tymçe të paplasura, është kthyer në sportin e vetëm politik. Sa herë ka ngjarje, gazetarët duhet të mprehin vigjilencën për të kuptuar humorin ose të papriturat që po gatuhen në kuzhinën e politikës.

Në festën e Kombëtares, Meta sajdisi Nishanin, e ky i fundit tifozët kuqezi dhe Lulin. Në zijafetin e Filipit u gëzua njerëzia se Rama dhe Meta ndenjën në të njëjtën tryezë, por në Kuvend, teksa Rama fliste, jo vetëm Meta, por edhe ministrat e deputetët e tij nuk qëndruan në sallë. Ristani e shkundi votën në këshillin e mandateve, por Jozefina i tundi facebook-un; nga partia doli deklarata. Me kë është Ristani? Me Lulin, apo me doktorin?

Çkodifikimi i gjithë këtyre ngjarjeve dhe historive të verdha ka gjasa të kryhet vetëm me metodat analoge që përdoreshin dikur në luftën e ftohtë. Nuk ka përse krijon çudi nëse sheh komentatorë apo analistë të marrin librin e telefonit, volumin me kapak të kuq të “Shënime mbi Kinën”, apo fjalëkryqet e Kadri Vokopolës, dhe mes gërmave, faqeve, shenjave rendore, të gjejnë mesazhet e duhura, urdhra, kumte të padala në pah. I vetmi që flet ashiqare është Albin Kurti, i cili pritet që së shpejti të nxjerrë në dritë një doracak për përdorimin shëndetësor të gazit lotsjellës. Të tjerët janë të mbuluar nga një tis enigmatik, nga një tymnajë që krijon perden ndarëse me vdekatarët e thjeshtë. Ata që munden ta kuptojnë enigmën, të gjejnë çelësat e duhur, si Withers-i fjala vjen, ata fitojnë bregun e pakicës që gëzon diturinë.

Ndaj dhe politikanët e ditur shkojnë vetëm tek gazetarët e ditur. Nëse kryeministri thotë se nuk ka biseduar kurrë me Metën për ndryshime në qeveri, çkoduesit e ditur e dinë se kur bie qeveria, para Kshnellave apo para Shën Valentinit. Kur Ilir Meta shton të nesërmen se qeveria ka nevojë për impulse të reja, atëherë një pjesë e parashikimit doli: pra, qeveria bie. Tash na duhet të gjejmë vetëm kohën; rinis shfletimi i librave që përmbajnë sekretin e zbërthimit, “Si të gatuajmë”, apo Vepra 19, botimi i parë!

Jetojmë në një kohë kur edhe fqinja e lagjes me forma të rrumbullakëta bëhet celebrity prej Instagram-it dhe rrjeteve sociale. Bjerrim ditët tona duke shkëmbyer mesazhe në kohë reale me Alaskën, ku flasim pa pare me Viper me Moskën; naçut nuk shkojnë më në kinema, se presin ta shkarkojnë filmin nga interneti, ku intelektualët e rinj nuk diskutojnë për diferencat mes Remarkut, Heminguejit, Dos Pasosit, por bëjnë debat për serialët suedezë dhe vlerat e “Breaking Bad”-it. Pikërisht në këtë kohë, kur fëmija të njofton me whatsapp t’i vësh gjellën në zjarr, se po vjen nga shkolla, ti je në bregun e padijes duke kruar kokën, sepse ende nuk ke gjetur çelësin e zbërthimit të fjalës “impuls” që del prej një takimi të shumëditurish, si Ruçi, Xhafa, Rama, Meta.

Më mirë t’i japësh dum dhe të presësh të të ndriçojë Preçi tek Fevziu, meqë po udhëheq negociatat Rama-Basha! /tesheshi.com/

SHKARKO APP