Në buxhetin e vitit 2015, investimet publike janë planifikuar 5 % e PBB-së
Sipas projektbuxhetit të vitit 2015, i cili pritet këto ditë të prezantohet në Konferencën e Kryetarëve në Kuvend për t’u shqyrtuar më pas në komisionet e përhershme parlamentare, investimet e parashikuara për sektorin e transportit dhe ujësjellës kanalizimeve zënë 52% të totalit të investimeve. Ministritë e Arsimit, Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale zënë rreth 8,3% të totalit të fondeve.
Sipas pr/buxhetit, investimet me financim të brendshëm për ministrinë e Arsimit dhe Sportit janë rritur në 570 milionë lekë. Sipas relacionit të pr/buxhetit, gjatë vitit që vjen synohet ulja e aksidenteve rrugore duke përmirësuar sinjalistikën dhe mirëmbajtjen e segmenteve të rrezikshme dhe mbylljen e disa akseve kryesore.
Përmes investimeve synohet rritja e sigurisë së qarkullimit rrugor, përmirësimi i komponentëve të sigurisë rrugore me sinjalistikë dhe përmirësimin e pikave të rrezikut, përmirësimi i sigurisë dhe sinjalistikës rrugore në superstradën Tiranë-Durrës dhe segmentin Kashar-Rinas, përmirësimi dhe rifreskimi i sinjalistikës vertikale/horizontale në akset kombëtare, menaxhimi dhe mirëmbajtja e pajisjeve dhe operimit të tunelit të Thirrës dhe të Kërrabës.
Parashikohet dhënia me koncesion e shërbimit të mirëmbajtjes së autostradës Milot-Rrëshen-Morinë, me gjatësi 115 km.
Po ashtu investimet e qeverisë synojnë vënien në eficiencë të rrugëve që lidhen me zonat turistike të vendit si rrugët lidhëse me bregdetin jugperëndimor, Qafë Thanë-Lin-Pogradec-Tushemisht, rrugës së Valbonës B.Curri-Margegaj-Dragobi-Valbonë, Gjinarit, Shishtavecit, etj.
Ndërtimi i rrugëve që lidhen me zonat kufitare, si: vazhdimi i punimeve për ndërtimin e rrugës Librazhd-Q.Studë-Ura e Çerenecit, Ersekë-Leskovik etj. Ndër projektet e reja që parashikohet të zbatohen me financim të huaj në periudhën afatmesme planifikohen ndërtimi i rrugës Qukës-Qafë Plloçë, By Pass-i Vlorë, Rrogozhinë, Tepelenë etj.