Në Çamëri nuk shkohet kështu
Nga Ilir Levonja
Çamëria nuk është plaga e vetme e shqiptarëve, por një nga ato më të dhembshet në historinë e tyre. Por po ashtu, si shumë vraje kohërash, edhe ajo nuk i ka shpëtuar koklavitjes për së pari brenda Shqipërisë, midis Greqisë dhe Europës. Megjithatë më prapësia është si ngahera mendësia, pa aftësia, pa zotësia…, a gërrgërrja brenda sojit. Sojit tonë. Pra inati me njëri-tjetrin dhe mos konkludimi në një unifikim shqiptar. Ai i tipit demagog. Që në emër të një çështje kërkon të qëndrojë përjetësisht në pushtet.
1)Shumë herë kam dashur të shkruaj për Çamërinë. Më saktë për punën e shqiptarëve çemër. Për të drejtat e tyre mbi pronën, genocidin, dëbimin apo shkëmbimin e popullatës. Por është një sprovë e madhe. Që kërkon përkushtim. Dhe nuk kam droje të them se më luhatet dora. Janë në mes një mori historish e fatkeqësi, përdhunime, vrasje, plaçkitje, poshtërimi, ashtu sikur edhe koha e atyre viteve. Por nuk jam ulur. Edhe këtë opinion e quaj diçka përkitas për shkak se në këto dy ditë, ku çamët tashmë me parti të konsoliduar, po grinden me inat për një ministër grek, që bën një vizitë sa të zakonshme aq dhe premtuese për momentin në Shqipëri. Kjo nisur edhe nga acarimi i marrëdhënieve mes dy vendeve tona. Të mos harrojmë, jo më larg se në maj të 2015-ës, Kryeministri grek refuzoi ftesën e Ramës për pjesëmarrje në Samitin e Kryeministrave të Rajonit. Organizuar nga qeveria jonë, në Tiranë. Dhe midis të tjerave më habiti fakti se si në pritjen, në Kuvendin e Shqipërisë. Pikërisht aty ku duhej, pranë Metës, nuk u shfaq nënKryetari i Kuvendit. Dhe Kryetari i çemërve Shpëtim Idrizi?
Mua më duket se pikërisht, këtu. Tek bërja e Partisë. Apo ekzistenca e Partisë mori fund dhe një çështje kaq e madhe. Pasi pas ikjes së ministrit grek, Idrizi foli sikur e kishte përgjuar atë. I mbyllur diku. Në një kthinë të Kuvendit. Kur shefi i madh fliste me grekun.
Pra retorika e natyrës me patos patriotik, është pikë së fundi, politikë. Jo më Çamëri.
2)Por le t'i kthehemi për pak memories, për të kuptuar gërrgërrjen, retorikën politike. Dhe largimin nga çështja madhore.
Në fillim çemërit tanë ishin një pjesë e madhe demokratë. Një pjesë socialistë. Një shoqatë. Më pas parti. Jo larg nga sot, shkurt 2011. Atë botë më erdhi mirë. Në fund të fud të fundit janë pjesa e shqiptarëve ndër më të përsekutuarit. Madje deri edhe nga ne vetvetja e tërë. Por shpejt e gjykova se partia do e dëmtonte çështjen. Thjesht, çështja nuk është politikë për tu përfaqësuar në legjislativ. Jo se çemërit nuk duhet të qeverisin. Jo se ata nuk duhet të drejtojnë. Përkundrazi ata janë pjesë organike e qënies shqiptare. Kështu edhe çështja çame. Ndërsa në këtë formë, me parti, duket sikur ka marrë pjesën e një pakice kombëtare. Brenda nesh. Përndryshe pse i duhej Shpëtimit posti i nënKryetarit të Kuvendit? Për të përgjuar nga paradhomat e Metës, bisedën me grekun maskara? Për ca vende pune? Për integrim? Ku? Në shtëpinë e vet?
3) Përse jemi gërrgërras. Dhe patriotë të padobishëm? Vura re dje, midis të tjerave, tek-tuk. Një lloj inati nga grekërve. Ndaj grekut. Që mirë apo keq, në kohën më të vështirë për Greqinë. Marksisti i poshtër, udhëton edhe në Kosovë. Pi dhe një kafe faqje të gjithë me Hashim Thaçin. Kur Greqia nuk e ka njohur Kosovën. Dhe Partia e Shpëtimit e ka në program edhe Kosovën. Në aspektimin e bashkimit kombëtar. Pra ka tentativë për bisedime. Por ne këto nuk i bëjmë. Ose nuk dimë të bisedojmë. Ndaj përdorim patosin patriotik duke u thënë shqiptarëve se sa nazist, se sa diskriminues ishte greku. Madje na habit se si nuk kërkoi falje.
Tani kjo puna e të falurit nga të huajt është kollajllëk për ne. Ne akoma nuk i kemi kërkuar të falur njëri-tjetrit. Një burri i mençur çam, më fliste dikur edhe për martesat brenda fisit. Në mënyrë që të mos u shuhej soji. Dikur e quajti gabim. Dhe në atë pleqërinë e syve me lot më tha se, kemi ne gjynahet tona. Por gjynahi më i madh është kur tall vëllai vëllain.
Akoma për faljen. Një nga gjeneralët e parë që kishim, Teme Sejkon, e vdiqëm me tortura Akoma nuk i kemi kërkuar falje.
Akoma për faljen. Dhe me që jemi te gërrgërrjet tona. Sidomos kur përdorim retorikën e demaskimit me përbuzje të grekut të poshtër, grek i pa besë. Qelbësirat. Komunistët e vjetër apo marksist-leninistët që i përkëdhel Europa. Në analogji mund t'i përgjigjet edhe gërrvërrja jonë e parë. Ne vetë i themi njëri-tjetrit…, ose kur duam të poshtërojmë dikë, sidomos për pabesi, i themi çam i pabesë. Ose çamin më të mirë vare në qëndër të qytetit. Dhe nga ana tjetër, edhe pse mburremi se i kemi dhënë strehë, i kemi trajtuar me mëshirë. I kemi përdorur si karrocierë, zanatellinjë dhe pak në poste të larta.
A i ka kërkuar falje vëllai, vëllait? Hiç fare. Si mund të presim nga greku.
4) Së pari nga vetë çamët. Këta shqiptarë që e kanë izoluar veten në një ishull, brenda familjes sonë të madhe. Këtë ishullizim e shoh sot pikërisht përmes Partisë së tyre, PDIU. Asaj faqe blu me degën e ullirit dhe me pjesëmarrje kaq të gjërë në zgjedhje politike. Duke marrë vendin e nënKryetarit të Kuvendit. I cili ndenji në paradhomë ndërsa Meta postoi kudo me vrap fotot nga takimi me grekun. Kishte arsye, i duhej të rehabilitohej. Nuk ia vari as Merkeli nga Gjermania, as Nuland nga SHBA. Po ashtu me vrap nxitoi edhe Basha. I kërkoi llogari. Nuk e bëri sa ishte në pushtet. Nuk e kanë bërë deri dje thuajse të gjithë qeveritarët tanë. Ose e kanë bëlbëzuar. I hapën dyert Greqisë, deri tek kockat e besimit. I lumturoheshin arratisë nëpër male të robve të tyre, duke fërkuar duart për buxhetin e bjerrur. Si shenjë progresi i ekonomisë formale.
Përkundrazi edhe në pikën e hallit greku ishte më i përgatitur. Dhe më i qetë se kushdo nga ne. Por kur kënaqesh me paradhomën e Kuvendit. Me Bashkinë e Rrogozhinës, Konispolit etj. Një çështje kthehet në shtratin e gërrgërrjes shqiptare. Ligji i luftës, ligji i ujrave. Një deklaratë që duhej, që greku ta bënte. Ndërkohë kur dihet qartësisht se, asnjë deklaratë, asnjë marrëveshje ndër qeveritare nuik pi ujë pa miratimin e Kuvendit të Greqisë. E bëri Papandreu i madh dikur, dhe nuk piu ujë. Ashtu mbeti, një marrëveshje qeverish. Por që të shkohet deri tek Kuvendi, duhet për së pari të mundim veteveten. Gërrëgërrjen. Jo të fitojmë Rrogozhinën. Përmes Rrogozhinës dhe paradhomës së Kuvendit. Nuk fitohet çështja çame. Asnjëherë. Rrogozhina nuk është Paramithia.