Në ditëlindjen e Sokol Olldashit … Vargjet ku shkruan për vdekjen

Nga Zenepe Luka

Në këtë 17 dhjetor, Sokol Olldashi, Koli i mëmës së shtrenjtë Kozetës dhe i tezeve që e kishin si djalë mbush 42 vjeç. E dhimbshme kjo ditëlindje, teksa ka plot një vit që ai është ndarë nga jeta. Pikërisht në këtë ditëlindje të mbushur me dhimbje, jo Sokoli, por nëna,vëllai, bashkëshortja, djemtë, të afërmit dhe miqtë do të jetojnë me evente të rëndësishme, me poezinë e tij. Sot në Pallatin e Kulturës “Aleksandër Moisiu” në Durrës organizohet ceremonia e dhënies së titullit “Qytetar Nderi” i Durrësit, Sokol Olldashit. Ka qenë kjo një kërkesë e shoqatës “Durrësi” drejtuar këshillit bashkiak të qytetit, që në unanimanitet të plotë, i kanë akorduar djalit të tyre titullin e lartë “Qytetar Nderi”. Ndërsa në Teatrin Kombëtar promovohet libri “Unë jam Unë”. Ky është libri i dytë i poetit të ndjerë, që për ironi të fatit, nuk është shfaqur në publik si poet. Libri i parë titulluar “Teatri i Hijeve”, vargje të shkruara kur ishte student në fakultetin e Juridikut dhe shtypur në shtypshkronjën “Rilindja” Kosovë, nuk është promovuar, ndoshta për shkak të modestisë e thjeshtësisë që e karakterizonte, ndërsa për librin e dytë, që promovohet sot, Ai nuk është më… Po cila është poezia e Sokol Olldashit, që vjen si një rrebesh në fushën e krijimtarisë letrare pas viteve ‘90-të?

 

Shkrimtari i madh shkruan në parathënien e librit

Dritëro Agolli për librin "Unë jam Unë" i Sokol Olldashit:

“Të shkruaj një vlerësim për një vëllim siç po më ndodh sot me librin “Sfidë” të poetit Sokol Olldashi, djalit të studentes sime të dashur Kozeta Mamaqit, aq më shumë që ai vdiq në aksident automobilistik, nuk është gjë e lehtë. Duhet të dini që 83 vjet, sa ç’jam unë, nuk janë pak. Është një jetë e tërë, me shumë ngjarje, të gëzuara apo të hidhëruara, të stuhishme apo monotone, por megjithatë, e mora këtë dosje me poezi për ta lexuar. Mund t’Ju them që në fillim, se poezitë e djaloshit impulsiv më kanë dhënë një kënaqësi të veçantë shpirtërore, më kanë ngjallur optimizmin dhe shpresën se ka lindur në letërsi një brez i ri i talentuar, madje shumë i talentuar, që do t’u shtohet brezave të krijimtarisë artistike në të gjitha fushat në Shqipërinë tonë të vogël, por me artistë të mëdhenj, të veçantë dhe të guximshëm. Këtë ndjenjë ma përcollën dhe këtë shpresë ma ngjallën poezitë e ndjera e të fuqishme të poetit Sokol Olldashi. Pikërisht kjo poezi e përfaqësuar më së miri nga Sokoli do të jetë poezia e brezit të shekullit të 21-të, që vijnë me zërin, forcën artistike dhe veçantinë e tyre, sigurisht duke ruajtur, por edhe duke e pasuruar trungun e traditës sonë shqiptare, pse jo edhe botërore.

Vëllimi poetik “Sfidë” është ndarë në kapituj, ose siç e përcakton poeti, kreu i parë, i dyti e me radhë. Por për mua që shumë poezi i kam lexuar me lupë, pasi sytë nuk më shohin si dikur, të gjitha poezitë i përshkon si një fill i përbashkët “Sfida”, siç është edhe vetë titulli i vëllimit poetik; sfida ndaj shoqërisë njerëzore, ndaj natyrës, ndaj jetës dhe vdekjes, ndaj mikut, shokut, por edhe armikut. Duke ndjerë kënaqësinë që të sjell poezia e vërtetë i thashë dhe gruas sime, Sadijes, që t’i recitojë, jo lexim të thjeshtë, pasi doja t’i shijoja në gjithë qenien time.

Kam dëshirë t’ju citoj vetëm poezinë “Valsi i Merimangave” që më ka bërë shumë përshtypje për filozofinë që përcjell, për fantazinë që të ngjall, për bukurinë artistike dhe estetike. Në këto pak shënime, unë nuk kam marrë përsipër të bëj një analizë kritike vlerësuese apo estetike, për poezinë e një niveli të lartë dhe të çuditshëm të poetit të vërtetë Sokol Olldashi. Megjithatë nuk më durohet pa shprehur ndonjë mendim estetik, qoftë edhe fluturimthi. Duke lexuar poezinë e tij, ndjej një synim ekspresionist, ku ngarkesa e shpirtit me ndjenja shpërthen dhe shkrihet me ndjenjat e mendimet e shoqërisë, veçanërisht me dhimbjen dhe ky shpërthim nuk bëhet ne mes apo në fund të një poezie, por në tërësinë e saj. Në këtë tërësi është edhe metafora, edhe elementet e tjera të poezisë. Një poezi e gjitha është metafore dhe nuk gjen metafora thjesht si kategori gramatikore. Le ta shohim me këtë sy poezinë “Valsi i Merimangave”…

 

“Ndër rrjedha shtjellore merimangash jetojmë,

Pa mundur të lëvizim një çast ndër helme

Gjysma në një rrjetë

Gjysma në një tjetër

Merimanga

Në kokat tona kërcen vals”.

 

Duke marrë shkas nga kjo poezi, dua t’ju them se mjeshtëria poetike e Sokol Olldashit ka në strukturën e saj nje varg te çliruar tonik, ametrik dhe arimik, por me intonacion muzikor. Vargu në poezi mund të jetë i rregullt, i çliruar, i lirë, por muzikaliteti nuk duhet të mungojë. Dhe Sokol Olldashi këtë dhunti e ka ruajtur.

Dritëro AGOLLI

Nëntor 2014

 

Redaktori i librit, flet eksluzivisht për “Koha Jonë”

Kritiku Mexhit Prençi:

Një poet i jashtëzakonshëm

 

Poezia e Sokol Olladashit është një prurje e veçantë në letërsinë shqipe. Në këtë libër me dyqind faqe, të ndarë në dhjetë kapituj, ku numurohen 83 poezi të shoqëruara edhe me grafikë, lexuesi do të gjejë poezinë moderne, një zë të fuqishëm, i sfidës së vetvetes, është një personazh i jashtëzakonshëm.Poezia e tij është klasike, filozofike, ndaj themi me plot gojën se Sokol Olldashi është një poet modern, original, që vjen si ortek i fuqishëm në lëmin e poezisë shqipe.

Z.Prençi, përse i është vënë titulli “Unë jam Unë”?

Është titulli i një poezie, e kanë thënë edhe në pasthënien që është në libër. Sokoli është vetvetja, ka të veçantën e tij, është i thellë, ka filozofinë e tij, një zë i jashtëzakonshëm. Nuk janë fjalë për të thënë, por është konkluzioni që do ta nxjerrë lexuesi që do të njihet me poezinë e këtij poeti të ri, që la pas një poezi moderne.

Unë kam lexuar librin e parë të Sokolit “Teatri i Hijeve”, ku autori i kushton shumë vargje vdekjes. Si do ta komentonit ju, ishte një parandjenjë, përballje, apo sfidë e autorit me vdekjen, që erdhi aq shpejt?

Janë rreth 20 poezi që i kushton vdekjes, ndaj themi se është një zë i veçantë.Krijimtaria e tij është sfidë nfaj jetës së tij të vështirë, ndaj zhgënjimeve që ka pasur në jetë dhe teksa lexuesit do të marrin në duar këtë libër, do të kuptojnë se në vargjet e Sokolit, është sfiduar edhe vdekja… Ai la pas një pasuri të vyer, të panjohur, por që do të jetë përjetësisht një zë i përjetëshëm në fushën e poezisë shqipe….

 

Poezi nga Sokol Olldashi

(nga vëllimi poetik “Teatri i hijeve”)

 

Të DIELËN

 

Do të shkoj në varreza të dielën,

Pa dalë dielli ende në ndajnatë,

S’do ta zgjoj rojen syfjetur,

Qetësisht do ta mbyll portën prapë.

                ***

Do të eci i heshtur ndër varre,

Në mes emrash që të shumtën s’i njoh.

Pak vend bosh do gjej të ngul kryqin,

Në dheun nga shirat bërë llohë.

                ***

Do të ndez më pas një qiri,

Një cigare me qiririn të ndez,

E paketën në plis do ta fsheh,

Që ta pi pasi të vdes.

E do të ik…

 

 

FUNERAL TRIPTIK

 

Popujt janë kortezhe të përmortshme,

Grumbuj dykëmbëshash pas një arkivoli që vrapon.

Ata e vranë, e përcjellin,

E qajnë.

Në fund të fundit me dhé Ata e mbulojnë.

Prifti bën Meshën e Fundit.

U uron krimbave oreks.

Jeta është një vdekje në marshim,

Një hipokrizi funebre nga pas,

Mbi të cilën

Zotat pshurrin në formë shiu,

Njerëzit në formë lotësh.

 

Unë jam një funeral i gjatë,

Një qefin i dalë nga një maternitet,

Në emër të Atit, Birit, Shpirtit të Shenjtë,

AMEN… …

 

 

TË PAKTËN TI

 

Mos më mundo më kot, nënë!

Mos më fol

Për pranverë,

Lule,

Qiej të kaltër,

Zogj,

Mirësi!

Mos më gënje, të lutem,

As për Mujër, Halilër,

Që kasaphanën ta ndërrojnë me kasaphanë,

Për ëngjëj çengelë,

Ku varur rrinë kombet,

Si lopë të rrjepura, me miza ndër zorrë!

Mos më gënje, zemër!

Të paktën ti.

 

 

U JAP NJERËZVE SHANSIN E FUNDIT

 

Larg do të iki.

Larg kohës,

Larg tingullit,

Larg dritës,

Larg jetës.

        ***

Në inekzistencën

E çastit,

Qetësisë,

Errësirës,

Në abstraksionin e humbjes,

Për të mos kuptuar asgjë

        ***

Nga ligësia juaj naive,

Nga hipokrizia e lindur.

Më pas do të kthehem,

E në qofshi

Siç jeni,

Rishtaz do të shkoj

Për të mos u kthyer kurrë më.

 

 

TEATRI I HIJEVE

 

Rolet u ndanë keq në Skenën e Madhe

Që në fillim.

Më pas

Gjithçka kish marrë fund

E s’mund të çbëhej.

Regjisori

Këtë e kuptoi i fundit

Ndaj kur sipari u ngrit

Iku

Duke thënë se do të kthehej

Pas Shfaqjes.

SHKARKO APP