Në dorë të Zotit!

 

Nga Mero Baze

Partia Demokratike ka degraduar planin e saj të protestave, në një miting prej qindra vetësh, organizuar nën siglën e Forumit Rinor të Partisë Demokratike, i cili zyrtarisht ka rreth 10 mijë votues në Tiranë. Plasaritja e turmës së 8 dhjetorit dhe përfundimi në disa pensionistë që mbanin parullat në vend të të rinjëve të PD, ka ardhur prej mesazheve konfuze që lidershipi i PD u dërgoi mbështetësve të vet qysh nga 8 dhjetori. Fillimisht më 8 dhjetor, PD paralajmëroi një protestë të dhunshme dhe një asgjësim deri fizik të kryeministrit. Në krye të retorikës së dhunës qëndroi si zakonisht Sali Berisha, për të “ndezur” turmat. Por, siç ka bërë rëndom në historinë politike të asaj partie, ai kërkon të jetë dhe dielli, dhe errësira e asaj partie. Në mëngjesin e 8 dhjetorit, kur “demokratët e vërtetë” prisnin liderin e tyre shpirtëror të udhëhiqte “sulmin mbi Bastijë”, Berisha u shfaq i qetë në një sallë komode në Tiranë, duke dëgjuar me vëmendje fjalimin e Edi Ramës për Lëvizjen e Dhjetorit, në prani të Bujar Nishanit. Ky ishte një mesazh konfuz për protestën, e cila kishte nisur si ide radikale e Berishës dhe po përfundonte si pazar i Berishës.

Nëse dikush tjetër nga Partia Demokratike do të kishte bërë atë gjest që bëri Berisha, i cili shkoi në një sallë dhe u ul të dëgjonte “armikun” që e kishte paralajmëruar për ta vrarë, atëhere me siguri ai do linçohej nga berishistët. Vetë Berisha i jep mandat vetes të jetë dhe luftëtari, dhe pacifisti i asaj partie, dhe radikali, dhe i moderuari, dhe parimori, dhe pazarxhiu, dhe vrasësi, dhe vajtuesi…Mjafton që gjithçka të bëhet përmes tij. Përfytyroni një moment që në vend të Berishës, në atë sallë të kishte shkuar Basha. Me siguri nuk do ta linin të hynte më as në PD, duke i thënë se “i ke ngul thikën pas shpine PD”.

Berisha u shfaq i dëgjueshëm në karrige përballë Edi Ramës dhe turma mori një mesazh krej të ndryshëm nga ai që kishte marrë më 7 dhjetor, kur bëhej fjalë për kryengritje. Dhe e gjitha çfarë bënë, është që thyen një instalacion të Edi Ramës tek dera e Kryeministrisë, i hapën vrimën një bunkeri, dhe sipas Erionit, dhe nja 73 të tjerë bënë shurrën nëpër Tiranë.

Protesta e dytë, ajo e 17 dhjetorit, ishte edhe më konfuze. U tha se do bllokohet Kuvendi dhe nuk do lënë njeri të hyjë brenda. Pastaj paralajmërimet ndërkombëtare për dhunë e zbythën retorikën dhe u tha që do bëjmë skenën klasike: disa deputetë do rrinin brenda parlamentit si Vrana Konti, ndërsa të tjerët do ngushtonin rrethimin, tashmë jo nën udhëheqjen e Skënderbeut, por Donikës, që quhej Albana Vokshi. Por, ironia ishte se ata që ishin jashtë dhe do përmbysnin Kuvendin, panë nga ekranet se deputetët brenda ishin në paqe dhe konsesus me njëri­ tjetrin dhe miratuan mes batutave plot humor një ligj të përbashkët, për dekriminalizimin, që në fakt i mbronte ata nga konkurrenca me kriminelët e tjerë jashtë Kuvendit.

Kështu që dhe skema e luftës në dy fronte tek Kuvendi ra. Sot më në fund u tha se do ta marrë në dorë Forumi Rinor. Për ta bërë me serioze çështjen, u përzgjodh ta jepte kushtrimin një humorist, por të vetmit vullnetarë që u gjetën për të mbajtur pankartën e madhe, ishin disa pensionistë dhe qindra vetë të dëshpëruar rrotull Kuvendit. Lulzim Basha padiskutim që është ndjerë keq nga e gjithë kjo, por nuk di se si t’ua shpjegojë atyre djemve dhe pleqve që kishin dalë sot në këtë ditë dhjetori, se nuk e ka seriozisht këtë punë. Nuk u thotë dot që plani ishte i Berishës dhe jo i tij. Nuk u thotë dot çfarë deshi Berisha në një sallë me Edi Ramën ditën që kishte paralajmëruar përmbysjen. Nuk e thotë dot pse duhej lajmëruar luftë dhe zjarr mbi Kuvend atë ditë, kur e kishin vendosur vet, të ishin në paqe me vota me qeverinë. Nuk ua thotë dot dhe ja la Zotit këtë punë. Me “kismet” vitin tjetër, me vullnet të Zotit protestat do rriten. Si çdo i pafuqishëm dhe ai i drejtohet të Plotfuqishmit në këtë rast ta dëgjojë. Dhe ndoshta e dëgjon, pasi nuk i iku zëri kur e tha!

TEMA

SHKARKO APP