Në Elbasan po përsëritet Tropoja

Nga Enkel Demi –

Ngjarja e Elbasanit është nga ato që e nxjerr mbretin gollomesh. Në fundvit ka patur një debat të ashpër mes ministrit të Brendshëm dhe opozitës për të dhënat në rënie të vrasjes, krimit. U shpalosën grafikë, të dhëna statistikore, dhe në fund u shua gjithçka nën avujt e gjelit të detit me përshesh.

Por ndodh një ngjarje e tillë që autorët zgjedhin me kast të jetë sa më e bujshme dhe spektakolare, dhe gjithë debati politik zvjerdhet. Nuk është çështja se cilët janë sot në krye të organeve të rendit; çështja është se jetojmë në një shoqëri të egër, të kalbur nga korrupsioni dhe logoreja. Në Elbasan, disa nga personazhet që lanë jetën apo u lënduan kanë kartela të pasura penale si në Shqipëri, si në Perëndim. Pos kësaj, përplasja e dy bandave rivale të atjeshme tash është disavjeçare, dhe i ka kapërcyer disa mandate politike në pushtet.

Shteti nuk mund të vazhdojë të bëjë sehir dhe të presë që bandat të shuhen duke qëruar shoqi-shoqin. Ndodhi kjo dikur në Tropojë, dhe ka qenë një nga historitë më tmerrshme që ka përjetuar Shqipëria e këtij çerekshekulli. Nuk mund të lejohet të ndodhë sërish.

Qytetarët e Elbasanit dhe të Shqipërisë nuk kanë përse të jenë spektatorë të kapur peng të këtij teatri makabër. Ngjarja nuk mund të vihet në gjumë as me vizitën në mes të natës të ministrit të Brendshëm në Elbasan, dhe as të atij të Shëndetësisë në spital tek të lënduarit.

Ngjarja nuk duhet të kishte ndodhur, dhe për këtë janë organet e rendit, ato të inteligjencës dhe, mbi të gjitha, ato të Drejtësisë. Dosjet e këtyre njerëzve duhet të rikalojnë në sitë, dhe ata zyrtarë, policë, oficerë gjyqësorë, prokurorë e gjyqtarë që kanë lejuar të mbërrijmë në këtë pikë, jo vetëm duhen larguar nga sistemi, por duhet të zënë “vendet e nderit” në burg.

Kjo është reforma në drejtësi, dhe jo debati 3/5 dhe 2/3. Videot e policëve me kamera në trup kthehen në qesharake pas këtyre gjëmave dhe rrëfejnë akoma më shumë impotencën e një shteti, ingranazhi i të cilit është ndryshkur nga dëshira për të bërë vetëm shfaqje, PR, formë, dhe aspak përmbajtje.

Bilanci i Elbasanit është i frikshëm, pasi ka gjasa mos të ndalet me kaq. Nëse do e shohim në sy ndodhinë pa lëvizur vendit, nuk duhet të harrojmë që dikush tjetër po mendon të marrë hak, dhe do na duket kërthiza e Shqipërisë si Meksikë. /tesheshi.com/

SHKARKO APP