Në emër të Zotit!
Nga Jona Dervishi
Gjithnjë është përfolur e diskutuar që lufta e tretë botërore do të jetë pikërisht ajo e fesë! Asnjëherë nuk kam qenë dakord me këtë gjetje qysh kur e kam dëgjuar për herë të parë. Nuk arrija, edhe duke u munduar, të bëja lidhjen midis luftës dhe fesë, më ngjante në çdo formë një togfjalësh i sajuar keq. Përpiqesha t’i jepja një kuptim duke e menduar në mendjen time si “lufta e fesë”, “fe që sjell luftë”, “luftë prej fesë”, por përsëri nuk bija dakord me të. Diçka më përplasej në brendësi brenda këtyre termave kaq diametralisht të kundërt me njeri-tjetrin që sajoheshin të qëndronin krah më krah dhe nocioni shkërmoqej pa marrë ende formë e jetë. Trishtohesha sa herë që doja t’i jepja një kuptim. Përpiqesha që sa më shumë kuptim t’i jepja aq më shumë të ngatërrohesha, në mënyrë të tillë që kurrë këto dy fjalë të mos qëndronin pranë e pranë, por nuk ia dilja mbanë mjaftueshëm, sepse gjithnjë e më shumë filloi të përdorej kudo, duke u përhapur kështu si një oshëtime që të mbetet fort në skutat e errëta të memories.
Deshtova! Tashmë edhe në kokën time ky togfjalësh “Lufta e Fesë” nisi të zinte vend! Diku dënonin në emër të Zotit, diku gjykonin në emër të Zotit, diku paragjykonin në emër të Zotit, diku flisnin në emër të Zotit e diku vrisnin në emër të Zotit! E trishtë të mendosh se si popujt, vetë krijesat e Zotit, bijtë e fesë, të dilnin kundra njeri-tjetrit për të njëjtën ”ide” të shprehur ndryshe! Të ishte ky vallë fundi i botës, apo vallë veç fillimi i një bote “të re”?! A jemi ne vetë që e shtyjmë luftën drejt fesë, e fenë drejt luftës?
Librat e shenjtë kanë qënë gjithnjë udhërrëfyesi i njerëzimit drejt paqes dhe këta udhërrëfyes kanë qënë drita që depërtonte çdo errësirë. Por sot, në emër të kësaj drite po merren jetët e njerëzve të pafajshëm. Është kaq absurde që t’ia atribuojmë luftën pikërisht fesë kur feja predikon paqen dhe harmoninë mes njerëzve. Nuk mendoj se Lufta e Tretë Botërore do të jetë ajo e fesë, lufta e vërtetë është ajo e terrorit dhe e pamundësisë për ta ndalur atë!
Nuk duhet të ketë në koncept një term “Luftë” në Shekullin XXI. Të tërë ata që e venë më në pah këtë aspekt janë pikërisht ata të cilët në emër të kësaj “lufte imagjinare”, se e fesë nuk mund të jetë assesi, hapin plagë e arrijnë qëllime të ndryshme nga ku rrënjët nuk janë aspak në Islam, apo gjetkë, por janë të lidhura me korrupsionin, mafien, grabitjen, dhunimin e të drejtave të njeriut, shkeljes së dinjitetit njerëzor, paragjykimit etj.
Terrorizmi nuk është as jugor as verior, as i majtë e as i djathtë, as i bardhë e as me ngjyrë, as mysliman, as katolik e as budist! Ai është i paformë, i pafè, por shumë i rrezikshëm, njësoj si një virus i cili nëse nuk parandalohet sjell vdekje! Mbase dikur jo, por sot, më e bindur se kurrë, jam kundra asaj thënies që shpesh herë si alibi e përdorim “lufta sjell paqe”. Jo, lufta sjell vdekje, dëshpërim, dhimbje, urrejtje dhe vdekja është e njëjtë si në skajin me të varfër të globit ashtu dhe në skajin më të pasur të tij!
Nuk mund dhe nuk duhet të pretendojmë se duke vrarë, do të shpëtojmë jetë njerëzish! Nuk është zgjidhja të goditet një popull i tërë për hir të disa terroristëve të pafè! Boll u vetëgënjyem me “luftën e fesë” sepse nuk ka një të tillë, është çdo gjë në mendjet tona tashmë si një ideologji por që duhet të marrë fund sa me parë. Lajmet e hidhura që dëgjojmë çdo ditë me bombardime njerëzish të pafajshëm nuk mund të përtypen më. Dhuna gjeneron dhunëe, vdekja gjeneron vdekje, terrori gjeneron terror ndaj ajo me të cilën nuk duhet kurrë të gjejmë paqe është lufta me motiv “paqen”!
Zoti na bekoftë…