Në Gjermani me shumë kujdes por jo frikë
Pas sulmeve terroriste në Francë janë shtuar masat e sigurisë edhe në Gjermani. Kryeministri i Francës Manuel Valls ka paralajmëruar më parë Evropën nga sulme të ngjashme.
Megjithë shtimin e masave të sitgurisë, qeveria gjermane nuk flet për rreziqe konkrete. Siguria në Gjermani "nuk është e rrezikuar më shumë se para sulmeve", theksoi ministri i Drejtësisë Heiko Maas, në një intervistë me ARD. Edhe Gjermania është në shënjestër të terrorizmit "abstrakt". Personat e dyshuar nga skena islamike po përcillen shumë saktë. Bashkëpunimi me autoirtetet franceze është "jashtëzakonisht i mirë", theksoi Maas, i cili lavdëroi edhe zbulimin e shpjetë të terroristëve përgjegjës për sulme.
Nuk ka reagime ushtarake
Qeveria gjermane mbetet edhe pas sulmeve terroriste në qëndrimin se do të vazhdojë me furnizimin e peshmergëve në veri të Irakut, por nuk do të marrë pjesë ushtarakisht në luftën e Sirisë. Ministri i Jashtëm Frank-Walter Steinmeier (SPD) tha se ky është një shans që edhe Këshilli i Sigurimit, më në fund, të dakordohet rreth një rezolute për Sirinë. Ai mendon se duhet shfrytëzuar edhe atmosferën e mirë në negociatat për Sirinë, të zhvilluara të shtunën e kaluar.
Në Vjenë është propozuar një plan politik për krijimin e një qeverie kalimtare brenda gjashtë muajsh. Steinmeier ka qenë edhe vet në stadiumin "Stade de France" në Paris, në kohën e sulmeve. Ai thotë se palët nuk janë më në qëndrime diametralisht të kundërta. E pyetur për mundësinë e angazhimit ushtarak, kancelarja Angela Merkel tha se Gjermania angazhohet për një zgjidhje politike, e cila mund të rezultojë me një armëpushim. Ndërsa Franca ka nisur sulmet ajrore kundër pozicioneve të ISIS, i cili ka marrë përgjegjësinë për sulmet në Paris.
Shenjat kuzndër terrorizmit
Në mënyrë demonstrative shumë ministra së bashku me kancelaren Merkel do të shikojnë të martën ndeshjen Gjermani – Holandë, e cila zhvillohet në Hanover – si një shenjë kundër terrorizmit islam. Sulmet në Paris kanë filluar së pari pranë stadiumit Stade de France, ku zhvillohej ndeshja Francë-Gjermani. Kombëtarja gjermane e ka kaluar natën në katakombat e stadiumit. Është menduar edhe për shtyrjen e ndeshjes Gjermani – Holandë, por është vendosur që ndeshja të zhvillohet. "Ne duam t'i tregojmë terroristëve dhe gjithë botës se nuk do të frikësohemi", deklaroi ministri i Brendshëm i Saksonisë së Poshtme, Boris Pistorius. Ndërsa shefi i SPD, zëvendëskancelari Sigmar Gabriel ka propozuar që në shenjë solidarizimi dhe miqësie me Francën, para ndeshjes të intonohet himni "Marseillaise"