Ne jemi patriotë “Part-Time”!
Lajme E Shtunë, 17 Prill 2021 17:06
Nga Emiljano Aleksi/
Këndojmë Himnin vetëm në ndeshjet e Kombëtares së futbollit. U desh 100- vjetori i Pavarësisë që shqiptarët të demonstronin një nga ndjenjat më njerëzore që ekziston sot mes popujve, dashurinë për atdheun dhe simbolet kombëtare.
U desh 100 vjetori i pavarësisë që të shihnim kaq shumë flamuj kuq e zi të valëviteshin në ajër. U desh 100-vjetori i Pavarësisë që të shihnim në rrugët dhe Sheshin e Flamurit në Vlorë rreth 1 milion shqiptarë të bërë bashkë. Të gjithë ne shqiptarët e dimë se sa e vështirë është që ne të bëhemi bashkë. Jemi të prirur të përçahemi edhe për mustaqet e Çelos, por është e vështirë të na bashkosh.
Ndërsa sot në 103 vjetori-n ka shumë pak vlerësim për simbolet kombëtare. Edhe në rrjetet sociale syri të zë më shumë flamuj francezë (ende të pa zëvendësuar pas akteve të terrorit në Francë).
Jemi popull që jetojmë me të shkuarën. Ne mbufatemi krenarshëm për faktin se jemi shqiptarë dhe se Shqipërinë e kemi tonën. Ne flasim për liri nen grahmat e zinxhirëve psiko-socialë që i kemi vendosur vetvetes. Jemi populli i fjalëve të shumta dhe veprimeve të pakta. Popull i zënë në çark mes kohës dhe vetvetes. Popull që ekzistencën e tij e bazon ende në klishe kulturore të vjetra sa vetë historia. Popull, progresi i vetëm i të cilit duket të jetë ai në rrugën e hapave së prapthi. Ne krenohemi me atë që nuk kemi për të mos u ndalur një çasti të reflektojmë mbi atë se çfarë jem. Ç’vlerë ti vërë vetes një komb, atë i vënë edhe të huajt sepse patriotizmi nuk është fakultet, që e kryen për tre vjet dhe mandej e merr diplomën e certifikohesh si patriot. Patriot je nëse je gjithë jetën.