Në kërkim të kryetarëve të bashkisë
Prof. Dr. Ago Nezha
Është ndezur zjarri i nxehtë në vatrat e partive politike si të spektrit të majtë ashtu edhe të djathtë se kush do jenë kandidaturat që do konkurrojnë për kryetar bashkie në 61 njësitë vendore. Mënyra se si po procedohet është kthyer në një spektakël teatral që publiku pret me padurim të mësojë se kush do jenë aktorët që do dalin në skenë të luajnë rolin e kryebashkiakëve në dy frontet kryesore ku paraprijnë “dinozaurët” PS-PD. Rreth tyre vijnë rrotull si satelitë disa partiçka fantazmë që kanë kryetarë por s’kanë anëtar. Është për të ardhur keq kur mëson se nga fondet qeveritare financohen fantazmoparti, duke harruar se ato fonde nuk dalin nga xhepi i kryetarëve por i qytetarëve që një pjesë e mirë e tyre jetojnë në mjerim. Kandidaturat që po qarkullojnë nëpërmjet medias së shkruar dhe vizive në opinionin e gjerë shoqëror sa majtas–djathtas, në shumicën e emrave, janë të pabesueshëm për gjykimin e qytetarëve se do mund të përfaqësojnë interesat e tyre. Kur dëgjon emrat e kandidatëve për kryetar bashkie, e kupton qartë se kemi të bëjmë me përzgjedhje klienteliste të kryetarëve të partive kryesore, për përfitime personale të personave të preferuar të tyre.Por lexuesi me të drejtë do thotë: “ç'marrëzira” shkruan autori i këtij shkrimi, kur kanë kaluar 25 vjet dhe qytetari ka qenë vetëm votues, por kurrë pjesëmarrës në listëkandidaturat për kryetar bashkie apo parlamentarë. Menduam se mos ka ardhur koha që “materniteti” i kandidatëve për pushtetin vendor është maturuar për tu bërë pronë e elektoratit të bazës. Por qenkemi gabuar rëndë, se liderët e partive nuk kanë hequr dorë nga praktikat e tyre patriarkale dhe po veprojnë me të njëjtën filozofi, se “demokracia jemi ne”, që vet flasim e vetë vendosim, ju si qytetar votoni atë brumë që gatuajmë ne si liderë. Në një vështrim panoramik vërejmë se ka disa bashki që kandidaturat që do propozohen nga subjektet e ndryshme politike janë për herë të tretë. Në kampionin e demokracisë botërore siç është Amerika, e drejta për kandidim është vetëm dy legjislatura rresht. Këto eksperimente të mbrapshta, kanë bërë që shumë kryetar bashkie të degjenerojnë, e të bëhen sulltanë të komunitetet ku drejtojnë, saqë janë apeluar për korrupsion e shkatërrim të mjediseve qytetare. Por, në ato raste që janë beniamin të liderëve të partive mëma, ata i shpëtojnë çdo përgjegjësie e marrëzie që bëjnë në kurriz të qytetarëve. Në rast se do testohej opinioni i elektoratit të majtë apo të djathtë, dhe kandidaturat të kalonin në filtrin e mendimit qytetar të bazës, atëherë do kishim me të vërtet një demokraci funksionale ku do dilte në ring për kandidim më i miri i familjes politike. Elektorati i majtë e i djathtë, në të gjitha zonat zgjedhore të vëndit kanë kontestime për kandidatura të papërshtatshme, por ankesat dhe kundërshtitë e tyre kanë rënë në vesh të shurdhër. Po të marrim shëmbullin e qytetit të Durrësit, mes shumë shembujve të tjerë, ku për kryetar bashkie ka disa kandidatura, opinion i gjerë qytetar është për Agron Dukën, siç u promovua në opinion mediatik. Në takimet që pati kryetari i Partisë Demokratike me elektoratin e djathtë në Durrës, ai e miratoi si kandidaturën më të përshtatshëme të së djathtës së bashkuar. Por, koha tregoi se Basha u nxitua i përfshirë emocionalisht nga kërkesat e qytetarëve, duke harruar për një moment që s’është ai që vendos përfundimisht për kandidaturat e kryetarëve të bashkive në rrethe, por doktori, që e di mirë se nga se vuan elektorati në bazë dhe çfarë “ilaçi” duan ata që të shërojë hallet e tyre, pas një anarkie e kaosi disa vjeçar. Basha gaboi, jo se nuk e di se nuk ka gjë në dorë, por i përfshirë në dëlirin e liderit, kapërceu gardhin dhe u gjend tej kufirit të kompetencave të tij. Agron Dukën, nuk mund ta duan liderët as nga e djathta e as nga e majta se ai është vetvetja, ka identitet dhe nuk mund të përdoret si marionetë nga liderët e partive. Por këta mjeranë politikë, që e kanë çuar vendin në gjendje rrezik vdekje me filozofinë e tyre autokratike, kanë diktuar kandidatura jashtë vullnetit të elektoratit duke harruar potencialin e individit që kanë treguar vlera në betejat politike. E shmangu e majta gjatë fushatës për deputet duke shpërdoruar dhe kontributin e tij në këtë forcë politike dhe ai pa u ligështuar kandidoi me një parti të vogël siç është Partia Republikane dhe tregoi potencialin e tij individual duke fituar bindshëm mandatin e deputetit. Pozicioni i kryebashkiakut të njësive vendore duhet të ketë integritet, ndershmëri, qëndrueshmëri, koherencë, humanizëm duke ndihmuar njerëz në nevojë dhe të jetë për barazi sociale. Por, si në zgjedhjet e kaluara edhe sot, pazaret e pista të partive politike, që bëjnë marrëveshje koniunkturale për afera miqsh, nuk gjejnë njeriun që ju shërben qytetarëve por politikanëve dhe për të qenë më të saktë liderëve të partive. Më shumë se kudo, kur vjen puna për pushtetin vendor, individi merr vlera të patjetërsueshme se është direkt në kontakt me qytetarët për të zgjidhur hallet dhe problemet që ata i shqetësojnë në jetën e përditshme. Në këto pozicione drejtuese, nuk ka rëndësi çfarë premton por çfarë bën konkretisht. Por fatkeqësisht edhe pas 25 vjetëve nuk vendosin qytetarët për fatet e tyre, por kryetarët, “bajraktarët” e partive që i kanë hipur popullit në qafë dhe ai s’di si ti rrëzojë këta hipikë anakronikë. Për arsye të procedurave të njohura që ndiqen në përzgjedhjen e kandidaturave për kryetar bashkie, me papërgjegjshmëri të theksuar, mungesë të demokracisë së brendshme dhe pengesave të tjera që burojnë nga mjedisi politik i përlyer me gjithfarë lloj papastërtish morale, kemi sot në drejtim disa Kryetar Bashkie që kanë shkatërruar konfiguracionin e qyteteve ku drejtojnë. Por lind një pyetje natyrshëm, në refleksion të situatës që po përjetojmë, akuzojmë e apelojmë
, se a do vijë një ditë edhe për ne që të ndryshojmë?!…Me këtë praktikë që po ndiqet edhe në këto zgjedhje vendore kemi filluar të mos besojmë e shpresojmë, se diçka do korrigjojmë. Duke parë se kryetarët e bashkive edhe sot si më parë, nuk janë produkt i mendimit të elektoratit që do përfaqësojnë e qeverisin, por manarë të kryetarëve të partive, besimi shuhet, shpresa vdes. Fushata zgjedhore për njësitë vendore sa ka ndezur motorët dhe duket qartë tymi i zi në oxhakët e partive PS-PD. Kur afrohet fundi i fushatës, temperatura fillon të nxehet tej mase sa që pika e vlimit shkon deri aty sa që kthehet në politikë dhune, frikësimi, intolerance, që nuk lejon për asnjë rast të triumfojë zëri i qytetarit të ndershëm. Nuk na shuhen nga kujtesa fushatat e tjera zgjedhore ku konkurrimi e majtë e djathtë kanë qenë gjithmonë konfliktuale. Kjo ndodh për faktin se politika tek ne edhe pas 25 vjetëve nuk ka standarde morale, s’ka etikë, barazi, demokraci, por lëviz në një krizë të thellë identiteti shoqëror. Te kryetarët e partive politike të majtë e të djathtë, sustat e autoritetit politik nuk janë të balancuara, ato funksionojnë sipas frekuencës mentale të liderëve të tyre. Politika shitet si një “mall” që s’ka moral. Këtë dukuri e ndesh në qëndrimet që mbajnë partitë kryesore me aleatët e tyre, që pasi marrin votat për të ardhur në pushtet, harrojnë për ti shpërblyer për kontributin e tyre. Ky s’është as moral politik dhe as korrektesë njerëzore. Politika s’është pronë e një lideri. Në demokraci askush nuk mund të shpallet sundues. Me këtë procedurë që po ndiqet në zgjedhjen për Kryetar bashkie ku vendos njëshi, konkurrenca elektorale në përzgjedhjen e kandidaturave nuk siguron cilësinë e duhur. Në ato vende ku sundon njëshi, qoftë ky kryetar i partisë apo qeverisë, nuk mund të ketë demokraci, veçse autokraci arbitrare. Koha po tregon se tek ne demokracia është maturuar për keq dhe ka prodhuar fruta të hidhur nga qeverisja e majtë dhe e djathtë, që me sjelljen e tyre në pushtet, kanë deziluzionuar qytetarët e ndershëm të këtij vendi dhe ju kanë venitur e vrarë shpresën për të ardhmen.