Në krye të urimeve

 

Nga Ilir Levonja

Kur uron populli popullin është kënaqësi. Që t'i thotë gëzuar Bajramin, mbarësi, shëndet, paqe, mirësi etj…, është kënaqësi dhe normale. Festat e çilido besim kanë në vetvete atë thelbin e të luturit për një jetë më të mirë. Sepse, prandaj njerëzit e krijuan besimin në Zot, për tu lutur. Për të pakësuar dhimbjet, hallet apo përvojat e vështira dhe të paparashikuara. Pra të luten për gjëra që nuk i kanë në dorë e tyre. Dhe t'ia urojnë njëri-tjetrit mirësinë. Në fund të fundit Zoti i plotfuqishëm është mbi ta. Ndaj rri lart. Poshtë është bataku. Dhe ata për t'i shpëtuar këtij bataku, shikojnë lart. Nga qielli. Nga Zoti.

Kështu që, duke e ditur që, atë që nuk ta bën perëndia. Ta bën qeveria. Ata thonë, ruajna o Zot. Në dorën tënde Allah. Në dorën e mëshirëmadhit. Ndaj dhe urimi është njerëzor. I prekshëm. I shijshëm. Ia vlen sakrifica. Dhe të shplodh mirësia e atyre duarve që shërbejnë bukë. Pra populli për popullin. Njeriu për njeriun, besimtar apo jo. Ata aq kanë fjalën dhe vullnetin. Kush ka diçka më shumë e ndanë me atë që ka më pak. Kaq.

Por kur e bëjnë këtë, ata që kanë gjithçka në dorë. Pra kur urojnë politikanët popullin, është shpifësirë. Megjithatë ata vërsulen të parët. Urime, gëzuar, paqe e begati. Rehati shpirtërore. Jetë e mirëqënie Zoti ju dhëntë. Allahu ju ndimoftë në familjet tuaja. . Gëzuar Bajramin e madh. Zoti ju dhëntë më të mirat, etj.

Rezultati për popullin. U shtrojnë tavolina në sheshe publike. Dhe populli besimtar shkon e ulet. Hanë. Kurse ata, vila në gjirin e Lalzit. Në malin e Robit. Shtëpi verore. (Sapo e pashë këtë modën e fundit shqiptare). Pse? Sepse dallimi është i thjeshtë…

Që të ketë paqje një popull, e ka në dorë Zoti.

Që të ketë begati një popull, e ka në dorë Zoti.

Që të ketë të mira materiale një popull, e ka në dorë Zoti.

Që të ketë këto të mira, që janë ujë, drita, rrugë, punë, siguri, rend; çfarë tjetër…, qytetari europiane. E ka në dorë veç Zoti. Ndaj nga unë, president, kreministër, kryeparlamentar, shef opozite, ligjëvënës. Nga unë një drejtor që të marr 5 mijë euro për një vend pune. Gëzuar Bajramin. Paçi fat, mirësi e begati nga Allahu. Se të tjerat janë për mua. Lutjet janë kthyer në urime.

SHKARKO APP