Ne luftën, ju paqen
Nga Kastriot Kotoni
Ngasjet për të përshkruar emocionet, gëzimin e një prindi, kur dëgjon fëmijën e tij të vogël të bashkojë rrokjet e një fjalie deri në një strofë kënge janë si një simfoni e pambarimtë e cila sa herë dëgjohet e sa herë komentohet merr vlera gjithnjë e me përmasa më të mëdha. Festimet e 100 vjetorit të panvarësisë të Shqipërisë, vajzën time e gjetën pranë një fonie nga e cila dëgjohej kënga aq e shumë e njohur “Xhamadani vija-vija”. Vajza nuk shkulej së dëgjuari këngën e vetme të saj, të cilën e këndon me aq shumë dashuri edhe sot. Rruga e pedonales në Tiranë për vajzën time ka veç një refren:
“Xhamadani vija-vija, është Kosova është Shqipëria
Rreh si zemër çiftelia o sa e madhe është Shqiptaria”
Kumti i identitetit kombëtar nuk është rastësi në genin e vajzës sime mendova……Po pse zërat që më vijnë prej historisë më thërrasin gjithnjë kur ime bijë këndon këtë këngë? Të parët e mi, që nuk vijnë në pejgamere cohësh, apo fletë librash prej ari, ishin krejtësisht njerëz qytetarë e shtegëtarë nga njëri qytetërim tek tjetri. Liria dhe arsimimi shkonin bashkë e ndërkohë ky shkollim i kish çuar aq lart sa të përfaqësonin një kryemyfti në Stambollin emërrmadh. Gjirokastrën, vendlindjen e tyre e kishin stacionin e tyre të lindjes dhe si për çudi edhe vendin e nuseve, derën e së cilave i njihnin qysh në kurbet. Im gjysh kish luftar si artilier për Turqinë në disa shtete. Por edhe pse kish luftuar në betejën e Çanakalasë krah për krah me shokun e tij të ngushtë të shkollës AtaTurkun, babain e kombit turk, thirrja e gjakut tè tè parève e deshi që ai të merrej me punët e Shqipërisë duke u aktivizuar në shoqëritë e fshehta për gërmat e abetaren shqipe në Stamboll. Mehmet Kotoni erdhi për pushime në Shqipëri e nuk u kthye më, se do ta dënonin si dezertor i ushtrisë turke me pushkatim. Idriz Guri miku i ngushtë i Çerçiz Topullit, dajua i së shoqes Hatijes nga dera e Sinanajve, ia mbushi mendjen duke i thënë: “Mjaft luftove për Turqinë, po Shqipërinë kush do ta bëjë?” Atdheu i të parëve kish nevojë edhe për oficer artilerie, si për çdo gjë, si njeri që kish parë botë e nuk duronte prapambetjen e vendit. Kur ish në Elbasan i duhej dhoma me oxhak e në atë shtëpi të marrë me qera, zjarri ndizej në mes të dhomës sepse nuk e lejonte paria e qytetit oxhakun. Kur oficeri i tha Beut “Ik se ke ngelur prapa Turqisë o bej”, e gjithë kjo bisedë kish ngelur në mendjet e qytetarëve elbasanas e përcjellë nga të zotët e shtëpisë. Qyteti i dytë për të u bë Berati. Se si thoshte shpesh gjyshja ime,: “Po të ishe oficer tërë jetën me plaçka në krahë do ngeleshe”. Ky transferim kish ardhur, sepse oficeri kish përkrahur lëvizjen e Fan Nolit. Po Berati hyri shpejt në zemrën e familjes sonë, kish një kulturë disi më ndryshe e përpos kësaj kish edhe njerëz të ardhur nga Gjirokastra. Kjo pakicë njerëzish shpesh gjendej në qendër të bisedave qytetare, sepse përfaqësonin edhe nikorqirllëkun e pastërtinë e amvisave, por edhe seriozitetin e burrave, të cilët punonin në administratën shtetërore. Shkëputja nga familja e një adoleshenti përbën një kthesë të madhe në jetën e tij. Kështu ndodhi edhe me tim atë, i cili do të shkonte në qytetin e Shkodrës për të vazhduar gjimnazin. Po në Shkodër e ku tjetër do ta çonte gjyshi im birin e vetëm. Qyteti i Shkodrës ish më i madh në të gjitha kuptimet, për babain tim Kadriun. Aty ai preku atë pak kulturë e qytetërim, që lulëzonte në Shqipëri. Kish një gjimnaz me profesorët më të mirë të kohës, kish kinema e luhej futboll edhe me skuadrat e mbretërisë Jugosllave. Kish korifenjtë e kulturës shqiptare si At Gjergj Fishtën dhe Migjenin,Ernest Koliqin. Aty kishin ardhur nxënës nga të gjitha trevat shqiptare. Orakulli i historisë kish fiksuar zotat e të ardhmes së rinisë shqiptare deri në ditët tona në këtë gjimnaz. Kurrë nuk do më ikë nga kujtesa rrëfimi i tim eti për një ngjarje në kinema. Në ditën e pushimit, kur nuk kish shkollë, ai ose do të shkonte në kinema, ose do të ndiqte ekipin e futbollit “Vllaznimin” deri në Kotorr. Por në një film me kauboj teksa kaubojsi ishte mbi kalë e nxorri pistoletën, një burrë i veshur me rroba malësori, u ngrit nga karrigia e mori shenjë drejt bezes ku shfaqej kauboji e turfulloj mbasi shtiu me pistoletë, se i dukej sikur dikush nga përballë vinte me kalë e kërkonte ta vriste. Kalimet nga njëri ekstrem ngjarjesh tek tjetri pasuroheshin edhe me një rrëfim tjetër të pashlyeshëm. Jugori, im atë, i kish kërkuar një laps një djali bajraktari, i cili me të drejtën e vet ish fyer sepse shoku i kish kërkuar “një çik lapsin”. Malësori e kish kujtuar se Kadriu i kish kërkuar çikën, dmth motrën, dhe ia sëlloi me një shpullë. Ndërkohë hyn në klasë profesori i vizatimit dhe e pyet tim atë, se çfarë kish ndodhur. Ai ia tregon të vërtetën për lapsin dhe djali i bajraktarit i kërkoj falje shokut në sy të gjithë klasës. Por zakoni e desh që ai ta bënte mik tim atë dhe kapluan me marrje në besë nëpër shtat a tetë fshatra shoqëruar nga trimat e bajrakut. Politikisht brezi i nxënësve të gjimnazit të Shkodrës organizonin debate me nxënës të shkollës franceskane nëpër piknike të ndryshme jashtë qytetit. Kish pasur ndikim të jashtëzakonshëm literatura e pëkthyer deri në ato vite, por edhe poezia e Fishtës. Migjeni fotografonte realitetin me tregimet e tij për qytetin si askush tjetër. Vargu i malit që s’ba zë, apo “Kanga e rinisë”, trumbet e shpirtit rinor e zellit për ndryshim kanë qenë një apostull i gjallë për gjimnazistët e Shkodrës. Gjimnazisti Qemal Stafa e kish përthithur literaturën e biblotekës së shkollës e kërkonte ndër miq literaturë më pranë filozofisë materialiste. Kush ja njeh literaturën që ka pasur bibloteka e tij personale, e kupton se kapaciteti i të riut Qemal Stafa kish uri për t’i dhënë përgjigje shumë Pse-ve në vendin e tij. Klima në gjimnaz ishte e favorshme edhe fal disa profesorëve, të cilët kishin edhe formimin profesional, por mbi të gjitha përcillnin frymën e atdhedashurisë si mëkëmbës të Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Të tundoheshe nga ideologjia e re komuniste ishte edhe për nxënësit e gjimnazit të Shkodrës, si kudo në botë, kërkimi për një botë të re edhe për një Shqipëri, më të përparuar. Kordinatat e idealit me atmosferën në vend kishin një distancë të pakuptimtë, sepse jeta politike e vendit varej më shumë nga intriga e mbretit të vetshpallur Ahmet Zogu, i cili herë e jepte me konçesion Shqipërinë tek Italia, herë përbetohej për patriotizëm ndaj shqiptarëve duke i varfëruar ata më shumë me borxhet që i merrte Italisë për të mbajtur shpurrën e tij mbretërore. Brezi i tim eti u përzu nga gjimnazi së bashku me liderin e tyre Qemal Stafa. Atij iu ndalua shkollimi në Shqipëri. Tash ishte Tirana qendra e banimit për tim atë Kadri Kotonin. Një djal
ë xhaxhai, Fadil Kotoni, e ftoi që të rrinte në farmacinë e tij si ndihmës farmacist e më vonë të kalonte në komision për farmacist. Kalvari për arsim e kish përplasur tim atë në zyrat e shtetit pa asnjë shpresë. Dukej se e vërteta ideologjike kish mbjellur urrejtjen ndaj rregjimit. Kish filluar krijimi i Grupit të Shkodrës. Farmacia ku punonte ai, kish qëlluar pak metra përballë dyqanit Flora. Enver Hoxha për tim atë ish i njohur pasi vinte në Berat tek e motra me të cilën gjyshja ime shkonte e vinte si nëna me të bijën. “A të njeh Enveri ty i thosha shpesh tim eti?” Dhe shpesh ai më përgjigjej: “Po si jo more bir, po sa sa herë bënim biseda për bashkimin e grupeve komuniste dhe pikpamjet e secilit grup”. Jeta ia kish sjell tim eti që shumë anëtar të Byrosë Politike t’i njihte personalisht nga jeta shkollore e më pas në burgjet e fashizmit e në formacionet e njësiteve guerilie e ato partizane. Farmacisti i grupit të Shkodrës kapet nga karabinierët italianë, si njeriu më i rrezikshëm i qytetit të Vlorës. Ai kish bërë një trakt kundër pushtimit fashist dhe për një difekt të makinës të shkrimit, gërmën D e shkroi me dorë e kur u gjetën traktet në Vlorë, tek Skela, atij i vajtën karabinierët për t’i kërkuar makinën e shkrimit në farmaci e natyrisht makinat e shkrimit ishin të regjistruara. Gjyqi e dënoi me varje në litar e më pas pushkatim e mbas një mbrojtje nga avokati u dënua me 101 vjet. Italia që kish ardhur për të mirën e Shqipërisë e pritur më 7 Prill me pushkë nuk mund të duronte një turpërim të dytë si me luftën e Vlorës, të cilën im atë ua kujtonte vlonjatëve në traktin e vet në vitin 1940 me siglën Partia Komuniste Shqiptare. Tortura të pashembullta nga fashistët italianë mbi trupin e tim eti e kishin çuar në një djal me peshë 28 kilogramë. Falë ndihmës së shokëve, të cilët i jepnin kurajo në burg dhe e këshilluan të fillonte grevën e urisë, ai mbijetoi dhe mbas tre muaj grevë urie lirohet pas një viti e gjysëm. Tashmë lëvizja komuniste ishte më e organizuar dhe kishin filluar aksionet e njësiteve guerile. Njeriu i parë i cili i dha lidhjen me njësitin gueril ish Vojo Kushi, në farmacinë ku im atë rinisi punën. Si njeri i cili e lidhte puna me furnizimin e farmacive të qyteteve të tjera, ai ishte korrieri i Tianës për Beratin, Elbasanin, Shkodrën dhe Vlorën, qytete të cilat i njihte mirë njerëzit dhe rrugët. Kur filluan të bëheshin filma lufte im atë thirrej shpesh për konsulencë me skenaristèt e rregjizorèt e filmit. Mbaj mend se kur ai argumentonte, se për të kryer një aksion gjërat diskutoheshin deri në detaje, rregjizorët i përgjigjeshin se filmi është art, por ai i thosh se kur duhej egzekutuar një spiun ishin përdorur të gjitha mënyrat për të bindur bashkëpunëtorin e armikut të hiqte dorë nga ajo rrugë, gjindeshin krushq e fare fis për ta bindur e kur kishin mbaruar të gjitha mundësitë përgatitej njësiti me short, në mënyrë që të ruhej sekreti. Për filmat me partizanë e ballistë im atë shpesh u thosh skenaristëve të kishin kujdes se ballistët ishin më trima e të poshtër se vet armiku, e të mos i nxirrnin si burra qymezi e koteci, se kështu ulnin luftën. Me kë paskemi luftuar ne ishte pyetja? Armiku i përdorte ballistët si udhërrëfyes në të gjitha ekspeditat ndëshkimore, si vendas ata njihnin gjithë rrugëkalimet e shtigjet, por edhe bazat e partizanëve. Më 6 shkurt të vitit 1944 im atë u arrestua sërish nga gjermanët në të famshmen masakrë të 4 shkurtit, kryesuar nga Xhaferr Deva. U dërgua në kampet e Prishtinës dhe para togës së pushkatimit në një gropë zgjidheshin njerzit një po e një jo për pushkatim. Jetëgjati nuk bëhet jetëshkurtër. Edhe kësaj rradhe i shpëtoi vdekjes. Urrejtja popullore pas kësaj ngjarjeje kish arritur kulmin, u mbushën malet me çeta partizane deri në formacione brigadash e divizionesh për të shporrur bishën naziste bashkë me bashkëpunëtorët e tyre ballistë e legalistë. Kish ndodhur ajo luftë me heronj realë për babanë tim. A mund të harrohej nga kujtesa e tij buzëqeshja e Qemalit,Vojo Kushit, Ali Demit, Misto Mames, Ramize Gjebresë me të cilën kish kryer aksione e udhëtime kush e di sa herë si dhëndër lagje më lagje e qytet më qytet. Betimi për të marrë hakun e shokëve e frymëzonte çdo pjestar të luftës partizane. Kasem Trebeshina e thotë vetë në tregimet e tij: “Dola të luftoja për të bërë detyrën ndaj atdheut e nuk pyesja për armikun përballë meje, sikurse i ndodhi me një ballist të cilit i kish falur jetën dhe ky i fundit desh ta vriste”. Për nënën time punët e atdheut ishin më të thjeshta. Ajo dinte të mësonte në shkollë e të dëgjonte fjalët e të mëdhenjve në shtëpi. Kish një mbiemër të madh për origjinën e qytetit, por çuditërisht beratasit shikojnë më shumë harmoninë fetare të qytetit, sesa historinë. I kishte ndihur fati familjes çifligare të Fugajve. Shpallja e pavarësisë i dha mundësinë që të përkrahnin Ismail Qemalin si përfaqësues të parisë së Beratit. Lushnja, qyteti i kongresit të shtetit shqiptar, kish shtëpinë e bujtësit xhaxhanë e mamasë time emërmirin Kaso Fuga. Lëvizje e dumbabasë e Haxhi Qamilit i kish djegur xhaxhanë e vogël Sefedinin me rrogoz, të atin e saj e shpëtoi fati dhe e falën. Për luftën asaj i foli një djalë xhaxhai i cili kish lënë studimet në Firence për të luftuar kundër pushtuesit fashist, Myqerem Fuga, një nga themeluesit e lëvizjes antifashiste në qytetin e Beratit. Traktet i fuste në samar të gomarit e dilte tek ura e Goricës për t’i shpërndarë. Ajo thoshte se kur u bë debatikase, e ndjente veten shumë të madhe ndonëse me trup të vogël. Luan Qafzezi ishte dhe agjitatori e kryetari i grupit debatik, i cili ngarkonte detyrat. Shkonte nëpër baza ilegale me pusulla letre, të cilat herë ia fusnin në këpucë, herë në pallto, shpesh pa ditur asgjë. Dita kur doli partizane ime më (Xhemalie Fuga Kotoni), kish qëlluar të transportonte armë nën samarin e gomarit, postblloku me ballistë e gjermanè e kish lënë të kalonte urën, por e kishin dyshuar dhe asaj i thanë se që nga ajo ditë ishte partizane. Më gjetën një pushkë italiane e mi prenë një palë pantallona e xhaketë sipas gjatësisë. Marshimet me Brigadën e Shtatë Sulmuese ishin
deri në Vishegrad të Jugosllavisë. Asaj nuk i hiqej kurrë nga mendja, kur komondanti i brigadës, u tha: “Tani, po e lejmë tokën shqiptare”. Na kapi një mallëngjim, e puthëm tokën, se nuk dihej nèse do të ktheheshim gjallë në atdhe. Po në tokat e huaja problem i partizanëve shqiptarë ishte edhe më i ndërlikuar. Fshatarët e atyre zonave nuk të ndihmonin e kur kërkoje ujë apo bukë thoshin “Nema voda-Nema leba”. Çetnikët e ustashët ishin kudo dhe të luftoje në një terren që nuk njihej e me njerëz indiferentë, të cilët nuk të ndihmonin, krahas me armikun e të ftohtin e dëborën që nuk na ndaheshin, ishte e paimagjinushme. Po a ke vrarë ndonjë armik, e pyesja mamanë time. Po në luftë more bir do qëllosh, se po nuk e qëllove ti armikun të qëllon ai. E tmerrshme ishte humbja e shokut në krah nëpër beteja, ku ti para disa sekondash kishe biseduar e kur nuk të përgjigjej ai zë, bota të dukej bosh, të zinte gjaku e përvojë nuk kishim. Zëri i prindërve të mi sa herë që shikonin filma me luftë partizane mekej. Çdo film prapa kish një histori të vërtetë lufte, u kushtohej një trimërie heroike të dëshmorëve dhe heronjve të luftës, kishte pak jetë nga jeta e tyre në rini. Ideali i tyre është një çështje tjetër. Fjala sakrificë, dhimbje, trimëri, dashuri për atdheun ishin një energji për ditët që do të vinin pas çlirimit. Kujtimi i shokëve të luftës u bë një ritual respekti nga i gjithë populli. Lavdia e brezit të luftës filloi të çmohej në festimet e datave dhe ngjarjeve epokale të luftës. Kur brezi i të rinjve të luftës i kaloi të 55-at, filloi festimi i krijimit të formacioneve partizane, çetave e batalioneve apo brigadave e në këto festime na mernin edhe ne fëmijëve si pasarrdhës të partizanëve. Në këto festime të përmallueshme mes shokësh lufte kishte për çdo herë një minutë heshtje në kujtim të atyre që dhanë jetën për atdhe. Mbas këtij çasti solemn vetiu fjalimet shkonin për kujtimin e shokëve, por dhe amanetin e tyre me thënien: “Ne bëmë luftën, ju bëni paqen”. Por, diku thuhet se “Paqja është lufta më e vështirë” e përmes këtij postulati paqja që kemi arritur ne shqiptarët në këto 71 vjet ka qenë shpesh e padëshirueshme, se nuk varej nga ne, por edhe epike për aq sa nuk u harruan idealet e luftës nacinalçlirimtare, entuziaste për të kapërcyer errësirën e shekujve të prapambetjes, plot dritë e shpresë në aspiratën e zhvillimit të arsimit e shkencës, kufijtë e atdheut e dinjiteti i shtetit shqiptar ngelën të paprekshëm e me një marrëdhënie dinjitoze ndaj botës. Lufta e Kosovës adrenalinën e çështjes kombètare e i kshte konservuar me breza.Presidenti Klinton arriti si kurrë ndonjë burrë shteti ta bashkojë aleancë e Nato-s në një luftë të drejtë,për një çështje të drejtë për çlirimin e popullit të kosovës,nga zgjedha e pushtimit serb dhe makina ushtarake e regjimit fashist të Sllobodan Millosheviçit.UÇK-JA u mbështet pa kursim nga boshti i aleancës së antlantikut ShBA-tè dhe pakti Atlantikut i kishin dalë në krah,mbrojtjes çèshtjes sè Kosovès .Kordinatat e bombardimeve ajrore kishin pasur jehonë në gjithë botën.Edhe ime më i ndiqte ngjarjet nga jashtè Shqipèrisë e më telefonoj.”Çpo bën bir Kosova të pret”Vazhdoje ti luftèn tonè “Mos harro dèshmorèt e Kosovès pèr tè cilèt shkrojti babai yt”……….Im At kish shkruar shumè pèr Xhevdet Dodèn,Hajdar Dushin,Asim Vokshin dhe pèr shumè kosovarè tè tjerè.Çti thosha nènès se Shqipèria e vitit 1999 ishte me njè ushtri tè vogèl e gjithçka qè i duhej luftès ishte zhdukur pa nam e nishan,nga njè dorè vrastare e padukshme.Populli ishte ai qè si dikur strehonte partizanèt do mbante peshèn e eksodit masiv.Vajza ime e vogèl do rritet si gjithè fèmijèt me dashurinè pèr Shqipèrinè dhe Kosovèn se kènga e xhamadanit èshtè njè èndèr e prekshme.