Në një marrëdhënie të shëndetshme
Të jesh mirëkuptues nuk do të thotë thjesht të kuptosh. Mirëkuptimi është një akt i ndërsjellët, reciprok, që bazohet në një lidhje shpirtrash, në një vështrim, thellë, brenda tjetrit. Duke e mirëkuptuar tjetrin arrijmë që ky të kuptojë vetveten.
Të ndash me tjetrin nuk do të thotë që, njëkohësisht, në atë çast, të jesh pranë tij. Bëhet fjalë për të ndërtuar çastin bashkërisht, ndërsjellshëm. Béhet fjalë që secili, edhe në vetminë e tij, të arrijë të përjetojë saktësisht atë që përjeton tjetri. Pra, të jetë tjetri.
Të kënaqesh nuk do të thotë të dëfrehesh, apo të argëtohesh (mund të dëfrehemi, të argëtohemi me çdo person apo persona, me të cilin apo të cilët kontaktojmë). Në çift, kënaqësia ka një ngjyrim krejt të ndryshëm: mund të jetë një përqafim i thjeshtë, kur takohesh në rrugë, pa bërë asgjë tjetër, ama ndien se ke bërë gjithçka; provon një prehje të lumtur, thjesht, se ke pranë tjetrin. Mund të jetë, thjesht, një buzëqeshje, njëherazi e të dyve, një notë e njëjtë muzikore, një pritshmëri që përmbushet gjerësisht. Aftësia për të qenë orë të tëra vetëm me dikë, duke shkëmbyer fjalë dhe heshtje dhe, pa pasur nevojën e askujt tjetër më, ndihesh se je në një hare të vërtetë. Kënaqësia nga prania e DIKUJT është kur njeriu ndien sikur të jetë midis një turme, ku ka vetëm dy persona, dhe ata të dy janë gjithë bota.
Gëzimi në këtë rast nuk do të thotë thjesht të gëzosh. Në një marrëdhënie
plotësimi, gëzimi është më shumë se kënaqësia në një orgazëm.
Kënaqësi të vërtetë ndiejnë ata që duan të mbeten aty kur mbaron akti.
Në një marrëdhënie të shëndetshme lumturia nuk është një projekt. Është diçka që ndodh tinëzisht. Diçka që ndodh, shpesh herë, pa e kuptuar ne.
Ka plot njerëz që një marrëdhënie e shëndetshme nuk e kanë provuar dot kurrë.
Është një marrëdhënie e rrallë.
Martha Rivera-Garrido (Repubika Domenikane, 1960)
Përktheu: Bajram Karabolli