Në Përkujtim të veprës së Kujtim Shimit
Asqeri Diko
E kam shkruar edhe herë të tjera se Zaloshnja, si fshat i lashtë, ka nxjerr jo vetëm luftëtarë e burra të kalitur për Pavarësinë e Çlirimin e atdheut, por edhe njerëz të punës për ndërtimin e fshatit të tyre. Një nga këta bijë të këtij fshati, ka qenë edhe Heroi i Punës Socialiste, Kujtim Fejzi Shimi . A u lind më 14 shkurt 1934 në Zaloshnje në një familje, fis dhe fshat me tradita patriotike. I jati i tij, Fejzi Shimi, kishte qenë luftëtar i Çetës së Parë në Skrapar kundër osmanëve, maj 1905, të komanduar nga Servet Asllan Zaloshnja dhe zëvendësi, Mahmut Zaloshnja. Fejziu, kishte qenë pionier i luftrave atdhetare edhe në luftën e viteve 1913-14 kundër grekut, në Luftën e Vlorës më 1920 dhe deri sa u çlirua vendi . Për këtë veprimtari atdhetare, qeveria dhe partia e Enver Hoxhës, e nderoi Fejzi Shimin, me Medaljen:” Për shërbime patriotike. “ Vëllezërit e tij:Hajdari dhe Seiti, kishin marrë pjesë në LANÇ. Kujtimi i vogël, si të gjithë moshatarët e vet, e filloi shkollën fillore në vitin 1941-42 me mësues Shevqet Hekali ose siç i thërrisnin me pseudonimin, “Blana” dhe në fshat e mbaroi, në vitin shkollor 1944-45, me mësues Nuri Shimin. Shkollën 7-vjeçare nuk pati mundësi ta vazhdonte. Në këto rrethana të mira historike, do të shkelte edhe Kujtimi i mëvonshëm.
Sot është data 4 Nëntor i vitit 2014 . Ecën vitet në kohë . Vëllai, Seiti 91-vjeçar, kujton saherë vëllanë. Fëmijët e tij: Fejziu, Mirela, Dashnori, Iliri, Gjergji, Maksi, Mariana, Edisoni dhe Nazmiu, u rritën . Ata atëherë, kishin shumë nevojë për Babain. Iliri është në Zaloshnje, pranë babait. E shikon atë shpesh . I pastron varrin . Lulet rrinë pranë varrit të tij të freskëta, si atëherë, kur ai i mblidhte dhe bisedonte çdo ditë me bukurinë e tyre. Sot Kujtimi mbushi 28 vjet nga Dita që iku nga familja e dashur, nga Bitija e mirë . Ajo i qëndroi besnik deri sa Ai njeri zëmirë, fjalëpakë, i dashur me të gjithë, shembullor në punë, qe gjallë. Mariana, u bë mësuese dhe punon në Çorovodë. Nga Turqia, të shkrova dy fjalë dashurije për ty, Kujtim i paharruar ! Vepra jote, është njësh me Historinë e Heronjëve të Punës Socialiste të Shqipërisë …!
U linde në Zaloshnje, në një fshat ujor .
Me histori të lashtë . Me njerëz trima .
Me bilbila të këngës, bujarë e punëtorë .
…………………………………………………………………………………
Kërrabën e bukur, gunën e leshtë,
e mbajte me radhë, gati tridhjetë vjetë.
Syska, bejka, qengja, desh e cjep i përkëdhele .
U lodhe, u kënaqe, o bariu ynë djaloshar .
Kur vije nga mali, me bagëtitë, shtati të kishte hije .
Fyellin, nga buza e dora, asnjëherë s’e hiqje .
Trupi yt shtatlartë, gunën krahut hedhur,
sytë e tu të kaltër, ngjasonin me qiellin .
Po ja, një ditë, ditë Kongresi . . . . .
Binte: shi, llohë, borë me vetëtimë .
Ah, ajo Ditë, na solli Tragjedinë. . . !
Qielli me re dhe i përlotur,
shkëmbi i murrëm dhe i vërejtur,
mbështjell me mjegull e tringëllimë,
“diçka dinin e s’tregonin…”
Shikonin Kujtimin me mallëngjim .
Atje lart në Tiranë , ishte mbledhur Shqipëria .
Bëhej Kongresi i Nëntë, fliste Ramizi dhe partia .
Të shoh në foto, me ballin të zbuluar .
Të shoh në sytë blu, më dukesh tepër i malluar .
Këmisha jote e bardhë, më sjell pastërti .
Fjala jote, dikur e ëmbël, më sjell dashuri .
Ashtu, siç i doje fëmijët edhe ti .
Qe data 4 Nëntor 1986. Shqipëria, bënte Kongresin e Nëntë të PPSH. Atje në Tiranë, ishte mbledhur Shqipëria . Fliste Sekretari i Parë i KQ të PPSH, Ramiz Alia. Ai foli edhe për shtimin e bagëtive. Fjalimi i Ramiz Alisë më 3 Nëntor, në mbrëmje, e frymëzoi më shumë. Dita 4 Nëntor u gdhi me shi, llohë, borë e furtunë. Tomorri dhe mali i Zaloshnjes shpërndanin të ftohtit në Tomorricë. Mali i Zaloshnjes, me mjegull e furtunë. Kujtimi e pa natyrën e egërsuar, por nuk u ndal. Mori nga shtëpia tufën e dhive dhe shkoi nga Pojskat, drejt Shkëmbit të Vogël. Natyra solli borën e madhe. Bagëtia kulloste për bukuri edhe pse natyra ishte e ftohtë. Pas ca minutash, atje në atë vend të rrezikshëm, pra tek Grazhdi i Ariut, në vende me klapa të forta, shkuan 20 krerë dhi. Nga çasti, në çast, ato rrezikonin jetën. Kujtimi, me shumë vështirësi, hipi tek vendi me barë dhe i nxori një pjesë. Ngelën dhe 7 kokë dhi. Kujtimi u lodh shumë. Era e fortë e shiu e bora, nuk e linin të merrte frymë. Bagëtia ishte në rrezik të binte në humnerë. Kujtimi, e shikon vendin dhe ecën përpara më me guxim për t”i shpëtuar. U ngjit në ato bezule, në ato kllapa, në atë gërxh të pakalueshëm. Ishte një çast tepër tragjik. E vuri këmbën tek një gur në shkëmb. E vuri, por fatkeqësisht, guri u thye. Guri ra dhe këmba i rrëshqiti duke rënë në humnerën e asaj hapsire malore. Lajmi u përhap në fshat, në Skrapar. Lajmi shkoi në zemrën e Kongresit, atje në Tiranë. Zaloshnja e dashur, vëllezërit: Hajdari dhe Seiti, panë tragjedinë. Trupi i vëllait ishte bërë copa –copa në atë mal . . Populli atje, mbante zi …! Eh, ajo Ditë e Zezë. Ajo Ditë dimri me borë. Edhe natyra e qau, djalin e Zaloshnjes. Tomorri madhështor, jo shumë larg Zaloshnjes, edhe ai e kishte ulur pak kreshtën malore, në nderim të tij ! E, si të mos e qante atë njeri edhe natyra ?! E mblodhën trupin e tij zaloshnjarët me lotë! E morën në dorë, supe e krahë në barrela dhe e çuan në shtëpinë e vjetër të Fejziut. Zaloshnja atje. A e priste këtë vdekje e shoqja, Bitija dhe fëmijët si tufë ?Kurrë. Eh, çfarë dhimbshuri !Varrim i madh në Varrezat e Paraspuarit. Lotë e plagë, në zemrat e fshatit ! Qeveria e partia, atje në Tiranë, u mblodhën dhe Kujtimin e bënë Hero të Punës Socialiste.
Eci bariu me bagëtinë në shtigjet e vështira të jetës . Me gunën në supe, me kërrabën e stolisur në dorë dhe me mjetet e tjera të bariut, Kujtimi, iu ngjit malit të Zaloshnjes, me bagëtinë përpara. Dashuria për tufën, i shtohej përditë. Tufa e tij, me zile e këmborë, me cjepët shtatëlart dhe me brirët e mëdhenj, kulloste e kënaqur në natyrën e bukur dhe të pasur të malit të fshatit . Tufa e bagëtive të Kujtimit, vihej në garë me të tjerat . Qeshte Kujtimi me Novruz Çelën, me Feritin, me Fehimin, me Bashkim Çarçanin, me Hebib Dyrmishin e Hebib Çelën e Petritin . Pse ?Sepse krenoheshin me tufat e bagëtive. Njëri thoshte: “ Bagëtia ime, është më e mira se jotja. “ Dhe kështu fshati shumohej me bagëti . Sa i mirë ky bariu i fshatit ! Malin e donte shumë. Me fyellin e tij, kënaqte njerëzit dhe natyrën e vendlindjes. I binte fyellit duke filluar tek Qafa e Kurtjes . * Kurtje, fjalë turke që vjen nga fjala:Kurt, që do të thotë:Ujk. Tek Bregu i Lerëve, tek ca shkëmbinj të vegjël, me gunën krahëve, ulej dhe, duke shikuar fshatin, i binte fyellit dhe melodia shpërndahej gjithandej. Pale pastaj nga Brezat a nga Shpellat e Çorrnoku *Çorrnok-fjalë sllave, që do të thotë: i zi . *E ku nuk i binte Kujtimi fyellit ?Natyra qeshte, me atë bari. Qeshnin dhe gëzonin edhe bagëtia e tij. Kur i binte fyellit Kujtimi edhe të tjerët barinj, ia mbanin ison me fyejt e tyre. Një melodi e bukur baritore, kënaqte njerëzit aty pranë . Nga vendi me barë të helmuar, rrallë i çonte se bagëtia edhe mund të helmohej. Kishte një qeshje të veçantë . Mbante një qen të bëshëm, me trup të lartë. Në qafë i kishte vënë një tel me gjëmba, që të mos e hanin ujqrit. Gumen e kishte emrin. Ishte më i fuqishmi në fshat . E thërrisnin:Gumeni i Fejziut . Ky qen, një të lehur bënte në Brezat dhe për 5 minuta e kishje në fshat. Po ta ngacmoje, ai të bënte copë –copë . Edhe sot në fshat barinjtë e sotëm e kujtojnë si qenin më të mirë.
Shtëpia ime, ishte 15 metra larg shtëpisë së Kujtimit. Kur e lëshonte bagëtinë, për në kullotë, kishte raste që takohshim. E kam parasysh si tani këtë njeri . Më pyeste për shëndetin e prindërve e vëllezërve dhe unë i jepja përgjigje . Ai me dashamirësi, më ledhatonte e qeshte. Një jetë të tërë me bagëtinë e fshatit . Kujtimi, merrte pjesë, në gëzimet e hidhërimet e popullit të Zaloshnjes. E donte shumë profesionin e bagëtive . Dhe kështu, gati 30 vjet, Kujtimi e shëtiti vendlindjen. U bë një bari shembullor. Ikën vitet dhe ai krijoi familjen . Me gruan Bitijen, kurrë nuk u ndanë . Ajo i rriti fëmijët dhe i bëri si luanë.
Shkuan vitet, shkuan . Por do të vinte një ditë shumë e zymtë. Do të vinte një çast tepër tragjik. A e kishte menduar këtë çast tragjik ndonjëherë Kujtimi ?!! Kurrë !Por ja që erdhi. Ajo orë e ajo Datë ogurzezë, do të sillte fatkeqësinë . . ! Kjo do të ishte tragjedia e tretë në atë fshat, në atë mal. Tragjedia e parë, qe, kur ra nga shkëmbi i fshatit, në malin e Gjerbësit, Bato Mahmut Dosti, tjetra qe, kur u mbyt aksidentalisht në rezervuarin e Zaloshnjes në Thekrat, më 21 qershor 1967, Luan Fehim Diko, i cili me shokët e fshatit: Xhevit e Muhamet Sula, Kasëm Sojati e Nasibi Dyrmishi, po mblidhnin çaj. Dhe kjo datë erdhi në malin e Zaloshnjes. Erdhi për bariun e fshatit, Kujtimin tonë ! Erdhi në dimrin e bardhë me shumë borë. Ai iku me bardhësinë e jetës . Ashtu punoi, me dashuri për punën e bagëtive.