Në PS vezët konvertohen në fishkëllima

Nga Anila Jole -Tronditëse ajo që ndodhi sot në Elbasan në takimin e socialistëve! Një takim në dukje si shumë të tjerë, ku ata të rinjtë që anëtarësohen kanë mësuar përmendësh 5 rreshtat që thonë kur marrin teserën e partisë, u shndërrua në një ngjarje të shëmtuar, që të linte shije tejet të keqe.

Nuk kisha pritshmërinë që prania e deputetit të paftuar Ben Blushi (oponent i kryetarit) do pritej me duartrokitje, por atë tension, atë mungesë qytetarie, fishkëllimat, tentativën për ta goditur fizikisht dhe nevojën për ruajtjen e tij me truproja, nuk i prisja. Dhe ku? Në një parti që i thotë vetes demokratike, në një takim ku supozohet se marrin pjesë socialistë, intelektualë e të rinj. Në një qytet që njihet për njerëz të qetë e të butë. Në një vend demokratik, që aspiron të bëhet anëtar i BE, ku demokracia dhe respekti i të drejtave të të drejtave të njeriut janë parimet bazë.

Shumëkujt, besoj edhe socialistëve, që kanë jetuar sado pak në kohën e diktaturës, kohë kur në ekran shiheshin vetëm kongreset dhe takimet e Partisë së Punës me brohoritje e thirrje për liderin, iu rikthye në mendje ajo kohë. Ngjarjet ishin të ngjashme, pak a shumë me ndryshime të vogla. Më shumë se në atë kohë ndodhi që Blushi (delja e zezë) foli, ndërsa më pak, ishte fakti që nuk u nxorr jashtë me pranga e të shpallej “armiku i popullit”, por u shoqërua nga oficerët e Gardës.

Ndoshta mjaft prej atyre që fishkëllenin në sallë as që i kanë lexuar vetë propozimet e tij për ndryshimet në statut, ndoshta të tjerë as nuk e kuptojnë siç duhet në ato që thotë e kërkon, pjesa tjetër i ka lexuar por s’është dakort, disa në heshtje edhe e mbështesin, megjithatë fakti që kritikon hapur kryetarin, duket se nuk i pëlqen asnjërit prej atyre që ndodheshin në të njëjtën sallë “edhe me macen, edhe me miun”.

Dikush mund të justifikojë atë turp që ndodhi sot në Pallatin e Sportit duke thënë: “Blushi e ka fajin vetë, elbasanllinjtë s’mund ta përtypin që ua shau Elbasanin në librin e tij”…
Blushi mund të ketë mëkatet e veta, edhe më shumë se një libër, por mëkati më i madh sot ishte i Ramës, për atë frymë që lejon të ndihet në parti, për atë hon të zbrazur nga demokracia ku po futet ajo forcë politike, që dikur veçohej prej të tjerave pikërisht për zërat ndryshe që dëgjoheshin brenda saj, për shenjat e autokracisë që kanë filluar të duken e të pranohen.

Nuk shkruaj sot për të mbështetur Blushin apo mendimet e tij, analizën për të cilat mund ta bëjmë një ditë tjetër. Sot shkruaj e shqetësuar për atë që ndodhi në zemër të Shqipërisë me një deputet të partisë më të madhe qeverisëse dhe se në këtë ngjarje të shëmtuar e të frikshme ishte i pranishëm edhe kryetari edhe kolegët e deputetit. Shkruaj e shqetësuar, se kuptova që shqiptarët ende nuk e kanë larguar mllefin nga shpirtrat, nuk janë ende të qetë edhe pse në takime partie duken të qeshur e të kënaqur nga reformat. Sepse pas 25 vitesh demokraci, tashmë në Partinë Socialiste dëbohesh nga tufa nëse kundërshton dashin përçor. Shkruaj me shqetësim, sepse fatkeqësisht shqiptarët ende vazhdojnë të rreshtohen si dele.

Shkruaj se kuptova që kryeministri jo vetëm që nuk ka reflektuar për vezët e opozitës, por i konvertoi menjëherë ato në fishkëllima për kundërshtarët brenda llojit të tij.

Balkanweb

SHKARKO APP