Në Shqipëri duhet një Dhjetor i Dytë

Me keqardhje ju them që ju dështuat në ëndrrën tuaj. Ka ardhur koha që ne të bëjmë me ju atë që ju bëtë me paraardhësit tuaj, por ndryshe nga ju ne nuk do jemi kopja juaj…

Nga Augent Xhaferaj

“E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”, ishte shprehja kyçe e 8 Dhjetorit 1990, kur të rinjtë kërkuan ngritjen e sistemit të vlerave perëndimore dhe të shtetit të së drejtës, integrimin në Evropë dhe garantimin e pluralizmit politik.

Po sot pas 26 vitesh a është bërë Shqipëria siç e ëndërronin të rinjtë e asaj kohe?

Ende jo! Edhe rinia e sotme ka po të njëjta ëndrra si rinia e 26 viteve më parë. Kjo do të thotë që ëndrra e të rinjve të 1990 e atyre djemve dhe vajzave që sollën pluralizmin politik ka humbur në një labirint të pa fund. Ende se kemi bërë Shqipërinë si gjithë Evropa, se kemi bërë as sa një cep i sajë.

Vitet ikin, brezat kalojnë, dhe Shqipëria rri në vend. Mbaj mënd tim at kur isha ende fëmijë, thoshte: “Që ky vend për ne nuk bëhet, por të paktën të bëhet për fëmijët”. Sot jam unë në moshën e tij kur thoshte këto fjalë dhe Shqipëria s’është bërë akoma, sot ndodhem unë përballë të njëjtës situatë si im at para shumë vitesh dhe situata është po e njëjta, sot dhe unë mund të them për fëmijët e mi të njëjtat fjalë si dhe ai para shumë vitesh. Por unë refuzoj, refuzoj të pres që Shqipëria të bëhet për brezat pasardhës, unë dua që Shqipëria të bëhet sot, dua që unë ta gëzoj dhe ta shoh të lulëzoj vendin tim, dua që fëmijët e mi të lindin në një vend të sigurt dhe si gjithë Evropa.

Ka ardhur koha që rinia e sotme të bëj atë që bëri rinia e 1990, ka ardhur koha që të bëjmë një revolucion të ri politik, të përmbysim klasën e vjetër dhe të ngremë një sistem të ri, me të rinj që kanë aspiratë lirinë dhe demokracinë, me të rinj që formimin e tyre ta kenë ndërtuar në Evropën e lirë dhe jo në Shqipërinë autokratike.

Më vjen keq që ata të rinj që në 1990 sollën ndryshimin, sot drejtojnë vendin në çdo fushë të jetës dhe janë bërë kopje e paraardhësve të tyre komunist. Me keqardhje ju them që ju dështuat në ëndrrën tuaj. Ka ardhur koha që ne të bëjmë me ju atë që ju bëtë me paraardhësit tuaj, por ndryshe nga ju ne nuk do jemi kopja juaj.

Nuk ka më komunist se ish-komunisti që lufton komunizmin.

Një burrë shteti është një politikan që e vë veten në shërbim të kombit, ndërsa një politikan është një shtetar që e vë kombin në shërbim të vetes. Këto 26 vite Shqipëria ka pjell vetëm politikan të pa shpirt, ka ardhur koha që nga rinia e sotme të lindin burra shteti qe të marrin në dorë fatet e vendit.

Dikur patriotët Shqiptar shitën pasurin për vendin, sot po shesin vendin për pasuri, rini mos rri por çohu rini.

SHKARKO APP