Në Zvërnec, ku natyra prek historinë
Zvërneci gjendet pak kilometra larg qytetit të Vlorës, në pjesën veriperëndimore të saj.
Pamja e parë mbi të mund të merret madje që në kodrat nga Kriporja deri sa mbërrihet në qytetin e Vlorës përgjatë rrugës që vjen nga Fieri.
Një urë druri rrethë 100 metra e ndërtuar mes për mes kënetës të çon drejt manastirit.
Në anën tjetër të ishullit gjendet “Kisha e Shën Triadës”, kjo kishë është e dëmtuar dhe e pa riparuar akoma. Zvërneci, me ishullin e vogël të tij, ndodhen rreth 14 km larg nga Vlora, aty ku mbaron pylli i Sodës dhe fillon laguna e Nartës.
I tërë peisazhi krijon një ansambël shumë të bukur natyror, me plot kontraste dhe ku gjenden në harmoni bukuria me qetësinë e këtij vendi. Përveç bukurisë natyrore, interes të veçantë paraqet për vizitorët Manastiri i Shën Mërisë, i cili ndodhet në ishullin e Zvërnecit dhe ku mund të shkohet me një urë të ngushtë këmbësorësh prej druri. Manastiri është një ndërtim tipik bizantin i ndërtuar në shek. X-të pas Krishtit.
Ai kishte një bibliotekë kishtare shumë të pasur. Murgu i fundit nga manastiri është larguar në vitin 1967, kur në Shqipëri u mbyllën objektet fetare. Për shumë kohë manastiri qëndroi i mbyllur, u plaçkit dhe u dogj.
Veçanërisht ditën e 15 gushtit, e cila përkon me ditëlindjen e Shën Mërisë, manastiri dhe gjithë ishulli është i mbushur me besimtarë dhe vizitorë të shumtë
Gjatë gjithë stinës së verës manastiri nuk mbetet bosh. Kisha ortodokse ngre aty kampingje për fëmijët që vijnë si pushues disa ditorë nga i gjithë vendi.
Jo vetëm Zvërneci me ishullin dhe manastirin e tij, por e gjithë zona me lagunën dhe detin, përbëjnë një ekosistem shumë interesant dhe tërheqës për turistët.
Laguna e Nartës zë gjithë pjesën veri-perëndimore të gjirit të Vlorës dhe ndahet nga deti Adriatik me një rrip të ngushtë toke, i cili përbëhët nga duna ranore. Nga që laguna komunikon nëpërmjet dy kanaleve me detin, uji i saj është i kripur. Kjo ka krijuar mundësinë që rreth 1/3 e lagunës të shfrytëzohet për nxjerrjen e kripës.
Me interes të veçantë për tu vizituar nga turistët janë edhe dunat e Nartës. Ato gjenden në perëndim të lagunës , në brezin rënor që ndan lagunën me detin. Mbi to ka bimësi barishtore, por edhe shkurre kripëdashëse të vogla. Rritja e tyre dhe gjëndja është e mirë. Dunat kanë vlera shkencore, estetike, turistike dhe ekonomike, pasi mbrojnë tokat arë në lindje të tyre.
Vizitorët mund të futen në Zvërnec duke u nisur nga qyteti i Vlorës apo duke ardhur edhe nga qyteti i fierit. Zvërneci mbetet një nga pikat më të afërta ku gërshetohet bukur turizmi natyror me atë detar dhe kulturor, ku historia prehet në krahët e natyrës