Nënkryetari Sulaj në Baldushk: Thirrje për fermerët! Pjesëmarrja në projekte dhe mundësi për eksportin e produkteve tuaja
Nënkryetari i Bashkisë Tiranë, Blendi Sulaj, zhvilloi një dëgjesë publike në Baldushk, ku theksoi rëndësinë e zhvillimit rural dhe mbështetjen për fermerët dhe blegtorët e zonës.
“Baldushkun e njoh mirë. Është një nga fshatrat më të bukur jo vetëm të Tiranës, por të gjithë Shqipërisë”, tha Sulaj, duke nënvizuar se prioritet i bashkisë është që produktet e zonës të jenë konkurruese dhe të promovohen jo vetëm në tregun vendas, por edhe jashtë vendit.
“Produktet e zonës duhet të konkurrojnë me ato të importit. Vetëm duke u bërë pjesë e projekteve që kemi krijuar, mund të arrijmë këtë”, shtoi ai.
Sulaj bëri me dije mbështetjen konkrete për fermerët dhe blegtorët përmes granteve dhe partneriteteve: “Bashkia e Tiranës ofron grante për biznesin e vogël në zonat rurale dhe mbështet çdo iniciativë. Përmes partnerëve mund të merrni makineri bujqësore; fondet janë të hapura për t’u përfituar. Nuk është vetëm ndihmë, por një bashkëpunim ku ndihmojmë njëri-tjetrin. Regjistrohuni si fermer, aplikoni dhe bëhuni pjesë e projekteve për të përfituar maksimalisht.”
Ai përfundoi duke theksuar se problemet e fermerëve, nga më të voglat deri te më të vështirat, mund të zgjidhen me bashkëpunim: “Fokusi ynë është zhvillimi rural dhe mbështetja maksimale për fermerët dhe bujqësinë.”
KOHA JONË SONDAZH

