Nevila Xhindi: Tirana, 10 mijë vende pune më pak nga bllokada e Ramës

Intervista/ Flet për “Koha Jonë” numri dy i Bashkisë së Tiranës, Nevila Xhindi 

Intervistoi: Aranit Muraçi

Prej më shumë se një viti, Nevila Xhindi është zgjedhur nën-kryetare e Bashkisë së Tiranës. E ardhur nga bota akademike, përfshirja e saj në politikë, ka rezultuar disi surprizë edhe për vetë atë. Në një intervistë për “Koha Jonë”, Nevila Xhindi tregon përvojën e saj si numri dy i Bashkisë së Tiranës. Ajo konteston fuqishëm politikat e ndjekura nga paraardhësi në bashki, Edi Rama, aktualisht kryeministër i vendit, teksa thotë se për 12 vjet ai betonizoi Tiranën dhe bëri thjesht “show” me qytetarët, siç edhe po bën tani në rolin e kreut të qeverisë:

 

 

Sa surprizë ishte për ju lajmi, kur mësuat gati një vit e gjysmë më parë emërimin si nënkryetare e Bashkisë së Tiranës?

Ishte surprizë po! Pamvarësisht bashkëpunimeve të mëparshme me Z. Basha, vlerësimi dhe besimi që ai më dha me pozicionin e nënkryetares, duke më bërë pjesë të bashkëqeverisjes së Tiranës, ishin surprizë dhe sfidë karriere bashkë! Të fillosh një karrierë politike me qeverisjen lokale, ku në qëndër është shërbimi ndaj qytetarëve nuk mund të ishte më mirë, të jep mundësi të njohësh e të veprosh, të zhvillon më tej lidershipin politik dhe administrativ, të ndihmon të krijosh lidhje dhe mbi të gjitha të jesh inovator në politikbërje. Bashkia e Tiranës prej vitit 2011drejtohet nga e djathta, në një kohë kur kryeministri aktual Edi Rama e ka drejtuar atë për tre mandate radhazi.

 

Çfarë modeli qeverisjeje gjetët në bashki dhe  çfarë e dallon drejtimin aktual të bashkisë, me atë të kohës kur ajo drejtohej nga kryeministri aktual ?

Modeli aktual i Bashkisë së Tiranës është ai një qeverisjeje demokratike dhe të hapur, bazuar mbi punën dhe përkushtimin e një stafi karriere dhe profesionist. Sigurisht, përcaktimi i modelit të qeverisjes është i bazuar mbi objektivat e vëna nga Kryetari i Bashkisë: llogaridhënie, shërbim ndaj qytetarëve, transparencë, identitet qytetar, efektivitet dhe efiçencë, thjeshtësi, transparencë- drejt një Tirane moderne dhe Europiane. Ish- kryebashkiaku Rama kishte vetëm një model, atë të interesave klienteliste që e kthyen Tiranën në 11 vjet, në qytetin prej betoni! Kryeministri aktual ka harruar të jetë i tillë, vepron ende me mendësinë e kryebashkiakut që ishte. Sheshet e ndërtimit dhe lejet e ndërtimit , fasadat dhe show mediatik  si të ishte ende kreu i një qyteti ,vazhdojnë të jenë meraku i ditës në politikën e tij.

Akuzoheni nga mazhoranca si institucion, se nuk po i mbani premtimet ndaj qytatarëve të Tiranës?

Ne vazhdojmë dhe punojmë çdo ditë që të përmirësojmë jetën e qytetarëve të Tiranës. Ne punojmë që çdo premtim të kthehet në një realitet të prekshëm. Kaluam një vit të bllokimit politik shumë planësh, dhe në përgjigje të kësaj  kemi vazhduar të punojmë dhe të insistojmë për realizimin e projekteve madhore strategjike në Tiranë, për sistemimin dhe rikualifikimin urban të hapësirave në qytet,  rikonstruksione çerdhesh, kopshtesh, shkollash, rritje e sipërfaqes së gjelbër si kurrë më parë, promovim arti e kulture, ka gjallëruar jeta dhe sporti në qytet, është mbështetur biznesi, janë ngritur qendrat sociale dhe është punuar për shtresat në nevojë. Gjithsesi, zoti Basha edhe këtë fundvit do të bëjë bilancin e punëve të Bashkisë së Tiranës dhe aty të gjitha sa më lart do t’i gjeni konkrete. 

Papunësia është një problem tjetër i mprehtë i të rinjve shqiptarë, shumë prej të cilëve “vrasin kohën” në baret e Tiranës. A janë të paaftë të kryejnë një punë, nuk duan të punojnë, apo janë lënë jashtë vëmendjes së politikavemë tepër çorientuese në vend?

Në Shqipëri, ndër vite, janë marrë shumë nisma për të analizuar dhe për të planifikuar ndërhyrjet më të përshtatshme për t’ju përgjigjur efektivisht papunësisë formale dhe informale, sidomos të rinjve. Duke u bazuar në analizimin e situatës aktuale në tregun e punës dhe faktorëve, që ndikojnë në përmirësimin e këtij tregu, duhen iniciuar strategji me objektiva të qarta dhe të matshme, dhe jo veç sportele regjistrimi papunësie e show mediatik për vendet virtuale të punës.  Deri një dekadë më parë çështjet e punësimit konsideroheshin si çështje vetëm të pushtetit qendror dhe strukurave në varësi të tij, por sot falë metodologjive të sukseshme dhe projekteve të reja të zbatuara në vendet e Bashkimit Europian (BE), dhe prej 4 vitesh në Shqipëri, problemet e punësimit po trajtohen gjerësisht si nga përfaqësuesit e pushteti vendor ashtu edhe nga aktorët e tjerë.  Zgjidhjet duhen  fokusuar në masat që do të merren në nivel qëndror dhe  lokal për promovimin dhe  rritjen e zhvillimit të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme,  në përpunimin e produkteve bujqësore, turizëm, industri e lehtë, teknologji e informacionit dhe komunikimit dhe ndikimin e pritshëm të këtyre masave në rritjen e punësimit për çdo sektor, si dhe për zgjerimin dhe larminë e bazës së eksporteve, nxitjen e Investimeve të Huaja Direkte, në sektorët prioritarë ekonomisë. Fatkeqësisht këto masa i kemi në nivelin më të ulët nga qeveria qëndrore, e sa pushtetin lokal, Bashkia e Tiranës ia ka dale me masat e ndërmarra prej saj të mundësojë punësimin e 25 mijë personave. Nëse nuk do të bllokoheshin buxheti dhe projektet strategjike të bashkisë numri i të punësuarave do të ishte të paktën edhe 10 mijë më shumë .

Ku ndryshojnë politikat e së djathtës dhe së majtës sa i përket taksave mbi biznesin, duke marrë parasysh praktikat që janë ndjekur nga bashkia dhe qeveria gjatë vitit të fundit?

Çdo komb, të majtës dhe të djathtës në politikë i jep/ i shton/ edhe identitetin e vet dhe kjo edhe në vartësi të faktorëve social, kulturorë, ekonomik dhe padyshim historik e gjeopolitik, por padiskutim ideologjia është e rëndësishme. Në mungesë të një plani dhe vizioni të qartë të  së majtës shqiptare për ekonominë, qeveria aktuale mekanikisht paraqeti dhe miratoi buxhetin edhe këtë vit. Viti 2014 ishte shumë I vështirë për shqiptarët, por 2015-ta do jetë edhe më shumë. Buxheti – 2015-ws bazohet:  rrit taksat dhe akcizat = rritje të ardhurash për vitin tjetër, fatkeqesisht këtu nuk ka asnjë vizion zhvillimi. Vënia e zhvillimit ekonomik dhe punësimit, si një prioritet, për herë të parë nga qeverisja e njësisë më të madhe vendore, e kryeqytetit ka sjellë rezultate të prekshme. Në këto tre vite, Bashkia e Tiranës ka reduktuar taksat në maksimumin prej 30% që parashikon ligji për pushtetin vendor, ka eliminuar totalisht 60 tarifa vendore ( gjeti 80), ka krijuar në bashkëpunim me koorporatën ndërkombëtare financiare, Bankën Botërore praktikën “One Stop Shop” për lejet dhe licencat, ka përjashtuar tërësisht nga taksat vendore bizneset që hapin më shumë se 50 vende pune, ka ulur në masën 30% vlerën e detyrimit për 525 biznese që kryejnë aktivitetet e prodhimit apo shitjes me pakicë në fushën e artizanatit, ka mundësuar përmes Bankës Botërore 40 grante nga 2500 dollarë për 40 plan-bizneset më të mira dhe trajnimin e 353 të rinjve, ka mundësuar punësimin e mbi 1700 qytetarëve të Tiranës përmes një marrëveshje bashkëpunimi që vazhdon të funksionojë me Dhomën e Tregtisë, si  dhe ka nxitur sipërmarrjen femërore.

Jeni zgjedhur  dhe tani drejtoni sekretariatin e shoqërisë civile në PD. Çfarë mendoni për shqërinë civile në Shqipëri?

Zhvillimi i shoqërisë civile në Shqipëri gjatë tranzicionit drejt konsolidimi të ekonomisë së tregut dhe demokratizimit, si dhe roli që ka luajtur ajo kanë pësuar transformime përgjatë kohës. Një ndër dimensionet kryesore të shoqërisë civile është edhe pozicionimi i saj në raport me aktorët e sferës politike si partitë politike apo vendim-marrësit. Ka një konsensus të përgjithshëm që funksionet  shpesh të ngatërruara të shoqërisë civile në Shqipëri, si dhe mungesa e qartësisë në përcaktimin e përgjegjësive për kompetenca të veçanta në jetën politike, shoqërore dhe arenën ekonomike të vendit, janë dy nga pengesat kryesore për realizimin e një marrëdhënie të suksesshme të shoqërisë civile me aktorët politikë dhe vendim-marrësit.

Si e shikoni raportin parti- shoqëri civile? Konkretisht PD- Shoqëri civile?

Është e rëndësishme të theksohet  se nuk ekziston një model i përgjithshëm që mund të përmbledhë në një të vetëm rolin e partive dhe të organizatave të shoqërisë civile në procesin e demokratizimit. Ky rol ndryshon sipas kontekstit politik në çdo vend, sikurse ndryshon edhe marrëdhënia e partive dhe organizatave të shoqërisë civile me njëri-tjetrin.  Të dyja palët, partitë dhe organizatat e shoqërisë civile, ndërmjetësojnë në mes individit dhe shtetit, por ata e bëjnë këtë në mënyra të ndryshme dhe kanë funksione të ndryshme.  Kështu, ndërsa roli bashkërendues dhe plotësues, madje shpesh edhe kundërshtues, i shoqërisë civile është i pashmangshën në rrugëtimin politik të platformës së një partie, shoqëria civile nuk është dhe nuk mund të jetë kurrë një zëvendësuese e partisë dhe politikave të saj. Platformat politike, përfaqësimi dhe përgatitja e elitës politike u takojnë partive dhe nuk mund te zëvendësohen nga shoqëria civile.

 

Konkretisht PD-Shoqëri civile?

Duke qënë të qartë në misionin dhe qëllimin e saj Partia Demokratike duhet të punojë nëpërmjet Sekretariatit për Shoqërinë Civile, që të zbatojë një qasje moderne ndaj zhvillimit të partisë, duke sjellë sëbashku një set partnerësh me qëllime të përbashkëta. Shoqëria civile nuk duhet të përdoret si “armë” e PD-së, ajo ka autonominë e saj, por një partneritet konstruktiv për çështje dhe interesa të përbashkëta duhet me patjetër të ndërtohet. Nëse PD-ja do t’i angazhojë dhe mbështesë qytetarët për kauza dhe reforma të mëdha, ajo do të forcohet më shumë institucionalisht dhe qytetarët do ta vlerësojnë angazhimin e saj me votë. Ndërsa shoqëria civile duhet të inkurajohet për të vepruar si vëzhgues, mbështetja për to duhet të kushtëzohet me vetë transparencën, profesionalizmin, përgjegjshmërinë, dhe sjelljen e tyre të përgjegjshme, sidomos kur bëhet fjalë për çështjet  që PD-ja i ka pjesë të platformës politike. Ndërkohë në mënyrë të pashmangshme një “tension i shëndetshëm” duhet të jetë gjithnjë present në këtë marrëdhenie të PD-së dhe shoqërisë civile, i shoqëruar ky nga respekt i dyanëshëm dhe i qartësuar për rolet shumë të rëndësishme që secila ka në shoqërinë shqiptare.

SHKARKO APP